Rrahman Jasharaj dëshiron nisjen e mësimit të hënën, kërkon që Qeveria të mos shkojë në pushime për vikend
Rrahman Jasharaj, kryetar i Këshillit Grevist të BSPK-së, ka ndarë qëndrimet e tij në lidhje me mundësinë që të hënën të nis procesi mësimor në shkollat publike. Kreu i SBAShK-ut nuk duket i lëkundshëm në qëndrimet e tij derisa kërkon punë edhe për dy ditët e vikendit.
I pyetur nëse mund të nis mësimi prej të hënës, Jasharaj është shprehur si vijon:
“Gjithçka i mbetet anëtarësisë të vendosë dhe unë nuk jam në gjendje dhe nuk e kam atë autorizim të them se çka do të ndodhë në javën e ardhshme. Jemi në komunikim të vazhdueshëm dhe se çfarë do të ndodhë për momentin e them se është grevë dhe pa dialog të mirëfilltë kam frikë se situata do të mbetet e tillë. I mbetet anëtarësisë të vendosë,”- është shprehur mësimdhënësi Jasharaj për median FrontOnline.
Ai ka kërkuar punë në lidhje me çështjen nga ana e Qeverisë së Kosovës gjatë dy ditëve të vikendit.
“Urojmë që ky vikend të mos jetë i pushimit as për ne e as për Qeverinë, por që të ulemi e të bisedojmë ne mënyrë që ta gjejmë një zgjidhje për ta tejkaluar këtë situatë, çfarë do të ndodhë nga e hëna e tutje i mbetet të vendosë anëtarësia e SBAShK-ut dhe grevistët tjerë që janë në grevë,” – është përgjigjur kryesindikalisti.
Mësimi deri tash ka nisur në disa shkolla të komunës së Gjakovës, derisa së fundi edhe gjimnazi “Hivzi Sylejmani” është raportuar të ketë filluar mësimin.
Sidoqoftë, shumica e shkollave dhe mësimdhënësve vijojnë të mbesin prapa Jasharajt përkundër shumë e shumë linçimeve që i kanë ardhur atij nga eksponentë të ndryshëm të pushtetit, përfshirë kryeministrin e vendit.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, si masë presioni ndaj grevistëve ka përmendur madje edhe orët e mësimit që janë humbur duke i mbledhur të gjitha bashkë. Para disa ditësh ajo u shpreh se janë bërë 300 mijë orë të humbura deri tash.
Greva e Përgjithshme është shpallur më 25 gusht nga punëtorët e sektorit publik, por ajo bëri bujë të madhe veçanërisht më 1 dhe 2 shtator kur pritej të niste viti i ri shkollor.
Qeveria tashmë e ka vënë në diskutim publik Projekt-Ligjin e ri të pagave, por i cili po kritikohet ashpër nga akterë të ndryshëm të shoqërisë civile.

