Raportimi i Nacionales për sulmin ndaj futbollistit Belgin Jashari: Kërkohet reagim nga institucionet - NACIONALE

Raportimi i Nacionales për sulmin ndaj futbollistit Belgin Jashari: Kërkohet reagim nga institucionet

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një ditë pasi gazeta Nacionale publikoi reportazhin me pamje dhe rrëfimin e futbollistit, Belgin Jashari, shumë reagime kanë pasuar.

Pamjet tregonin për sulm fizik ndaj futbollistit Jashari, nga një prind i cili nga tribunat, hyri në fushën e lojës.

Nacionale ka dërguar pyetje në adresën e Policisë së Kosovës dhe FFK-së për të kuptuar se çfarë veprimesh kanë ndërmarrë, megjithatë deri më tash, nuk ka pasur përgjigje.

Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF, ka kërkuar hetim nga institucionet.

“Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) a ndjekur me shqetësim dhe keqardhje pamjet e publikuara në media që dokumentojnë se kur një i rritur përdorë dhunë fizike ndaj një fëmije derisa zhvillohet një ndeshje futbolli mes dy klubeve të fëmijëve në Fushë Kosovë.”, thuhet në reagim.

Tutje në reagimin e KOMF thuhet se dënon me forcë këtë akt të papranueshëm dhune.

“Dhuna ndaj fëmijëve është e pajustifikueshme, veçanërisht kur ndodh në hapësira që duhet të jenë të sigurta, edukative dhe nxitëse për zhvillimin e tyre. Ajo që e bën këtë ngjarje edhe më tronditëse, është fakti se sipas dëshmive të publikuara, sulmi ka pasur edhe motive racore”.

“KOMF i bën thirrje institucioneve të drejtësisë që të hetojnë këtë ngjarje dhe të marrin masat e menjëhershme ndaj personit përgjegjës. Ndëshkimi i këtij akti është i domosdoshëm për të dhënë mesazhin se dhuna, racizmi dhe çdo formë tjetër e sjelljes së papërshtatshme nuk kanë vend në sport, e aq më pak në aktivitete ku marrin pjesë fëmijët”, thuhet në njoftim.

Veprim të institucioneve ka kërkuar edhe juristja e medias, Flutura Kusari.

“Belgin Jashari, jo vetëm golashënuesi ma i mirë i moshës së tij por edhe djalë i meçem e super i artikulum. Krenari e vendit tonë. Qysh është e mundur që prokuroria dhe policia ende nuk janë lajmëru për këtë rast? Ky është krim që buron nga urrejtja racore dhe në vend se me ndjekë këtë rast, merren me do raste kot kot kot që lidhje me nxitje të urrejtjes nuk kanë. Qysh kishin vepru nëse dikush e kush shkelmu çikën e Kurtit ose fëmijet e Memli Krasniqit ose të Ramush Haradinajt?! Ju tregoj unë: prindi shkelmues tashmë do të ishte në paraburgim”, ka shkruar ajo.

Analisti Imer Mushkolaj në një opinion për RTV Dukagjini, ka thënë se sulmi ndaj Belginit, dëshmon racizmin në shoqërinë kosovare.

“Aktualisht Belgini është golashënuesi më i mirë në ligën e 15-vjeçarëve dhe ekipi i tij është i pari në tabelë. Në një bisedë për Nacionale ai ka thënë se ëndrrat e tij janë t’i bëjë krenarë prindërit, si dhe të luajë për Napolin dhe Kombëtaren e Kosovës. Është lojtar me mjaft perspektivë në grupmoshën e tij. Por, ai e ka vetëm një “problem” – i takon njërit nga komunitetet e diskriminuara, të përçmuara. Nuk është i njëjtë me atë që e sulmoi. Dhe, fort mirë që nuk është si ai, si dikush të cilit i pengon suksesi i një fëmije të një komuniteti joshumicë”, ka shkruar Mushkolaj.

Drejtori i organizatës “Terre des Hommes”, ka shkruar se Belgini lufton edhe me paragjykimin e racizmin.

“Futbollistët si Belgini mbajnë mbi supe një mision të dyfishtë. Nuk luftojnë vetëm kundërshtarët në fushë, por edhe hijet e thella të paragjykimit e racizmit. Çdo driblim i tij e sfidon urrejtjen, e çdo gol i shënuar është një betejë e fituar kundër antigjipsizmit!”, ka shkruar Zeqiri.

Reagim të ashpër pati edhe drejtoresha e Kulturës në Prishtinë, Sibel Halimi.

“Ky shqelm s’duhet të godasë më fëmijët tanë. Belgini që duhet t’na frymëzoj të gjithëve!”, ka shkruar ajo.

Reagime të shumta kanë pasur edhe trajnerë si Ismet Munishi, analistë, organizata të ndryshme.

Lajme të ngjashme