Smajljaj: Ata që kundërshtojnë rritjen e pagave për mësimdhënës janë servilë të pushtetit
Profesori universitar Avdi Smajljaj ka kritikuar ata që deklarohen kundër rritjes së pagave për mësimdhënësit.
Ai ka thënë se të tillët janë servil të pushtetit.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka pyetur se nëse mësimdhënësit nuk meritojnë rritje pagash, atëherë cili deputet apo ministër meriton pagën aktuale.
Postimi i tij i plotë:
Nëse mësimdhënësit nuk meritokan rritje të pagave për shkak të cilësisë së ultë në arsim, atëherë pse i meritokan këto paga që marrin tani, pse nuk u ndalen edhe këto paga si penalizim? Pse parashihet të u rriten pagat me projektligjin e ri?
Mësimdhënësit universitar a i meritokan pagat e majme? A ka cilësi në këtë nivel të shkollimit? Madje ka prej tyre që dalin kundër rritjes së pagave të mësimdhënësve në nivelet më të ulta!
Servil lind, nuk bëhesh. Nuk ka shpjegim tjetër kjo qasje.
Cili ministër, cila ministre në të gjitha qeveritë e paska merituar dhe e meritoka pagën?
A e meriton pagën ministrja e Arsimit?
Cili deputet, cila deputete, në të gjitha legjislaturat e paska merituar, dhe e meritoka pagën?
Cili aktivist i organizatave të shoqërisë civile meritoka pagën?
Ku, në cilin sektor ka cilësi?
Për mungesë të cilësisë në arsim, dhe performancë të dobët të mësimdhënësve drejtojeni gishtin nga bërësit e politikave të arsimit, përfshi politikave të burimeve njerëzore në nivel lokal e qendror, jo nga Sindikatat.
Me fjalë tjera kërkojeni fajtorin, nëse vërtetë iu intereson, te partitë politike që kontrollojnë gjithçka edhe në arsim, deri te caktimi i rojes së shkollës, që mund të ketë vetëm 5 nxënës, si marrëveshje e koalicionit.
Ndër problemet e mëdha që ka kjo shoqëri është mungesa, e jo prezenca e grevave, pafuqia e sindikatave dhe organizmave tjerë ku qytetarët organizohen ndër të tjera për të mbrojtur interesat e tyre.
Greva aktuale në arsim më së shumti i shërben qeverisë aktuale, për ta mbuluar dështimin e saj në arsim, duke e keq definuar problemin në arsim, dhe duke e reduktuar problemin në arsim te sindikatat, për më tepër tek një individ,në ketë rast z. Rrahman Jashari.
Sikur mos të kishte greva, a do të përmirësohej cilësia në arsim?
Çka janë duke bërë antisindikalistat/antigrevistat/antirrahamanjasharistat që të përmirësohet cilësia në arsim?
Asgjë.
Për një kohë njeriu mundet ta mashtroj edhe vetveten, por jo gjatë.