Pse blloku B2 që u rikthye në punë po prodhon më pak? Dalin të dhëna shqetësuese - NACIONALE

Pse blloku B2 që u rikthye në punë po prodhon më pak? Dalin të dhëna shqetësuese

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pse blloku B2 që u rikthye në punë po prodhon më pak? Dalin të dhëna shqetësuese

Blloku B2 i Termo-Centralit Kosova B është rikthyer nga remonti por po prodhon më pak – ashtu siç kishte raportuar më herët Nacionalja. Por, pse?

Rreth 50 MWh më pak se kapaciteti i dikurshëm po prodhon ky bllok. Kjo mund t’i kushtojë vendit miliona euro marrë parasysh çmimin aktual të një MWh, e që është rreth 500 euro.

Sipas burimeve të Nacionales, deri te ky kufizim i prodhimit të këtij blloku ka ardhur si pasojë e këputjes së lopatave.

Ndërsa në Termocentralin Kosova A, për momentin nuk është asnjë bllok funksional.

Blloku A5, i cili do të duhej që të hynte në remont në fillim të kësaj pranvere ende nuk është arritur marrëveshje më ndonjë kompani vendore apo ndërkombëtare që do të mundësonte ri-funksionalizimin e tij.

Kosovën është duke e pritur një dimër i ftohtë, pasi që gjysma e blloqeve nuk do të arrijnë që të futen në funksion.

Sipas ish-drejtorit të KEK-ut, Arben Gjukaj, situata energjetike në Kosovë është më e rëndë se sa që duket.

“Në njësinë A5, nuk janë kryer remontet e duhura dhe nuk janë marrë hapa nga përgjegjësit për remont, pasi nga pranvera e hershme e deri në vjeshtë, bëhen përgatitje. Sezoni fillon nga tetori deri në prill dhe kemi rënie të temperaturave, kur përdoret energjia elektrike për ngrohje, kemi kërkesë të lartë për konsum. Momentalisht jemi duke importuar energji nga Shqipëria, Shqipëria importon për vete mbi 35% të energjisë dhe në gjashtëmujorin e fundit e ka trefishuar, për arsye se prodhimi në Shqipëri varet nga reshjet. Kosova importon 15% të energjisë ndërsa vitin e kaluar ka importuar 19% të konsumit, ndaj themi se është shumë vonë të mbështetemi,” ka thënë Gjuka për MCNTV.

Fat në fatkeqësi?

Javën e kaluar Shqipëria, është përfshirë nga përmbytje të mëdha në disa zona. Të reshurat e mëdha kanë bëre edhe mbushjen e digave, ku edhe është prodhuar me shumë energji.

Sipas burimeve të Nacionales, kjo është një nga arsyet kryesore pse Shqipëria, është duke e furnizuar Kosovën me energji të mjaftueshme.

Por, ky furnizim nuk është i garantuar gjatë kohës së dimrit, kohë kur Kosova ka nevoje më të madhe për energji, pasi që rritet konsumi.

Kujtojmë se disa ditë më parë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ishte takuar në mënyrë “urgjente” me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën. Është raportuar se mes arsyeve të këtij takimi kishte qenë edhe çështja e energjisë.

Lajme të ngjashme