U rikthye në funksion pa provën e vakuumit, bie sërish Blloku A3 - NACIONALE

U rikthye në funksion pa provën e vakuumit, bie sërish Blloku A3

1 vit më parë

nga NACIONALE

Është hera e tretë që i njëjti bllok ndalet. Bëhet fjalë për atë A3, me ç'rast e lë Kosovën A pa asnjë bllok funksional.

Siç mëson Nacionale, shkak për këtë duket të jetë presioni i menaxhmentit për ta rikthyer të njëjtin në funksion.

Madje, A3 u rikthy në funksion edhe pa ia bërë provën e vakuumit.

"Ka rënë Blloku A3. Shkak është presioni. Menaxhmenti ka urdhëruar që të kthehet në funksion pa ia bërë provën e vakuumit", ka thënë ndër të tjerash ky burim për Nacionalen.

Tutje, bëhet e ditur se i njëjti prodhon 130 MWh. Kjo do të thotë se momentalisht janë duke u prodhuar më pak se 500 MWh, shifër e pamjaftueshme për t'i plotësuar nevojat e qytetarëve.

Për çështje të korrektësisë, Nacionale tentoi të flasë me zyrtarin për informim nga Koorporata Energjetike e Kosovës, por që i njëjti ka qenë i paqasshëm.

Kujtojmë, ky bllok u rikthy së funksionuari vetëm para pak ditësh, kurse është e treta herë që ndalet.

Me datën 16 të këtij muaji, KEK-u pati njoftuar për gatishmërinë për punë, por ndaljen e nevojshme 4-5 ditore.

"Korporata Energjetike e Kosovës njofton se njësia A-3 është në punë por planifikohet për ndalje 4-5 ditore.Lidhur me këtë, KEK ka ndërmarr të gjitha masat e nevojshme për mbulimin e mungesave të planifikuara, kështu që nuk pritet të ketë reduktime të energjisë elektrike", thuhej ndër të tjerash në atë komunikatë.

Duhet përmendur se për të startuar bllokun A3, kushton hiç më pak se 75 mijë euro, pasi që startohet me naftë. Ky bllok vetëm këtë muaj ka startuar 3 herë për shkak të problemeve, duke i kushtuar kështu KEK-ut plot 225 mijë euro.

Gjatë muajve korrik dhe gusht, Kosova është përballur më krizë energjetike pasi që pothuajse të gjitha blloqet ishin jashtë funksionit dukë përfshirë edhe bllokun A5, i cili që nga korriku është jashtë funksionit.

Një qasje të tillë të Qeverisë Kurti e ka kritikuar i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili ka ngjallur dyshime për çështjen e riparimeve të shumta në KEK.

Përtej neglizhencës së praktikantëve, nuk mund të mendoj asgjë tjetër, veçse një interes madhor që përfiton miliona euro nga tenderët riparuese e nga blerja e energjisë derisa ne nuk prodhojmë”, deklaronte z.Abdixhiku.

Kujtojmë se, veç për A3-shin, sot gjatë ditës Nacionale ka raportuar për disa dyshime të tjera për "dallavere", por në një bllok tjetër. Atë A5.

Blloku A5 ishte ndalur në mënyrë të dhunshme nga frika e shpërthimit pasi që kishte kaluar orët e parapara të punës, për të cilën gjë menaxhmenti i KEK-ut ishte paralajmëruar disa herë.

Njësia A5 që prodhon rreth 130 MWh energji elektrike ishte planifikuar të shkonte në remont (servisim të thellë) më 16 korrik të këtij viti, por kjo gjë nuk ka ndodhur.

KEK-u ka lënë në prodhim këtë njësi më shumë sesa që ka qenë e planifikuar. Sipas rregullave teknike brenda KEK-ut, njësia A5 duhej të shkonte në remont pas 32 mijë orëve pune, por menaxhmenti i KEK-ut e ka lënë këtë njësi që është e vjetër 47 vite (1975) të kapërcejë mbi 40 mijë orë pune.

“Një zhurmë e madhe është dëgjuar te gjeneratorët poshtë. Një zhurmë e pazakontë dhe shqetësuese”, tha një punëtor i KEK-ut për Nacionale, duke mos dashur të zbulojë identitetin e tij.

Kur kanë kaluar 2 muaj e 6 ditë, blloku A5 ende nuk ka filluar të riparohet.

Lajme të ngjashme