Raporti i KE-së: Rimëkëmbja ekonomike e Kosovës u zvogëlua ndjeshëm në vitin 2022
Raporti i fundit i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën ka vërejtur një sërë sfidash që vazhdojnë të pengojnë zhvillimin ekonomik të vendit. Raporti, duke vlerësuar progresin e Kosovës në vitin 2022, nënvizon se vendi vazhdon të përballet me pengesa të shumta. Sfidat strukturore, ekonomia joformale e përhapur, korrupsion dhe sundimi i dobët i ligjit, theksohen si ndër problemet kyçe në ekonominë e vendit.
Një nga çështjet më urgjente të theksuara në raport është rritja alarmante e inflacionit në Kosovë. Në vitin 2022, vendi përjetoi një ngadalësim të konsiderueshëm ekonomik për shkak të reduktimit të investimeve dhe një rënie të mprehtë në rritjen e konsumit familjar. Ky ngadalësim i atribuohet kryesisht rritjes së inflacionit, i cili u rrit në shifra dyshifrore. Shkaqet kryesore të këtij inflacioni u identifikuan si çmimet e përshkallëzuara të energjisë dhe transportit.
Lufta e Rusisë në Ukrainë ndikoi indirekt në ekonominë e Kosovës, duke çuar në rritjen e çmimeve të importit dhe rritjen e pasigurisë.
“Rimëkëmbja ekonomike e Kosovës u moderua ndjeshëm në vitin 2022 pasi investimet u tkurrën dhe rritja e konsumit familjar u ngadalësua për shkak të inflacionit të lartë, i cili u rrit në dyshifrorë si pasojë e rritjes së çmimeve të energjisë, ushqimit dhe transportit.” – thuhet mes tjerash në raport.
Problemet strukturore vazhdojnë ta rëndojnë ekonominë
Gjetjet e raportit theksojnë se ekonomia e Kosovës vazhdon të përballet me sfida të mëdha strukturore.
Ndonëse sektori privat po përpiqet të rritet, raporti vlerëson se ai mbetet i rënduar nga çështje të rrënjosura thellë si ekonomi joformale, korrupsioni dhe sundimi i dobët i ligjit.
Raporti thekson disa përmirësime në mjedisin e biznesit, por nënvizon se ka një rrugë të gjatë përpara.
Më tej aty thuhet se formalizimi i tregut të punës ka bërë përparim të kufizuar dhe pjesëmarrja në tregun e punës dhe shkalla e punësimit, veçanërisht midis grave dhe të rinjve, mbetet e rëndë, duke kontribuar në nivele të vazhdueshme të larta të papunësisë.
“Mjedisi i biznesit është përmirësuar disi. Formalizimi i tregut të punës vazhdoi, por pjesëmarrja në tregun e punës dhe shkalla e punësimit, veçanërisht tek gratë dhe të rinjtë, mbetet shumë e ulët, ndërsa papunësia mbetet e lartë.” – thuhet në raport.