Rastet e shpeshta të pedofilisë, dukuri alarmuese në Kosovë - NACIONALE

Rastet e shpeshta të pedofilisë, dukuri alarmuese në Kosovë

1 vit më parë

nga Halim Kafexholli

Shfrytëzimi apo ngacmimi seksual i fëmijëve nuk është shumë shpesh temë debati në Kosovë, megjithatë, kohëve të fundit, raportimet në media kanë alarmuar opinionin publik.

Në fund të muajit që lamë pasë, u raportua se si një fëmijë gjashtë vjeçar ishte viktimë e ngacmimit seksual në Prishtinë.

Siç kishin mësuar mediat, personi i cili dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur (6-vjeçare), është mbi 50 vjeç, dhe i njëjti është pronar i një marketi në një lagje të Prishtinës ku jeton edhe vajza.

Sipas burimeve, dy dëshmitarë, teksa kishin hyrë spontanisht në dyqanin e të dyshuarit, e kanë parë atë derisa abuzonte seksualisht me të miturën.

Pas raportimit të dëshmitarëve në polici, i dyshuari ishte arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Statistikat

Gazeta Nacionale ka kontaktuar Policinë e Kosovës rreth rasteve të vitit të kaluar dhe gjashtë mujorin e këtij viti, mirëpo Zyra për Informim i ka thënë gazetës se nuk kanë statistika të veçanta të shfrytëzimit seksual për personat në bazë të moshës. Policia ka dërguar vetëm të dhëna për veprën penale të nenit 235 të Kodit Penal të Kosovës, siç është “Ofrimi i lokaleve për prostitucion”. Dhe siç thuhet në përgjigjen e tyre, pa marrë parasysh moshën e viktimave, vitin e kaluar ishin 18 raste të kësaj natyre, ndërsa këtë vit janë dy raste.

Mirëpo, në raportimet e mëhershme të mediave, sipas policisë janë raportuar 92 raste të referuara si “ngacmime seksuale”, ndaj të miturve, brenda një viti e gjysmë në Kosovë.

Pas rastin në Prishtinë, statistikat e policisë tregonin se gjatë vitit 2021 janë inicuar 54 raste, kurse për vetëm gjashtë muajt e parë të vitit 2022, u inicuan 38 sosh.

Marrëdhëniet seksuale me personat nën moshën 16-vjeçare dënohen sipas Kodit Penal të Kosovës, mirëpo në Kodin e Ri penal nuk përmendet decidivisht termi pedofili, ndonëse keqpërdorimi seksual me të mitur është në mesin e veprave më të rënda penale, e që dënohet deri në 20 vjet burg.

Sipas Avokatit Musa Damati, kjo lloj vepre është ndër më të shpeshta në praktikat gjyqësore të Kosovës.

“Veprat penale nga kapitulli i keqpërdorimeve seksuale janë veprat penale ndër më të përhapurat dhe më të shpeshtat në praktikën gjyqësore të Kosovës, dhe si të tilla me kategorinë e veprave penale të narkotikëve, prinë në praksën gjyqësore të Kosovës”, thotë Demati për Nacionalen.

Sipas avokatit, infrastruktura ligjore në Koosvë e mirërregullon këtë çështje, duke paraparë dënime të larta për kryersit e kësaj vepre, mirëpo sipas tij, defekti qëndron tek mosfunksionimi adekuat i gjykatave.

“Legjislacioni penal e rregullon mirë këtë materie duke parashikuar sanksione të larta penale për autorët e tyre, por problemi qëndron në atë se politika ndëshkimore e gjykatave të Kosovës në disa raste nuk i trajton me prioritetin e duhur, dhe në këtë segment ka nevojë për ngritje të kapaciteteve profesionale”, mendon Damati.

Çka është pedofilia?

Sipas teorive psikologjike, pedofilia konsiderohet si çrregullim psikoseksual që prek përgjithësisht të rriturit, i karakterizuar nga interesi seksual për fëmijët.

Psikologu Irfan Kadriu thotë pedofilia klasifikohet në grupin e çrregullimeve parafile tek personat që tëhiqen seksualisht nga fëmijët.

Pedofilët mund të tëhiqen nga fëmijët e vetëm një seksi ose nga fëmijët e secilit seks. Takimet seksuale mes individeve me çrregullim pedofilik dhe fëmijëve janë traumatike për këta të fundit e ku shpesh përfshihet edhe dhuna apo kërcënimi”, thotë Kadriu, i cili mendon që shumica e pedofilëve janë meshkuj.

Sipas tij, çrregullimet pedofilike janë të paqarta, mirëpo siç spjegon ai, sjellja pedofilike ndërlidhet shpesh me abuzimin seksual ose neglizhencën e përjetuar gjatë fëmijërisë.

“Motivet psikologjike në këto raste janë komplekse, ato mund të përfshijnë dëshirën për të ndëshkuar, për të provuar aftësinë seksuale apo dëshirën për të lënduar. Reagimet psikologjike gjithashtu dallojnë, mirëpo zakonisht përfshijnë ndjenjën e turpit, frikës, zemërimit apo konfuzitetit”, thotë Kadriu.

Psikologu thotë se shkelësit seksualë shpesh janë familja, miqtë apo të afërmit e viktimave të tyre.

Praktikat parandaluese

Si një ndër masat më të rëndësishme për parandalimin e abuzimit seksual të fëmijëve dhe pedofilinë konsiderohet edhe regjistrimi i personave të dënuar për këto vepra në një regjistër të posaçëm. Kjo është një praktikë e gjerë në shumë shtete, që nisi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e më pas edhe në vende të tjera të Evropës. Qëllimi i ekzistimit të regjistrave të këtillë është njoftimi i publikut të gjerë me të dhënat e personave të dënuar më parë për abuzim seksual të fëmijëve, me qëllim të mbrojtjes së viktimave potenciale nga personat e tillë.

Amerika, Britania e Madhe, disa vende evropiane dhe së fundi Maqedonia e Veriut kanë aplikuar regjistrin ‘online’ për pedofilë, si masë preventive për mbrojtjen seksuale të fëmijëve. Këta regjistra me qasje të lehtë, ‘online’, për banorët e shtetit përkatës mbledhin të dhënat personale të personave që kanë kryer vepra penale me të mitur, duke i bërë publike të dhënat e tyre në mënyrë që të mbrohen fëmijët dhe familjet nga sulmet potenciale të pedofilëve.

Lajme të ngjashme