Pas vrasjes së dy grave, PDK parashtron mocion për interpelancë - NACIONALE

Pas vrasjes së dy grave, PDK parashtron mocion për interpelancë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Partia Demokratike e Kosovës ka parashtruar mocion për interpelancë, pas vrasjes së dy grave brenda pak ditësh.

Në një konferencë për media, deputetja e kësaj partie, Blerta Deliu – Kodra, ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe institucionet, duhet të vendosen para përgjegjësisë pasi po dështojnë për t’u ofruar siguri qytetarëve.

“Partia Demokratike e Kosovës në mënyrë urgjente ka parashtruar mocionin për interpelancë për kryeministrin për të vënë para përgjegjësisë institucionet qeveritare të cilat me vendimet dhe veprimet e tyre po dështojnë në mënyrë sistematike për të ofruar sigurinë juridike për qytetarët e Kosovës, për gratë dhe vajzat e këtij vendi”, ka thënë ajo.

Tutje, deputetja e PDK-së tha se ky subjekt parlamentar është i shokuar nga vrasja që ndodhi mbrëmë, ku një grua 35 vjeçare, shtatzënë, u qëllua për vdekje nga ish-bashkëshorti i saj në oborrin e QKUK-së, më konkretisht para repartit të Gjinekologjisë.

“Jemi të shokuar nga kjo vrasje makabër që ndodhi mbrëmë, dhe nga vrasjet e shpeshta që po ndodhin, prandaj ne kemi vendosur që të ftojmë në interpelancë kryeministrin dhe ministrat përgjegjës…”, tha tutje ajo.

Ndërkaq, deputeti Rashit Qalaj, njëherit ish-drejtor i Policisë së Kosovës, ka thënë se kjo parti ka bërë thirrje vazhdimisht që të emërohet drejtori i ri i këtij institucioni.

“Ne kemi bërë thirjre të vazhdueshme që Policia sa më shpejt të ketë drejtorin e saj, ne e dijmë se ju si media dhe gjithë opinion ende nuk ka marrë përgjigje nga MPB-ja se pse po zvarritet emërimi i tij”, tha ai.

Veç kësaj, Qalaj ka përmendur se ministria e Shëndetësisë dhe disa spitale të QKUK-së, aktualisht udhëhiqen nga ushtrues detyre.

“Ne kemi ushtrues detyre të ministrit të Shëndetësisë, kemi spitale në QKUK që udhëhiqen nga u.d, thuajse se ky vend duhet të udhëhiqet nga ushtrues detyre, e jo nga drejtorët, ministrat, e kështum e radhë”, tha ai.

Ndërkohë, pas vrasjes së rëndë mbrëmë, Nacionale ka mësuar se autopsia e viktimës ka përfunduar dhe se trupat e pa jetë do t’i dorëzohen familjes për procedurat e varrimit.

Autopsia e viktimës u kry. Trupat e pa jetë po i dorëzohen familjarëve per procedurat e varrimit” i kanë thënë Nacionales, burime brenda Prokurorisë.

I dyshuari për këtë rast, ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili nuk është arrestuar ende nga Policia e Kosovës, ndërsa vetura i është gjetur në sheshin “Ahmet Shtimja”.

Lajme të ngjashme