Hulumtim | Shkretëtira e thatësisë: shkatërrimi i rrjedhave ujore në Prishtinë
Dy lumenjtë e vegjël, Prishtinën dhe Vellushën, kryeqyteti i ‘humbi’ tash e disa dekada më parë për shkak të ndotjes e kundërmimit të padurueshëm. Diku u mbuluan me beton e diku tjetër u bënë të nëndheshëm me gypa e kanale. Te Emshiri, ata dalin sërish në dritë bashkë me ujërat e zeza të krejt qytetit. Edhe dy rrjedha të vogla ujore, njëra e njohur si Prroni i Kolovicës e tjetra si Prroni i Zllatarit, janë në shuarje e sipër. Ndryshimi i rrjedhave natyrore, ndërtimet e pandërprera afër Gërmisë dhe tjetërsimi i peizazheve kanë lënë pas vete hapësira pa biodiversitet. Në mars të këtij viti, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor u zotua se do t’ua rikthente shtratin natyral lumenjve dhe rrjedhave ujore në vend. Por, organizatat mjedisore tërheqin vërejtjen se sistemi demografik është buzë katastrofës ekologjike. “Prishtina nuk mund të vazhdojë të humbasë rrjedhat e saj të pakta ujore. Këto rrjedha duhet të mbrohen si infrastrukturë natyrore e qytetit, jo të trajtohen si pengesë për ndërtim”, ka thënë Krenare Salihu, drejtoreshë e organizatës joqeveritare ‘ECOPANA’.
21 maj 2026 – Rrjedha malore nuk e ka mpakur ujin as kah gjysma e majit.
Me t’u larguar nga shtëpitë e fundit të Kolovicës, gurgullima e përroit dëgjohet gjithnjë e më shkoqur.
Midis vegjetacionit të harlisur pranveror, ky përrua çan rrugën e vet të lashtë drejt jugut.


Burimi i tij është te shpatijet e pyllëzuara të Makocit dhe zbret luginës së ngushtë drejt Kolovicës.
Në një trevë të varfër për nga resursi më i çmuar për jetë, ky përrua është nga një nga dejtë e paktë ujorë në Prishtinë.
Një rrjedhë tjetër sezonale, që vjen nga ana e djathtë, tashmë ka humbur edhe gjurmët e shtratit natyror.
Asfaltimi i një rruge e ka mbuluar me beton e lëndë të tjera.

Shkretia e shkatërrimit
Gjatë gjithë kohës, buldozerë, kamionë e makineri e rëndë mësyjnë drejt ‘Lagjes së Gjelbër’ në Kolovicë, një kompleks shtëpish në varg.
Lagje luksoze dhe natyrë e shkatërruar përreth është pamja e trishtë e periferisë së Prishtinës ku po jep frymën e fundit një pjesë e ekosistemit.
Sasia e paktë e ujit të Përroit të Kolovicës është duke u rrezikuar edhe në pjesët e epërme të tij nga ndërtimi i komplekseve të reja me villa.

Buldozerë kanë shkulur me rrënjë pjesë të tëra të pyllëzuara dhe shtrati natyror i rrjedhës është ndryshuar në plot vende.
‘Aura residence’ është një tabelë llamarine që tregon për punimet në anën e majtë të monopatit malor që ngjitet drejt Makocit dhe Butocit.


Në një pjesë të caktuar, shtrati i përroit është zëvendësuar me gypa të trashë plastike që gati janë mbyllur nga mbeturinat e dhéu.
Nga ndërhyrjet e vrazhda me makineri të rëndë, sasia e ujit vende-vende duket aq e paktë sa tretet midis masës së dhéut.


Lumenjtë e ‘zhdukur’ të Prishtinës
Për nga sasia e ujërave natyrore, treva e Prishtinës vlerësohet si më e varfëra në vend dhe më gjerë.
Para se të fitonte llagëpin si ‘qytet pa lum’, Prishtinën e përshkonin dy lumenj të vegjël.
Në një gjatësi 15 kilometërshe nga burimi gjer në vendderdhje, lumthi Prishtina zë fill në masivin malor të Gallapit në verilindje të kryeqytetit, te kodrinat e fshatit Grashticë.
Lumthi Vellusha buron nga kodrinat e Gërmisë duke zbritur drejt Sofalisë e Taukbashçes.
Prej vendburimit e deri kur bashkohet me lumthin Prishtina, ai ka një gjatësi prej afër 7 kilometrash.

Përvijëzim nga ajri i rrjedhës së dy lumenjve deri te bashkimi afër stadiumit të qytetit. Rrjedha që vjen nga veriu është lumthi Prishtina, ajo që vjen nga krahu lindor është Vellusha.
Si pjesë e pellgut ujëmbledhës të Prishtinës që zbraz ujërat në Sitnicë janë edhe dy rrjedha ujëpakta, si Prroni i Kolovicës dhe Prroni i Zllatarit.
Kur udhëpërshkrues të huaj mbërrinin në Prishtinën e fundshekullit të 19-të, ata vinin re edhe dy lumenjtë që gjatë verës mpakeshin gjer në tharje.
Megjithatë, sasia e ujërave dhe rrjedhave të tjera në Prishtinë ishte e mjaftueshme sa për të bërë të mundura aktivitete që sot janë të shuara.
Kur e vizitoi Prishtinën më 1886, piktori çek Vladislav Titelbach skicoi edhe një mulli që vihej në lëvizje nga sasia e ujërave të mbledhura.
Gypat që ‘vrasin’ lumenj
Ekspertët mjedisorë shpesh tërheqin vërejtjen për mbylljen e rrjedhave natyrore të ujërave nëpërmjet kanaleve, gypave e strukturave të tjera nëntokësore.
I njohur si ‘culverting’, ky proces që prek shtratin e ujërrjedhave shpesh shkakton dëme të pakthyeshme ekologjike.


Gypat dhe kanalet e betonta e kafshojnë një pjesë të madhe të habitatit natyror duke asgjësuar vegjetacionin dhe jetën e gjallesave ujore.
Sipas hidrologëve dhe ekspertëve mjedisorë, ndryshimi artificial i rrjedhave dhe zvogëlimi i oksigjenit e cënon rëndshëm qarkullimin e jetës amfibe.


Shteti ka institucione, por institucionet s’bëzajnë
NACIONALE është përpjekur më kot të marrë përgjigjje për gjendjen e degraduar të Përroit të Kolovicës nga ndërhyrjet dhe ndërtimet e reja.
Gazeta ka kërkuar nga institucionet përkatëse në nivel qendror nëse janë në dijeni të ndërhyrjeve dhe nëse ka pasur deri më tani inspektime.
Në nivel institucional, Kosova ka një numër absurdisht të lartë agjencionesh, departamentesh e divizionesh që thirren në mbrojtjen e ujërave.

Një kërkim në faqen e Sistemit Ujor të Kosovës jep një numër të madh institucionesh: Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore, Divizioni për Menaxhimin e Resurseve Ujore, Divizioni për Planifikimin e Resurseve Ujore, Departamenti për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ujërave, Divizioni për Ujëra dhe Inspektoriati i Mbrojtjes së Ujërave.
NACIONALE ka kontaktuar gjatë javës edhe Drejtorinë e Parqeve në Komunën e Prishtinës, Inspektoriatin Mjedisor dhe Ndërmarrjen Publike Komunale ‘Gjelbër’, por as ato nuk i janë përgjigjur interesimit të gazetës.
‘Rikthimi’ i lumenjve në shtratin e tyre
Më 10 mars të këtij viti, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) mori vendim për nisjen e procesit për rikthimin e rrjedhës së lirë natyrore të lumenjve në vend.
Me këtë rast ishte thënë se ky proces do të fillonte me identifikimin dhe largimin shkallë-shkallë të pengesave në shtretërit e lumenjve, si diga të vogla, pragje e struktura të tjera të vjetëruara.
Ideja e projektit, sipas MMPH-së, ishte përmirësimi i cilësisë së ujit, rikthimi i migrimit natyror të faunës ujore dhe zvogëlimi i rrezikut nga përmbytjet.
Më 8 prill, po kjo ministri kishte nxjerr vendimin tjetër sipas të cilit ndalohet betonimi i shtratit të lumenjve.
“Rruga e Kosovës drejt lumenjve me rrjedhë të lirë”
Tash së mbrami, organizata për mbrojtjen e mjedisit ‘ECOPANA’ ka shpalosur projektin “Kosovo’s Path to Free-Flowing Rivers: Foundational Inventory for the White Drin Dam Removal”.
I përqendruar në pellgun e Drinit të Bardhë, duke identifikuar e dokumentuar pengesat e atyshme artificiale, projekti ka vënë si synim rritjen e vetëdijes ekologjike.
Edhe nëpërmjet një dokumentari të shkurtër, projekti ka tundur këmbanat e alarmit sesi ndërhyrjet po shkatërrojnë habitatet natyrore, po e ndryshojnë regjimin natyror të rrjedhës së ujit dhe po ndikojnë në cilësinë e ekosistemeve dhe në biodiversitet.
Në një bisedë për NACIONALE-n, drejtoresha ekzekutive e organizatës ‘ECOPANA’, Krenare Salihu, ka thënë se edhe rrjedhat e vogla ujore, përrenjtë, vijat ujore sezonale e degët e tjera anësore kanë rëndësi të madhe në funksionimin e gjithë sistemit ujor.

Sipas saj, ato nuk duhen konsideruar si hapësira të parëndësishme apo si kanale që mund të mbulohen, devijohen apo betonizohen sipas nevojave të ndërimit.
“Përkundrazi, këto rrjedha luajnë rol të rëndësishëm në kullimin natyror të ujërave atmosferike, furnizimin e lumenjve më të mëdhenj, ruajtjen e lagështisë së tokës, mbrojtjen nga vërshimet, mbështetjen e biodiversitetit dhe lidhjen ekologjike mes habitateve”, ka thënë Salihu.
Evidentimi i çdo rrjedhe ujore
Në të vërtetë, humbja e rrjedhave të vogla ujore krijon pasoja zinxhirore për gjithë sistemin ujor.
Sipas Salihut, degradimi në Kosovë nis pikërisht te rrjedhat e vogla, sepse ato janë më pak të dukshme, më pak të mbikëqyrura e më lehtë të prekura nga ndërtimet, mbulimet, kanalizmet apo devijimet pa kontroll të duhur institucional.
“Çdo përrua, vijë ujore dhe rrjedhë natyrore është pjesë e ekosistemit dhe duhet të evidentohet, mbrohet dhe trajtohet si element i rëndësishëm i menaxhimit të ujërave dhe territorit”, ka thënë ajo duke shtuar se mbrojtja e lumenjve nuk mund të kufizohet vetëm te lumenjtë e mëdhenj.
Uji përballë trysnisë urbane
Megjithëse të vegjël, dy lumenjtë, Vellusha e Prishtina, i shkaktonin jo rrallëherë zarare të mëdha lagjeve të qytetit.
Vërshimet e shpeshta, ndotja dhe sëmundjet bënë që organet lokale ta zgjidhnin këtë hall duke i mbuluar ata.
Kështu, në vitet ‘50 u bë mbulimi i një pjese të Vellushës, kurse në fund të viteve ‘70 u mbulua pothuajse pjesa më e madhe e lumthit Prishtina.

Në ‘ECOPANA’ besojnë se çdo përrua apo vijë ujore ekzistuese duhet të trajtohet me kujdes maksimal.
Dhe kjo gjë, sipas tyre, bëhet më e mprehtë kur kujtohet rrethana që Prishtina e rrethepërqarku i saj kanë mungesë të theksuar burimesh ujore.
“Në një qytet ku urbanizimi është shumë i shpejtë dhe presioni mbi hapësirat natyrore është i madh, humbja, mbulimi apo devijimi i rrjedhave ujore është problem serioz mjedisor, urban dhe ligjor”, ka thënë Salihu.
Janë afër Gërmisë...
Duke folur mbi shqetësimet e ngritura për Përroin e Kolovicës dhe atë të Zllatarit, ajo ka vlerësuar se duhet të ketë masa urgjente që duhet të fillojnë me verifikim të plotë të gjendjes në terren.
Kështu, sipas saj, do të konstatohej qartë nëse ka ndërhyrje në shtrat të rrjedhës, mbulim, devijim, betonizim, dëmtim të vegjetacionit apo punime pa leje përkatëse.

Salihu ka kujtuar se dy rastet në fjalë kërkojnë trajtim të menjëhershëm edhe për shkak të faktit se ndodhen pranë Gërmisë e cila me ligj është Peizazh i Mbrojtur dhe i takon kategorisë së V-së sipas IUCN-së.
“Çdo ndërhyrje brenda ose në afërsi të kësaj zone duhet të shqyrtohet me kujdes të veçantë, sepse nuk kemi të bëjmë vetëm me çështje ndërtimi apo infrastrukture, por me një zonë me rëndësi ekologjike, rekreative dhe publike për qytetin”, ka shtuar ajo.
Betejat mjedisore midis fitoreve dhe humbjeve
Gërmia e ekosistemi i saj në këto vite janë vënë përballë rreziqesh të vazhdueshme.
Një i tillë kishte qenë edhe nisma për ‘Parkun e Aventurave’ në Gërmi.
Pasi ky rast mori udhën drejt organeve të drejtësisë, me ç’rast aktivistë mjedisorë dhe organizata të shoqërisë civile e kishin kundërshtuar ashpër projektin e Komunës së Prishtinës, Gjykata konstatoi se ndërhyrja kishte qenë e jashtëligjshme dhe me ndikim në mjedis.
Për këtë ndërhyrje ishte thënë se prekte edhe një rrjedhë ujore dhe dëmonte vlerat natyrore të Gërmisë, sidomos bashkësitë e ahut që përbëjnë ndër vlerat më të rralla ekologjike e peizazhore të vendit.
Kjo fitore e grupeve dashamire ndaj mjedisit u ndjesua si zemërdhënse për aktivistët që mbrojtja ligjore e Gërmisë nuk është vetëm teori, por edhe diçka që mund të zbatohet.
“Prishtina nuk mund të vazhdojë të humbasë rrjedhat e saj të pakta ujore. Këto rrjedha duhet të mbrohen si infrastrukturë natyrore e qytetit, jo të trajtohen si pengesë për ndërtim”, ka thënë Salihu.
Nëse do të funksiononte ligji
Në ‘ECOPANA’ kanë thënë se institucionet duhet ta trajtojnë me seriozitet të plotë secilën ndërhyrje në rrjedha ujore, sidomos kur bëhet lidhja me rrugë, lagje të reja apo zhvillime ndërtimore.
Sipas drejtoreshes Salihu, kurdo që konstatohet se ka shkelje ligjore, atëherë çështja duhet të ndiqet deri në fund përmes procedurave administrative e ligjore.
Ndër masat urgjente, sipas saj, duhet të jetë sqarimi i plotë ligjor e teknik i secilës ndërhyrje të dyshimtë, inspektimi urgjent në terren, publikimi i lejeve dhe dokumentacionit përkatës, hartëzimi të të gjitha rrjedhave ujore në territorin e Prishtinës, ndalimi i betonizimit dhe mbulimit të përrenjve, si dhe një plan për restaurimin e atyre rrjedhave që janë degraduar.
Shembulli nga Drini i Bardhë
Me mbështetjen e Open Rivers Programme, ‘ECOPANA’ tashmë ka kryer inventarizimin e parë sistematik të pengesave artificiale në pellgun e Drinit të Bardhë.
Plani fillestar kishte qenë që të dokumentoheshin rreth 70 pengesa në gjashtë lumenj, por më pas projekti ishte zgjeruar edhe në dy lumenj të gjatë pa kosto shtesë.

Pas realizimit të vizitave ishin konfirmuar 142 pengesa që ndikojnë në rrjedhën natyrore të lumenjve.
Në raport ishin përfshirë të dhëna për lokacionet, tipologjinë e pengesave, gjendjen fizike, ndikimet në rrjedhë, potencialin për largim dhe prioritetet për veprim të mëtejshëm.
Tutje, raporti ishte bashkëshoqëruar edhe me të dhëna gjeohapësinore, harta, fotografi dhe materiale teknike që mund të ndihmojnë institucionet në vendimmarrje.
Hulumtimi i 2018-s: Ndotje përtej parametrave mikrobiologjikë
Porse, raporti në fjalë nuk e mbulon gjithë Kosovën e as nuk e trajton veçanërisht Prishtinën.
Sipas drejtoreshës Salihu, “nevojitet një inventarizim i veçantë dhe urgjent nga institucionet përgjegjëse” për rajonin e Prishtinës e për rrjedhat e Vellushës, Prishtinës, Përronit të Kolovicës, Përronit të Zllatarit dhe vijave të tjera ujore.

Kur më 2018 u sipërmor një hulumtim nga ekspertë vendorë, bazeni i lumthit Prishtina rezultoi me një kontaminim relativisht të lartë si pasojë e derdhjes së ujërave të zeza.
Nëse në rrjedhën e epërme kishte ujë deri-diku të cilësisë së mirë, ndotja përgjatë rrjedhës së mesme e asaj të poshtme tejkalonte parametrat e lejuar mikrobiologjikë.
Edhe Përroi i Zllatarit në hall
Pos Përroit të Kolovicës, edhe ai i Zllatarit, në krahun juglindor të Gërmisë, përballet me fat të njejtë.
Mu të burimi i tij është ndërtuar prej vitesh një shtëpi private.


Me sasi shumë më të paktë të ujit sesa rrjedha e Kolovicës, kjo vijë ujore duket se është dëmtuar po kaq edhe nga asfaltimi i rrugës së re Zllatar-Matiqan.
Rrjedha e saj është futur në gypa të nëndheshëm që, sipas standardeve mjedisore, nuk i përgjigjen mbrojtjes së resursit ujor.


Që të shmanget katastrofa...
Gjendja e tashpërtashme e lumenjve në vend, sipas Salihut, është tepër shqetësuese.
Shumë prej tyre përballen me ndërhyrje fizike në shtretër, me betonizim, ndërtime pranë brigjeve, mbeturina, shkarkime ujërash të zeza dhe zhdukje të vegjetacionit.
“Në shumë raste, dëmi ndodh gradualisht dhe pa reagim të menjëhershëm institucional, derisa rrjedhat ujore humbin funksionin e tyre natyror”, ka shtuar Salihu.

Një inventor i tillë, sipas tyre, do të shërbente si bazë për mbrojtje ligjore, planifikim hapësinor, restaurim ekologjik si dhe parandalim të ndërhyrjeve të dëmshme.
“Qasja ndaj lumenjve në Kosovë duhet të ndryshojë. Lumenjtë dhe përrenjtë nuk janë hapësira të lira për betonizim, ndërtim apo kanalizim”, ka përfunduar Salihu. “Ata janë ekosisteme të gjalla dhe pjesë thelbësore e sigurisë ujore, biodiversitetit dhe cilësisë së jetës në vend.”
Një histori e ujit në Prishtinë
Sotpërsot, Prishtina dhe rajoni i saj furnizohen me ujë nga dy liqenet artificiale, në Badoc dhe Batllavë.
Sipas një të dhëne, 92 për qind e popullatës në kryeqytet e marrin ujin nga këta dy rezervuarë që më pas trajtohet nga Fabrika e Ujit në Shkabaj.
Deri në vitet ‘60, Prishtina e merrte ujin kryesisht nga puse pranë Gërmisë dhe Kolovicës. Në fundvitet ‘60, ujësjellësi i ri e sillte ujin nga liqeni i krijuar në Badoc nga mbyllja me pendë e lumthit Graçanica.
Disa vite më vonë, pas ndërtimit të një ujëmbledhësi të ri, Prishtina e popullata e saj u furnizuan me ujë edhe nga Liqeni i Batllavës. /Nacionale/