Një vrasje më shumë se në vitin 2024, më pak drogë e konfiskuar: Statistikat e Policisë për sigurinë publike gjatë vitit - NACIONALE

Një vrasje më shumë se në vitin 2024, më pak drogë e konfiskuar: Statistikat e Policisë për sigurinë publike gjatë vitit

2 javë më parë

nga NACIONALE

Me përmbylljen e vitit 2025, Policia e Kosovës, ka ofruar statistikat për sigurinë publike gjatë gjithë vitit.

Bazuar në të dhënat e Policisë, numri i veprave penale gjatë vitit 2025, ka rënë për 3.54%, krahasuar me vitin paraprak. Në vitin 2024 ishin 27 mijë e 118 vepra penale, kurse në vitin 2025 janë 26 mijë e 157.

Raste të raportuara janë shtuar prej 45 mijë e 628 në 46 mijë e 560.

Gjithashtu, janë rritur dukshëm rastet e kundërvajtjeve dhe rastet e natyrave më të lehta. Prej 18 mijë e 510 rasteve në vitin 2024, në 20 mijë e 403 në vitin 2025.

Veprat penale

Një vrasje më shumë është raportuar në vitin 2025, se në vitin 2024. Kjo, në përqindje i bie rritje prej rreth 5.8%.

Raste të kanosjeve në vitin 2024 kishin qenë 2 mijë e 559, kurse këtë vit ka rënie në numër prej 2 mijë e 393.

Lëndim i rëndë trupor prej 205 rasteve vitin e kaluar, këtë vit ishin 221.

Vjedhje të rënda në vitin 2024 ishin 2 mijë e 87, kurse këtë vit janë 2 mijë e 27. Grabitje prej 70 në vitin e kaluar, këtë vit u raportuan 62 raste.

Rënie kanë shënuar edhe rastet e dhunës në familje. Në vitin 2024 kishin qenë 2 mijë e 498 raste të dhunës në familje, kurse këtë vit janë raportuar 2 mijë e 443 raste.

“Gjatë kësaj periudhe kohore (janar-20 dhjetor 2025) janë konfiskuar 1882 armë, kurse në periudhën janar-20 dhjetor 2024, janë konfiskuar 1667 armë të ndryshme, ose 12.9% më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Policia e Kosovës, në drejtim të rritjes së sigurisë në trafikun rrugor, ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh operative në terren, me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik. Gjatë periudhës janar-nëntor 2025 janë evidentuar 95 aksidente fatale, 8,501 aksidente me lëndime dhe 14,540 aksidente më dëme materiale”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Në vitin 2025 ka pasur dukshëm më pas heroinë të konfiskuar. Prej mbi 27 kilogramëve në vitin 2024, këtë vit u konfiskuan veç 1kilogram e 520 gramë.

Kurse, është rritur dukshëm sasia e kokainës së konfiskuar. Prej 14 kilogramëve në vitin 2024, këtë vit janë konfiskuar mbi 24 kilogramë kokainë.

Ka rënë edhe konfiskimi i sasive tjera të drogës si Extasy, Ampetamin e bimë kanabisi dhe llojeve të tjera të drogës.

Policia e Kosovës ka përmendur edhe sulmet në Ibër-Lepenc, Banjskë dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.

“Viti u karakterizua edhe nga thellimi i partneriteteve strategjike ndërkombëtare, vlenë të theksohet bashkëpunimi i Policisë së Kosovës me Ambasadën Amerikane në Republikën e Kosovës. Ushtrimi i përbashkët i reagimit ndaj krizave, me pjesëmarrjen e rreth 800 zyrtarëve policorë dhe shërbimeve emergjente, dëshmoi gatishmërinë operacionale, profesionalizmin dhe ndërveprueshmërinë e Policisë së Kosovës. Ky bashkëpunim forcon kapacitetet e reagimit ndaj situatave komplekse dhe e pozicionon Policinë e Kosovës si partnere të besueshme në arkitekturën ndërkombëtare të sigurisë”, thuhet në komunikatë.

Lajme të ngjashme