Teutë Rrusta: Heqja dorë prej të moshuarve është heqje prej një potenciali të caktuar
Aktivistja e PSD-së, Teutë Rrusta, ka treguar se në Kosovë janë vetëm 5 shtëpi publike për të moshuarit.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se asnjë qeveri nuk ka investuar në mirëqenien e tyre, duke e cilësuar këtë shtresë të shoqërisë si të padobishëm.
Sipas saj, heqja dorë prej të moshuarve është heqje dorë prej një potenciali të caktuar.
“Në Kosovë janë vetëm 5 shtëpi publike për të moshuarit. tepër pak. Asnjë qeveri nuk ka investuar në mirëqenien e tyre. Disi i kanë cilësuar si barrë dhe të padobishëm për shoqërinë. Kjo qasje e ka lënë shoqërinë të gjymtuar. Njeriu sa të jetë jeta vlenë. Heqja dorë prej të moshuarve është heqje prej një potenciali të caktuar. Kalkulimi i dobishmërisë në terma eksploatues i ka lënë anëtarët e shoqërisë të pa realizuar në planin individual dhe atë kolektiv. Në anë tjetër mënyra e debatit për rastin vetëm sa po e forcon stigmën që ekziston për shtëpitë e të moshuarve. Konsiderohet si strehim i atyre që nuk kanë familje ose që braktisen prej saj. Punëtorët që kanë ushtruar dhunë duhet të gjykohen dhe ndëshkohen sipas procedurave dhe ligjit në fuqi. Kjo përndjekja publike ndaj tyre nuk mundet me qenë përgjigja”, ka shkruar Rusta.
Një video jashtëzakonisht shqetësuese është postuar dje nga një qytetare me emrin Kaltrinë Zeneli, e cila është edhe aktore e njohur e Kosovës.
Në video shihet teksa maltretohet një zonjë në moshë nga disa vajza të reja, të cilat duket se janë infermiere.
Infermierja shihet derisa e godet disa herë në fytyrë pacienten, derisa ajo është e paaftë që ta mbrojë veten. Krejt këto sjellje të dhunshme i bën derisa qeshet me disa kolege (ose gra të njohura) të tjera, të cilat nuk duken në video.
Ndërkohë, Nacionale e ka konfirmuar tashmë se dy infermiere deri tash janë arrestuar ndërkohë që autoritetet kanë nisur hetimet.
Ngjarja ka ndodhur në një dom të pleqve privat në Pejë, i cili quhet “Orenda”.