Smajljaj pas fjalimeve në mbledhjen e kuvendeve: Pranimi i realitetit është hapi i parë për çfarëdo ecje tutje
Politologu, Avdi Smajljaj duke reaguar për fjalimet në mbledhjen e përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, ka thënë se hapi i parë për të ecur përpara është pranimi i realitetit.
Smajljaj thotë se udhëheqësit duhet ta kuptojnë që arritje si komb mund të rriten, por fillimisht duhet pranuar që ka mangësi në funksionalitetit të shtetit e institucioneve si dhe në fusha të tjera.
“Përndryshe do të vetë-mjaftohemi me citime demagogjike historike, e do të vazhdojmë të jemi afër ose anëtarë të organizatës së shteteve të dështuara, derisa të shpopullohemi tërësisht si vende.”, ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.
Shkrimi i plotë:
Ne mund të shënojmë arritje si komb(e) e shtet(e) duke e kuptuar e pranuar fillimisht që jemi keq sa i përket funksionalitetit të shtetit e institucioneve, sundimit të ligjit, demokracisë, lirisë, të drejtave të njeriut, përgjegjësisë e llogaridhënjes politike, arsimit, shëndetësisë, ekonomisë, sigurisë, e të gjitha politikave tjera.
Mbi të gjitha duhet kuptuar e pranuar se në historinë moderne, rrethanat e jashtme nuk kanë qene asnjëherë më në favor tonin, e potenciali i brendshëm nuk ka qenë më i madh, por shfrytëzimi i tyre brenda në të mirën e përbashkët nuk ka qenë asnjëherë më i cekët.
Pranimi i realitetit është hapi i parë e i domosdoshëm për çfarëdo ecje tutje.
Përndryshe do të vetë-mjaftohemi me citime demagogjike historike, e do të vazhdojmë të jemi afër ose anëtarë të organizatës së shteteve të dështuara, derisa të shpopullohemi tërësisht si vende.
