Probleme me rrymë: Ministria e Ekonomisë thotë se është ngarkuar rrjeti, kërkon nga qytetarët të kursejnë
Ministria e Ekonomisë ka dalur me reagim pas ankesave të shumta në furnizim me energji elektrike.
Në një komunikatë për media, Ministria ka bërë të ditur se kanë pasur takim me KOSTT dhe KEDS.
Sipas njoftimit, rrjeti është mbingarkuar.
“KOSTT dhe KEDS raportojnë se, me uljen e temperaturave, konsumi i energjisë elektrike ka arritur nivele shumë të larta, mbi 1400 MW në kohë të caktuara. Si rezultat, sistemi ynë elektro-energjetik është ngarkuar tej mase, duke shkaktuar vështirësi teknike në furnizim dhe duke e rrezikuar rrjetin; kësisoj, ka qenë e domosdoshme që operatorët të bëjnë shkyçje në disa vendbanime ku ngarkesa ka qenë e papërballueshme për rrjetin. Vështirësitë janë hasur veçanërisht në komunat e Ferizajt, Lipjanit, Gjakovës, Malishevës, Gjilanit, Shtimes, Istogut dhe Prizrenit, dhe si rrjedhojë mund të jenë ndikuar edhe disa nga vendbanimet të cilat furnizohen nga linjat e afektuara. Ndërsa, ekipet e KOSTT-it dhe KEDS-it janë duke punuar pandërprerë në terren për të minimizuar ndikimin në furnizim të qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Ministria ka përmendur disa investime që po bëhen në Fushë Kosovë e Ferizaj.
“Probleme të ngjashme ka pasur në Fushë-Kosovë, por me energjizimin e nënstacionit të ri 110kV përgjatë javës së kaluar, është lehtësuar në masë të madhe barra dhe është adresuar problemi i furnizimit për banorët e kësaj komune. Gjatë javës në vijim pritet që të përfundojë ndërtimi i nënstacionit të tretë në Ferizaj nga KOSTT, gjë që do të zgjidhë problemet e furnizimit në këtë komunë, dhe do të lehtësojë ngarkesën edhe në vendbanimet të cilat furnizohen nga linjat e ndërlidhura me këtë nënstacion. Në tremujorin e parë të vitit 2025, investime të tjera planifikohen për komunat e Malishevës dhe Dragashit me qëllim të zgjidhjeve afatgjata për furnizimin e qëndrueshëm me energji”, thuhet më tutje në komunikatë.
Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve të kursejnë energji, dhe të përdorin metoda alternative për ngrohje si druri e peleti.
“Zakonisht kohët e festave të fundvitit karakterizohen me rritje të madhe të konsumit të energjisë elektrike, prandaj janë kritike sa i përket sigurisë së furnizimit. Përgjatë javës në vijim, për të ndihmuar sistemin elektro-energjetik, lusim qytetarët që të jenë sa më të kujdesshëm në konsumin e energjisë, sidomos gjatë orëve të paradites nga ora 09:00-12.00 dhe pasdites nga ora18:00-00:00. Kursimi i energjisë në këto orë është thelbësor për të shmangur mbingarkesat dhe për të ruajtur funksionalitetin e sistemit për të gjithë. Lusim qytetarët që aty ku është e mundur të përdorin burime alternative për ngrohje si druri ose peleti, si dhe të zhvendosin konsumin e energjisë elektrike pas mesnatës”, thuhet në komunikatë për media.
Me uljen e temperaturave janë rikthyer edhe reduktimet e energjisë elektrike në Kosovë. Gjatë 24 orëve të fundit qytetarët e Kosovës janë përballur me mungesë të madhe të energjisë elektrike. Shumë prej tyre janë ankuar se nuk kanë pasur rrymë deri në 8 orë.
Gjatë ditës se djeshme, kompania KESCO u ka dërguar qytetarëve mesazhe, ku ka kërkuar që të kursehet energjia elektrike.
“Të nderuar konsumatorë, konsumimi i lartë po mbingarkon asetet tona, po rrezikon dëmtimin e tyre dhe ndërprerjen e energjisë. Ju lutemi, kurseni energjinë”, është thënë në mesazh e KECO-s.
Qeveria e Kosovës ka heshtur përballë këtyre reduktimeve të ashpra. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi askush prej kabinetit qeveritar nuk ka folur për këtë çështje.
Kjo ka nxitur reagime të shumta të opozitës, shoqërisë civile dhe qytetarëve.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë me dije se në vigjilje të festave të fundivitit qytetarët e Kosovës kanë pranuar dy dhurata nga Qeveria Kurti.
Ajo ka treguar se dhurata e parë kishte të bënte me ndërprerje të gjata të energjisë elektrike.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se dhurata e dytë ishin paralajmërimet e Kurtit për sulme të reja nga Serbia.
“Dje në vigjile të Kërshëndellave, qytetarët e Kosovës pranuan dy “dhurata” nga qeveria. E para, ndërprerjet e gjata të energjisë elektrike shoqëruar me faturat astronomike për qytetarët tanë, dhe e dyta, paralajmërimet apokaliptike të Kryeministrit për sulme nga Serbia. Pra, mantra e vetme operuese e kësaj kaste udhëheqësish është mbjellja e pasigurisë, paparashikueshmërisë, dhe frikës. Turp kryeministër. Keni ardhë në detyrë me mandat të fuqishëm për të zgjidhur probleme, jo për tu bërë falltor. Kryeministër, detyra e juaj është t’i mbani dritat ndezur, t’i parandaloni sulmet, dhe të krijoni ambient të sigurtë. E jo të na thuani “shujë, se mundet me u ba edhe ma keq”. Jo. Kosova mundet ma mirë”, ka shkruar Çitaku.
Kandidati i LDK-së për deputet, Berat Rukiqi, mungesën e energjisë elektrike e ka lidhur me aferat korruptive të Qeverisë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ky është “efekti GEN’
“GEN Efekt Viti 2024, jo 1924”, ka shkruar Rukiqi.