Rastet e dhunimit e ngacmimeve seksuale që e tronditën Kosovën për pak javë
Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë, sidomos ndaj grave, ka marrë përmasa shqetësuese.Të premten mbrëma, alpinistja Mrika Nikqi ka publikuar një video ku shihet duke u sulmuar seksualisht nga një person në një rrugicë në qytetin e Pejës. Ajo ka treguar se sulmi ka ndodhur më 27 shtator në orët e mbrëmjes.
Nikqi ka deklaruar se është në gjendje të rëndë emocionale dhe se detaje tjera për rastin pritet të japë shpejt. E vendi ditë më parë u trondit edhe nga dhunimi seksual i një 11-vjeçareje, rast që i vuri në pah të metat e sistemit të sigurisë në vend. Krejt çka ndodhi në Kosovë sa i përket kësaj problematike gjatë javëve që i lamë pas:
Të premten e fundit të muajit shtator, Kosova u trondit nga disa pamje të publikuara nga alpinistja Mrika Nikqi.
Në videot e publikuara, shihet se si kjo vajzë ngacmohet seksualisht në një rrugë të qytetit të Pejës.
Për ngjarjen e rëndë tregoi të premten vetë Mrika.
“Si pasojë e kësaj situate, për momentin jam në gjendje të rëndë emocionale dhe nuk mund të deklarohem në tërësi. Pas vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës do të ju njoftoj për rrjedhën e situatës dhe sulmuesin e paskrupullt. Në videon e bashkangjitur, e gjykoni vetë këtë gjest të shëmtuar, viktimë e të cilit ka mundur të jetë çdo familjar i juaji”, ka thënë ajo.
Për fat të mirë, Nikqi arrin që të shpëtojë nga tashmë i dyshuari, Flori Beqiraj.
Për këtë rast u mobilizuan shpejt organet e hetuesisë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, i tha Nacionales se i dyshuari është arrestuar sot dhe është dërguar në mbajtje.
“Më datën 27, rreth orës 19:40, policia është informuar për një rast që ka ndodhur në rrugën “Wesley Clark” në Pejë. Ka ndodhë rasti i ngacmimit seksual. Policia ka punuar intesivisht për kapjen e autorit dhe sot është bërë arrestimi i tij. I njëjti, me vendim të prokurorit të shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka thënë ai.
Prokuroria kanë konfirmuar se rasti ka ndodhur me datën 27 shtator dhe se i dyshuari është arrestuar pas identifikimit, ndërsa po shqyrtohet paraqitja e kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit.
“Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinionin publik se pas punës intensive me Policinë e Kosovës, ka identifikuar dhe arrestuar një person (me inicialet F.B) i cili dyshohet se me datën 27 shtator të këtij vitit ka sulmuar seksualisht viktimën femër. Pas identifikimit, i njëjti me urdhër të Prokurorit të Shtetit është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Sulmi seksual” nga neni 229, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor do të shqyrtoj mundësin e paraqitjes se kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit në gjykatën kompetente dhe gjithashtu lidhur me ketë çështje penale do ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore të Pejës.
Dhunimi i 11-vjeçares, rasti që e tronditi Kosovën
Dhunimi i një vajze 11-vjeçare në Prishtinë, nga dhjetëra persona, me muaj të tërë, pa dyshim se është ndër aktet më makabre që ka ndodhur në Republikën e Kosovës.
Si rezultat, ky nxiti një debat tejet të madh publik, ku nuk munguan reagimet e ashpra, duke e kërkuar edhe ashpërsimin e ligjeve. Si pasojë, pati edhe shkarkime e largime në Policinë e Kosovës, duke u nisur nga drejtori i saj.
Çka dihet deri më tani për rastin e dhunimit të 11-vjeçares?
Të përdhunosh një 11-vjeçare është akt makabër. Mizoria shtohet, kur merret vesh se dhunuesi e ka telefonuar edhe vëllanë. Jo, s’mjaftoi me kaq. E gjithë kjo ngjau për shtatë orë dhe nuk ishin vetëm dy persona - pesë sosh. Pesë kundër një. Ky numri i fundit, i mitur.
Gjithsej, deri më tani janë 11 të arrestuar në lidhje me rastin e 11-vjeçares, në dy raste të ndara. Dosja e dytë, për rastin e dhunimit dhe shërbimeve seksuale që dyshohet se ka ndodhur në qershor, flet për të arrestuarit me inicialet D. Rr., 23-vjeçar, G.S., 25-vjeçar, B.S., 26-vjeçar, F.S., 22-vjeçar, M.S., 22-vjeçar dhe M.R., 21-vjeçar.Të dyshuarit po dyshohen për trafikim me njerëz, shërbime seksuale dhe dhunim të 11-vjeçares.
Qindra reagime
Ishin të panumërta. Me siguri, për shkak edhe të ndjeshmërisë së rastit. Gjithsesi, ne do t’i vëmë në pah ato të figurave kryesore politike.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kërkoi një hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për ata që e kanë kryer veprën.
I së njëjtës linjë ishte edhe kryeministri i Republikës së Kosovës.

Në Istog, një 18-vjeçar tentoi ta dhunonte 11-vjeçarin
Një person 18-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka tentuar të dhunojë një djalë të moshës 11-vjeçare.
Ngjarja është raportuar më 26 shtator të këtij viti. Prokuroria Themelore e Pejës ka kërkuar paraburgim ndaj të dyshuarit.
Për këtë rast, detaje ka dhënë zëdhënësi i prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.
“Një 18-vjeçar dyshohet se ka tentuar të dhunojë një të mitur 11-vjeçar me ç’rast i njëjti është ndaluar nga prokurori i shtetit dhe ndaj tij është bërë kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit” – tha Nikçi.
Sërish në Istog: Burri e terrorizon të miturën, e ndjek dhe e ngacom në mes të rrugës
Në Istog, një vajzë e mitur dyshohet se është ngacmuar nga një burrë. E gjithë ngjarja ka ndodhur të premten rreth orës 15:00.
Sinjali mëson se ngjarja ka ndodhur në rrugën "Rinia", ku 28-vjeçari ka ndjekur nga pas me veturën e tij vajzën e mitur duke e ngacmuar me fjalë dhe duke i kërkuar që të flasë e të bëjë fotografi me të.
Përballë kësaj situate, e frikësuar dhe e shqetësuar tej mase, vajza e ka vazhduar rrugën e më pas ka hyrë brenda një lokali, ku ka arritur që të telefonojë dhe ta kërkojë ndihmën e Policisë.
Policia e ka intervistuar të miturën.
Si prova materiale janë marrë edhe pamjet nga kamerat e sigurisë që e monitorojnë atë zonë. Përmes kësaj është arritur që të identifikohen targat dhe personi i dyshuar.
I dyshuari fillimisht nuk është gjetur në shtëpinë e tij, por më vonë i njëjti është paraqitur vetë në stacion policor.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj 28-vjeçarit të iniciohet rasti ‘Ngacmim’ dhe i njëjti të dërgohet në mbajtje për 48 orë.
Lipjan: Një grua dhunohet seksualisht në një motel
Një vajzë është dhunuar në një motel në Lipjan nga një i panjohur.
Policia njofton për hetimin e rastit, teksa nuk raportohet për ndonjë të arrestuar.
“Një vajzë është dhunuar në një motel në Lipjan nga një i panjohur. Policia njofton për hetimin e rastit, teksa nuk raportohet për ndonjë të arrestuar”, thuhej në njoftimin e policisë.
Viti: Babai tregon për personin që ia dhunoi vajzën e mitur
Një 13-vjeçare po dyshohet se është dhunuar seksualisht nga një 29-vjeçar në qytetin e Vitisë.
Rasti ka ndodhur në shkurt të këtij viti, por është raportuar në shtator, kur viktima është në muajin e tetë të shtatzënësisë.
Për RTV Dukagjinin rrëfeu babai i të miturës. Ai ka dhënë detaje për rastin.
“Rasti ka ndodhë para 7-8 muajsh përafërsisht, nuk e ka vërejt askush prej shtëpisë se vajza e re, nuk ka pasë simptoma të shtatzanisë, e ka vërejtur vajza e tretë, e kemi dërgu te mjeku, ka dalur se është shtatzënë, me rastin është marrë policia, dihet personi kush është, por faktkisht ai është jashtë. Detajet, thotë se i dinë vetëm organet e rendit pasi informacione vetë nuk kanë mundur të nxjerrin për shkak të gjendjes psikologjike të vajzës.“Këto i dinë policia, na nuk kemi kurrfarë informacioni, as që i kemi bo pyetje çikës, se çika e re, pe ngarkojmë, mundemi me deviju edhe ma keq”, tha babai i 13-vjeçares.
Ndryshe, mbi 20 raste në javë raportohen për dhunë në familje dhe dhunim.

