QKUK pa hapësirë për pacientët në gjendje kome - NACIONALE

QKUK pa hapësirë për pacientët në gjendje kome

1 vit më parë

nga Gentiana Hasani

Në Qendrën Klinike e Universitare të Kosovës nuk gjendet asnjë repart i veçantë në të cilin do të mund të trajtoheshin pacientët që gjenden në gjendje kome. Ndonëse janë me dhjetëra pacientë në gjendje të tillë e të cilët po trajtohen në Mjekimin Intensiv Qendror të QKUK-së.

Në këtë repart trajtohen pacientë nga e gjithë Kosova, e që kanë gjendje më të rënduar shëndetësore, krahas edhe atyre në koma.

Por, hapësirat e kapacitetet që i gjeneron ky repart, janë gati gjithmonë të mbushura me pacientë.

Ka raste kur derisa të bëhet ndonjë vend në Intenzivn e QKUK-së, pacientët duhet të qëndrojnë në Klinikën Emergjente.

E nga kjo Klinikë thonë se kanë kapacitete të mjaftueshme për të sistemuar pacientë deri sa t’u bëhet vendi për hospitalizim nëpër klinika.

Naser Syla, drejtor në Emergjencën e QKUK-së, ka shpjeguar për Nacionalen rreth kësaj situate.

“Kemi kapacitete për trajtimin e tyre këtu. Deri sa t’u bëhet vendi nëpër klinika, për ata që kanë nevojë për hospitalizim, qëndrojnë këtu tek ne. Tek pacientët që sillen tek ne në gjendje kome, ne ua bëjmë analizat, eksaminimet, e diagnostikojmë e pastaj varësisht nga situata dërgohet për në klinikën ku në bazë të gjendjes klinike i nevojitet trajtimi”, ka thënë Syla për Nacionalen.

Por Kosova nuk ka qendra rehabilituese të specializuara për pacientët në koma. Mjekët thonë se këta pacientë, janë vendosur në këtë Klinikë, në mungesë të vendit adekuat për ta.

“Këta pacientë kanë nevojë shumë për një trajtim multi-diciplinar në një qendër të veçantë rehabilituese. Ne nuk kemi as kushte e as mundësi që një trajtim të tillë ta bëjmë pafundësisht këtu sepse thash jemi me kapacitete shumë të kufizuara të shtretërve”, thotë Uka.

Shefi i Mjekimit Intensiv të QKUK-së shpjegon se po të kishte Kosova qendër të vecantë rehabilituese atëherë trajtimi për pacientët në gjendje kome do të ishte shumë më efikas.

Fatkeqësia është se në vendin tonë nuk kemi një qendër të specializuar për trajtimin e pacientëve që mbesin në gjendje komatoze të përhershme. Mos-mundësia e dërgimit të këtyre pacientëve në këto qendra, Fatkeqësia është që mos- mundësia e dërgimit të tyre në ëkto qendra, atëherë këta pacientë mund ta vazhdojnë jetën e tyre edhe për një periudhë të caktuar kohore, por ndoshta jo aq gjatë sikur të kishin marrë trajtimin në një qendër të tillë", shpjegon ai.

Ai shpjegon se numri i pacientëve që kërkojnë trajtim në mjekimin Intensiv është në limite gjithmonë.

Nganjëherë një pacientë duhet të qëndrojë më gjatë në Emergjencë, deri sa ne ta lirojmë një vend për ta”, thotë Uka.

Por në Mjekimin Qendror Intensiv të QKUK-së është edhe një repart i veçantë për të cilin pak flitet.

Ne e kemi një njësi që quhet njësia post-intensive e cila është e kompletuar me katër shtretër që është në funksion të QKUK-së. Aty kemi një mjek anestesiolog dhe infermieret tona që kanë marrë trajnimet mjaftueshme. Aty vendosen rastet më të rënda që s’mund të dërgohen as në repart e as në shtëpi".

Sidoqoftë, e vetmja gjë, që, të paktën, këtyre pacientëve nuk u mungon, janë barnat. Udhëheqësit e Qendrës Klinike thonë se gjendja në këtë drejtim është përmirësuar, në krahasim me vitin e kaluar, kur me furnizim barnash janë ngarkuar familjarët e pacientëve.

Sidoqoftë, në Ministrinë e Shëndetësisë kanë deklaruar se është planifikuar të ketë mjekim të ri intensiv brenda dy vjetësh. Sipas tyre, aty do të ketë kapacitete të shumëfishta dhe aparaturë të re, e që shërbimet do të jenë shumë më të mira për pacientët, përfshirë pacientët në koma vigjilje./Nacionale.com/

Lajme të ngjashme