Qeveria nuk ua ekzekuton pagat punëtorëve që janë në grevë
Qeveria e Kosovës nuk ua ka ekzekutuar pagat pjesës më të madhe të punëtorëve në sektorin publik. Burime të ndryshme të gazetës Nacionale i kanë konfirmuar këto informacione, kurse kjo është konfirmuar edhe nga disa drejtorë të Arsimit nëpër komuna.
Drejtori i Arsimit në komunën e Pejës, Naser Gega, ka thënë për Nacionalen se deri më tash nuk e kanë pranuar as listën e pagave.
“As listat e pagave nuk kanë ardhur ende. Për momentin jo. Po presim deri të hënën”, tha Gega për Nacionalen.
Situatë e njëjtë me mos-ekzekutimin e pagesave për mësimdhënës dhe shërbyesit e tjerë publik është edhe në komunën e Mitrovicës.
Drejtoresha e Arsimit në Mitrovicë, Drita Kadriu, ka thënë për Nacionalen se as asaj nuk i ka dalur rroga deri më tani.
“Personalisht nuk e kam marrë rrogën, as zyrtarët e mi. Tash nuk jam e sigurt pasi nganjëherë presim deri në orën 17:00. Kemi dëgju që deri vonë mbrëmë kanë debatuar, dhe si vendim ka qenë që mos me u ekzekutu pagesat nga niveli qendror”, ka thënë ajo për Nacionalen.
Rrogat nuk u janë dalë as infermiermëve e mamive. Kështu ka konfirmuar Kryetari i Odës, Naim Rrustemaj.
“Deri në këtë momente nuk janë ekzekutuar pagat”, ka thënë Rrustemaj për Nacionalen.
Pagat nuk janë ekzkeutuvar as për shërbyesit civilë që punojnë një qeveri. Kjo është konfirmuar nga një burim i Nacionales, i cili në kushte anonimiteti ka thënë se nuk iu ka dalur paga.
Për këtë çështje, reagoi ashpër edhe deputeti i LDK-së, Besian Mustafa.
“Sot, Ministria e Financave nuk ka procesuar pagat për asnjë nga mbi 80.000 zyrtarët publik! Pra, as për mjekët, as policët, as zjarrfikësit, as ushtarët e FSK… askujt! Ligji ia lejon Ministrisë të procesojë pagat deri më 5 tetor, në rast se ka nevojë të sigurojë mjetet. Por, MF ka 800 milionë euro në llogari bankare, të konfirmuara nga vet ministri. E në anën tjetër qytetarët po përballen me një nga krizat më të thella ekonomike dhe energjetike dhe me rritje të frikshme të çmimeve! Si t’i paguajnë këta qytetarë faturat e energjisë, ujit, telefonit, këstet e kredive kur Qeveria nuk ua proceson pagat?!”, ka shkruar Mustafa.
“Pse pra nuk janë procesuar pagat sot? Ky duket qartë se është ndëshkim i të gjithë zyrtarëve publik, është presion i llojit “detyroni mësuesit të kthehen në shkolla, përndryshe as juve nuk ua procesojmë pagat”. Qeveria ta ndalë urgjentisht këtë qasje të ndëshkimit kolektiv dhe të mos dëmtojë edhe më tej gjendjen e rënduar ekonomike të qytetarëve tanë!”, ka shkruar deputeti i LDK-së.
Sot ministri i Financave, Hekuran Murati, i pyetur nëse do t’iu dalin rrogat grevistëve, ka thënë se do të veprojnë në përputhje me ligjin.
Njëjtë ishte vepruar muajin e kaluar, kur një pjese të punëtorëve nuk iu ishin dalur pagat.

