Një i vrarë, një i plagosur, një në arrati: Çka dihet deri më tash për tragjedinë në Gjakovë? - NACIONALE

Një i vrarë, një i plagosur, një në arrati: Çka dihet deri më tash për tragjedinë në Gjakovë?

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Një person ka mbetur i vrarë, dhe një tjetër i plagosur, si pasojë e të shtënave me armë zjarri që ndodhën në orët e para të mëngjesit në Gjakovë.

Ngjarja ka ndodhur në lokalin “My Place” në Çarshinë e Vjetër.

I dyshuari ka qenë pronari i lokalit, dhe i njëjti është ende në arrati.

Shumë detaje nuk dihen, megjithatë gazetari i Nacionales, Burim Pacolli ka biseduar me disa persona në afërsi të vendit të ngjarjes.

Ata kanë thënë se i dyshuari dhe viktima kanë qenë duke biseduar, orë para ngjarjes, por më vonë del se tensionet kulmuan.

Për Pacollin, ka folur edhe pronari i një lokali afër me atë ku ndodhi ngjarja.

Me hap lokalin, Policia thane ka ndodhur një vrasje, nuk muni me kalu, u shokova, myshteri tone, myshteri të tij, shokuese. I kom njoftë, i kam pa tu pi kafe, një përshëndetje të thjeshtë. Jam shoku”, thotë njëri nga personat që ka lokalin në Çarshinë e Vjetër.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se deri më tash, arsyet nuk dihen.

“Sot siç e dini në mëngjes, rreth orës 5 e 30, kemi pranuar një informatë se në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjakovë, dy persona meshkuj të moshës madhore janë qëlluar me armë zjarri. Si pasoj e plagëve të marra, njëri nga këta persona ka ndërruar jetë në vendngjarje dhe ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij atje. Menjëherë policia ka ndërmarrë veprimet e saj hetimore. Menjëherë rastit iu kanë përgjigjur njësitë relevante të policisë, kanë dalë në vendngjarje, po ashtu në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit i cili është njoftuar për ngjarjen, në konsultim me të cilin është iniciuar rast “vrasje e rëndë”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor. Aktualisht si drejtori jemi duke ndërmarrë masa për arrestimin e personit të dyshuar, lokalizimin në fakt dhe arrestimin e personit të dyshuar i cili deri më tani gjendet në arrati”, tha zëdhënësi i Policisë për Gjakovë, Sheremet Elezaj.

Ai shtoi se në vendin e ngjarjes janë sekuestruar prova materiale.

“Atë që mund ta ndajmë tash, në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja të armës së zjarrit, po ashtu është gjetur edhe një armë e ftohtë. Kjo është e gjitha që mund të ndajmë aktualisht me publikun duke qenë se jemi në këtë fazë të hetimeve, domethënë në fazën fillestare të hetimeve, jemi në mbledhjen e dëshmive dhe verifikimin e dëshmive të cilat veç janë duke u verifikuar dhe duke u analizuar”, tha ai.

Prokuroria tha se po punojnë për arrestimin e të dyshuarit.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se sot, më datë 16 mars 2026, është raportuar për një vrasje në Gjakovë. Pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet përkatëse policore dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore Gjakovë. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë. Prokurori i Shtetit, ka iniciuar rast për shkak të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të lokalizimit dhe arrestimit të personit të dyshuar, i cili tashmë është identifikuar dhe ndodhet në kërkim. Gjithashtu, janë duke u mbledhur provat dhe po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast”, thuhet në komunikatë.

Lajme të ngjashme