Viti 2022, gati 2 mijë operacione janë kryer në Klinikën e Ortopedisë
Në vitin 2022 në Klinikën e Ortopedisë dhe Traumatologjisë Lokomotore janë pranuar mbi 2 mijë pacientë, dhe janë kryer gati 2 mijë operacione.
Kështu ka thënë Drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Gani Jashanica, në një intervistë për Ekonomia Online.
Ai ka thënë se për një vit janë kryer afër 30 mijë vizita ambulantore dhe janë brë mbi 2 mijë ultrazëra.
“Klinika e Ortopedisë në vitin 2022 ka pas shumë peripeci, mirëpo mesatarisht kemi arritur t’i realizojmë qëllimet tona që i kemi pas. Zakonisht kemi pas të pranuar 2272 pacientë, të operuar kemi 1985 e që deri në fund të vitit do t’i kryejmë 2 000 operacione, çka do të thotë se kemi rritje të numrit nga viti paraprak, ku kemi pasur ngecje shkaku i pandemisë, tani kemi përmirësime. Vizita ambulatore janë kryer afër 30 mijë, janë 2054 ultrazëra e janë bërë afër 5 mijë imobilizime me gips dhe lidhtore të plagëve janë bërë rreth katër mijë”, ka thënë Jashanica.
Jashanica ka ngritur shqetësimin sa i përket mungesës së anesteziologëve, ndonëse tha se lista e pritjes është akoma e madhe.
“Më brengos fakti se kemi mungesë të anestezistëve dhe listën e pritjes e kemi ende të madhe. Lista e pritjes sa i përket protezave jemi në fund të vitit 2018, kemi menduar se do të jetë një shkarkim i listës me hapjen e sallave të reja operative, mirëpo ka ndikuar mungesa e anestezistëve, ku dy prej tyre gjatë këtij viti e kanë lëshuar punën dhe një ortoped. Këtu kemi edhe një revoltë të qytetarëve sepse lista vetëm sa po shkon duke u shtuar”, është shprehur ai.
Ai tutje theksoi se aktualisht janë duke punuar me kapacitete mesatre duke thënë se nga viti i ardhshëm presin më shumë, duke treguar për kushtet që ofron kjo klinikë.
“Tani për tani jemi duke punuar me kapacitete mesatare, jemi duke e kryer traumën në tërësi. Nga viti i ardhshëm presim shumë, pasi që i kemi katër salla të reja për operacione, presim që të funksionalizohet pikë së pari me faktorin njëri që besoj se është problem madhor që kërkon të merren institucionet, dhe të kemi anestezion mjaftueshëm, kurse ortoped kemi mjaftueshëm dhe funksionalizimi i plotë i katër sallave, besoj se do të mjaftojë për realizimin e plotë të planit tonë”, tha ndër të tjera ai.
