"Anti-kushtetues": Diskriminimi pozitiv i punëtorëve që janë agjërueshëm në Gjilan shkakton reagime - NACIONALE

"Anti-kushtetues": Diskriminimi pozitiv i punëtorëve që janë agjërueshëm në Gjilan shkakton reagime

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Komuna e Gjilanit është treguar zemërgjerë me punëtorët e saj që e agjërojnë muajin e Ramazanit. Ata do të punojnë një orë më pak. Mirëpo, vendimet të tilla po komentohen e kundërshtohen në rrjetet sociale dhe po cilësohen si vendime antikushtetuese.

Kryetari i Komunës së Gjilanit nga radhët e VV-së, Alban Hyseni, ka vendosur që punëtorët e Komunës së Gjilanit, të cilët janë agjërueshëm, të punojnë një orë më pak.

Sipas vendimit, orari i punës për zyrtarët publikë të adminitratës të cilët agjërojnë fillon në ora 09:00, e mbaron në ora 16:00.

Në këtë vendim thuhet se për zbatimin e këtij vendimi do të kujdeset Kryetari i Komunës si dhe drejtorët e Drejtorive komunale. Për këtë do të kërkohet edhe një evidencë për zyrtarët.

Po ashtu, sot u raportua se edhe Komuna e Kamenicës ka marrë një vendim të tillë, mirëpo kjo gjë u mohua më pas.

Përmes një reagimi Komuna e Kamenicës ka thënë se Zyra e Kryetarit nuk ka marrë ndonjë vendim për lirimin e punëtorëve që janë duke agjëruar një orë më herët nga puna.

"Budallaki" dhe shkelje e Kushtetutës

Lidhur me përcaktimin e orarëve të tilla nga komunat përkatëse ka pasur reagime të shumta në rrjetet sociale. Kundërshtime janë të tipit që po shkelet Kushtetuta dhe vendime të panevojshme.

Analisti i politikës, Imer Mushkolaj, ka reaguar për vendimin e Komunës së Gjilanit, ku këtë vendim e ka quajtur “budallaki”

Mushkolaj ka kërkuar anulim të vendimit dhe lexim të Kushtetutës.

Kryetari i Gjilanit duhet ta anulojë sa më shpejt këtë vendim që ua shkurton orarin e punës punonjësve të administratës, të cilët agjërojnë. Ish dashtë t'paktën me e lexu Kushtetutën, para se ta bëjë këtë budallaki.” – ka shkruar Mushkolaj.

Ndërkaq, opinionisti Halil Matoshi, ka kërkuar anulim të vendimit të komunës së Gjilanit, i cili edhe sipas tij, është antikushtetues.

Ai ka cituar nenin 8 të Kushtetutës ku thuhet se Kosova është shtet laik, duke shtuar që Vetëvendosjes dikur luante me emocionet e besimtarëve myslilmanë.

Komuna e Gjilanit duhet me e anulu MENIHERË vendimin që shkurton orarin e punës së administratës për Ramazan. Pavarësisht se kundrejt religjionit Lëvizja Vetëvendosje ka bâ politika demagogjike dhe manash lojës me emocionet e njerëzve që besojnë Islamin, shkelja e Kushtetutës është krim dhe nuk do të tolerohet. Liria e besimit garantohet me Kushtetutë por VETËM në kushte e rrethana që nuk e cënojnë laicitetin dhe neutralitetin e shtetit ndaj feve. Pushteti Komunal nuk e ka të drejtën të nxjerr vendime për administratën e shtetit për çâshtje që prekin Kushtetutën.” – ka shkruar ndër të tjera Matoshi në profilin e tij në Facebook.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimeve të tij, në tubime të ndryshme, gjatë momentit të thirrjes se ezanit ka ndaluar fjalën për të pritur përfundimin.

Një rast të tillë e pati ditë më parë në Komunën e Kamenicës, ku ndërpreu fjalimin e tij në momentin që filloi ezani si respektim ndaj thirrjes për besimtarët myslimanë.

Përveç Kurtit edhe politikanë të tjerë kanë vepruar ngjashëm si ai.

Mbetet të shihet nëse do të anulohen këto vendime, por ajo që dihet është se shpeshherë politikanë kanë marrë vendime të këtij lloji si synim për të përfituar mbështetjen e këtij komuniteti shumicë në Kosovë.

Nuk dihet nëse edhe komuant tjera kanë marrë vendime të tilla.

Lajme të ngjashme