“Nivel i ulët, minatori nuk ka asnjë faj”: Kryetari i Sindikatës reagon ashpër për videon ku Sveçla kërkon llogari nga minatorët
Një video skandaloze nga një takim i ndodhur sot ka shkaktuar shumë reagime në diskutimin publik.
Aty shihet ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, teksa kërkon llogari nga minatorët për sipas tij, hajnitë në Treçë. Aty mbështetet pak edhe nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
"Ju e dini se kush vjedh", thotë Sveçla në video.
Videoja e cila ka bërë jehonë është realizuar ditën e sotme, gjatë një takimi që Sveçla e Rizvanolli patën me minatorët.
Për këto deklarata skandaloze, Nacionale ka kontaktuar me kryetarin e Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi.
Ky i fundit ka thënë se pushteti po tenton t’i ndëshkojë minatorët për keqmenaxhimin në ndërmarrje.
“Sot kanë qenë në vizitë Xhelali, nuk jom kanë aty. Ministrja Rizvanolli edhe Sveçla. Hala pagën e korrikut nuk e kanë paguar, edhe po këyqrin me na ndëshku për shkak të keqmenaxhimit, minatorët me pagu koston për këtë”, ka thënë Jonuzi për Nacionalen.
Ai ka bërë të ditur se e njeh edhe minatorin të cilit i drejtohet Sveçla, dhe sipas tij, videoja është autentike. Jonuzi ka thënë se Sveçlën nuk e lidh asnjë gjë me Trepçën, megjithatë ai ka të drejtë të realizojë vizita të tilla.
“Jo për neve është e paqartë për Sveçlën, por të ndalume nuk e ka, por nuk është diçka që lidhet me ta. Nuk e shohim as pozitive as pengesë pse ka ardhur. Çdo qytetar të drejtë, mirëpo në rrethanat me Trepçën nuk ndërlidhet diçka”, tha Jonuzi më tutje.
Ai ka theksuar se minatori nuk e ka asnjë faj. Sipas tij, keqmenaxhimet në Trepçë janë dëshmuar me raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
“Minatori ai është që më së paku, përveç fjalëve, përveç komunikimeve, e fjalëve që qarkullojnë, minatori i shkretë nuk e ka asnjë faj. ZKA e ka vërtetu që në Trepçë ka pasur keqmenaxhim në vitin 2023”, tha ai.
Nivel të ulët e ka quajtur i pari i Sindikatës, mënyrën se si Sveçla i drejtohet këtij minatori.
“Për mua është nivel i ulët me i thanë ministri minatorit kallëxoni kush vjedhë. Ministria e ka hetuesin, janë organet e rendit që duhet me u marrë me këtë punë. Duhet me i gjete ata, nuk është zor. Keqpërdoruesit i ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit. Minatori më i pafajshmi është”, tha Jonuzi për Nacionalen.
Ai bëri të ditur se me mjetet që ka ndarë qeveria, është paguar vetëm paga e qershorit. Sipas tij, situata nuk është aspak e mirë.
“Veç pagën e qershorit, edhe brenda situata nuk është e mirë. Nëse nuk jepen pagat, do të kthehemi në situatë të njëjtë duke parë pakënaqësinë që po ndodh”, tha Ibrahim Jonuzi.
Me tone të njëjta si Sveçla, flet edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Për takimin sot ka reaguar ministrja Rizvanolli në rrjete sociale. Ajo ka thënë se keqpërdorimet duhet të marrin fund.
“Kryeministri javën që shkoi e tha një të vërtetë të pamohueshme. Në Trepçë sot një minator duhet të nxjerrë xehe mjaftueshëm për të paguar pagat për më shumë se 10 punonjës të tjerë. Kjo është jo vetëm e pamundur por edhe thellësisht e padrejtë. Sikur kjo të mos mjaftonte, gjatë ditëve të fundit kemi parë se si persona të caktuar kanë qenë duke marrë pagë nga Trepça, pa shkuar fare në punë, madje disa thuhet me muaj e vite të tëra. Të tjerë janë suspenduar për keqpërdorim të detyrës zyrtare e shkelje të tjera të rënda”, shkroi ajo.
Ndaj kësaj videoje ka reaguar zyrtari i LDK-së, Berat Rukiqi, e analistë.
Për më shumë, ndiqeni videon e Pro Zë: