Të shpërbëhet Këshilli dhe Senati, kërkohen zgjedhje të reja në Universitetin e Prishtinës - NACIONALE

Të shpërbëhet Këshilli dhe Senati, kërkohen zgjedhje të reja në Universitetin e Prishtinës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkarkimi i rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti, ka nxitur reagime të shumta në vend.

Disa profesorë të këtij institucioni, pas veprimit të Këshillit Drejtues, e kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në UP.

Ish-kryetar i Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Blerim Rexha, ka thënë se vetëm shkarkimi i rektorit nuk mjafton për rimëkëmbjen e Universitetit të Prishtinës.

Dje Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës shkarkoi rektorin Prof. Dr. Naser Sahiti – veprim që rrallë, shumë rrallë e shohim në universitetet evropiane. Por, si u krijua kjo frymë kundër rektorit nga Senati i Universitetit të Prishtinës (organit më të lartë akademik) – ku kryesues i vet Senatit është rektori? Ky Këshill Drejtues është reflektim dhe derivat i këtij Senati, dhe i njëjti Senat para dy viteve zgjedhi Prof. Dr. Naser Sahitin, si kandidatin më meritor për udhëheqjen e universitetit. Në zgjedhjet e fundit të Këshillit Drejtues, në qershor, ish rektori nuk arriti të luante rolin e pritur nga ai, unifikues dhe bashkëpunues me fakultetet, duke përçarë Senatin dhe tentuar krijimin e grupit vetëm të tij. Dhe rezultati i zgjedhjeve të qershorit për Këshill Drejtues i befasoi të gjithë!”, ka shkruar Rexha në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, tani duhet të ndodhë shpërbërja e këshillit dhe e senatit në mënyrë që universiteti të shkojë në zgjedhje të reja.

Ai ka vlerësuar se vetëm zgjedhjet e reja do të mund t`i ngrenë më tej standardet akademike në këtë institucion.

Andaj, nëse qëllimi i vërtetë dhe i sinqertë i këtij Këshilli Drejtues është përmirësimi i përformancës së Universitetit të Prishtinës, do të duhej të bënte edhe dy shkarkime/shpërbërje: (1) të shpërbëhet Senati i Universitetit, dhe (2) shpërbërja e Këshillit Drejtues – me një fjali: Universiteti i Prishtinës duhet të shkojë në zgjedhje të përgjithshme, sepse, siç ka thënë Albert Einstein, ‘Insanity is doing the same thing, over and over again, but expecting different results.’ Tani ka ardhë koha që në zgjedhjet e reja të ngrihen edhe më tej standardet akademike për t'u zgjedhur profesor, anëtar i senatit, dekan, anëtar i Këshillit Drejtues dhe rektor i universitetit. Këtë ia kemi borxh Universitetit të Prishtinës, ia kemi borxh të ardhmes së fëmijëve tanë!”, ka shkruar ai.

Këtë qëndrimin e ka përkrahur edhe ish-rektori i UP-së, Arsim Bajrami.

Duke komentuar në statusin e Rexhës, Bajrami ka përmendur situata të njëjta që ka pasur, kur ai ka qenë ministër i Arsimit.

Të përgëzoj prof për shkrimin. Të kujtohet se edhe në vitin 2015 Këshilli Drejtues, si rezultat i grupeve të interesit kishte shkarkuar Rektorin e UP-së. Madje edhe një anëtar i emëruar nga unë kishte votuar pro këtij shkarkimi. Ky shkarkim ishte i kundërligjshëm. Si ministër menjëherë kam anuluar ketë shkarkim të kundërligjshëm, duke kthyer Rektorin në zyre dhe kam shkarkuar kryesuesen e KD, e cila kishte përkrahjen e partisë sime. Besoj se ju kujtohet përbërja e KD të emëruar nga unë, të gjithë personalitete akademike me reputacion ndërkombëtar”, ka shkruar Bajrami.

Sipas tij, edhe tani në universitet duhen zgjedhje të ngjashme.

Për të evituar luftën e ashpër të grupacioneve, tërë UP-në gjatë vitit 2015 e çova në zgjedhje të jashtëzakonshme. Pajtohem me propozimin tënd, se edhe tani në situatën e krijuar duhet një zgjidhje e ngjashme, sepse grupet e interesit që tradicionalisht fshihen pas partive politike po bëhen gati për betejën për rektorin e ri”, ka shkruar Bajrami.

Në debat është kyçur edhe profesori dhe ish-zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, duke uruar që veprimet e Këshillit Drejtues të UP-së të mos jenë të motivuara politikisht.

Uroj: 1. Që ky vendim i Këshillit të mos jetë i motivuar politikisht; 2. Që Këshilli të këtë vullnetin dhe forcën të kthejë UP-në në një institucion normal të arsimit të lartë; 3. Që Këshilli të punojë që të vendosen kritere të shëndosha dhe të krijohen kushte për zgjedhje të pamanipuluara në të gjitha nivelet e UP-së brenda një viti; 4. Që organizatat studentore te merren me çështje e zgjedhje studentore e jo me manipulimin e zgjedhjeve te organeve akademike, menagjuese, e shkencore te Universitetit. Uroj të jetë një fillim për së mbari. Uroj që partitë të ndihmojnë e jo të ndërhyjnë për ta ndarë 'piten'", ka shkruar ai, duke u shprehur se nuk është optimist që do të ndodhin të gjitha këto.

Vështirë se diçka mund të ndryshojë në UP

Drejtori i Organizatës ORCA, Rron Gjinovci, është shprehur pesimist se në Universitetin e Prishtinës do të mund të ndodhë diçka e mirë pas shkarkimit të rektorit.

Duke komentuar në statusi e Blerim Rexhës, ai ka thënë se nuk mund të priten gjëra të mira derisa në Këshill Drejtues janë njerëzit plagjiatorë.

Në Këshill Drejtues janë Selim Bezeraj - plagjiator dhe infamozi Rifat Krasniqi. Nga radhët e 5 vetave te Senatit këta kanë qenë më të votuarit. A po ua merr mendja që ka brum në Këshill Drejtues me bë gjana për të cilat po folni ju të dy a?”, ka shkruar Gjonvci.

Në mbledhjen e djeshme, Këshilli Drejtues i UP-së, me 8 vota “për” dhe një abstenim e ka shkarkuar Naser Sahitin nga detyra e rektorit të universitetit.

Në të njëjtën mbledhje, ky këshill e ka caktuar si ushtruese të detyrës së rektores së UP-së Luljeta Plakolli-Kasumin. Kjo e fundit është kushërira e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Gjithashtu, ajo ishte edhe njëra nga financueset e fushatës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje.

Anëtarë të Këshillit Drejtues të UP-së, që e kanë marrë vendimin për shkarkimin e rektorit janë: Altin Sahiti, Arbëresha Nela-Turjaka, Hajrullah Koliqi, Azem Hajdari, Naser Kabashi, Selim Bezeraj, Arian Krasniqi, Rifat Krasniqi e Arta Shehu-Zaimi.

Selim Bezeraj dyshohet se ka kryer plagjiaturë në temën e tij të doktoratës, të mbrojtur në Universitetin e Tiranës.

Më saktësisht, dyshohet se në temën e tij të doktoratës ka bërë plagjiaturë me temën e diplomës së një studenti austriak, Adam Christian, në Universitetin e Vjenës.

Lajme të ngjashme