“Në vendin e ngjarjes u gjet një armë": Detajet e Policisë për vdekjen e Triumf Feratit, çfarë dihet deri më tash? - NACIONALE

“Në vendin e ngjarjes u gjet një armë": Detajet e Policisë për vdekjen e Triumf Feratit, çfarë dihet deri më tash?

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Policia e Kosovës ka dhënë detajet e fundit lidhur me vdekjen e Triumf Feratit, vëllait të kryetarit të Istogut, Ilir Ferati.

Në njoftimin 24-orësh të Policisë së Kosovës theksohet se në vendin e ngjarjes ku është gjetur trupi i pajetë, është gjetur një armë zjarri me 11 fishekë, dhe një gëzhojë.

Rasti është duke u hetuar.

“Lidhur me rastin pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dal njësitë policore dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes po ashtu është gjetur dhe konfiskuar edhe një armë zjarri me 11-fishekë dhe një gëzhojë. Ndërsa me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

Sipas dyshimeve të para, bëhet fjalë për vetëvrasje.

Media të ndryshme lokale nga Istogu kanë bërë të ditur se rasti ka ndodhur në varrezat e fshatit Gurrakoc, ku ishte i varrosur edhe ish-kryetari i Istogut, Fadil Ferati. Babai i tashmë të ndjerit.

Varrimi i Triumf Feratit do të bëhet nesër. Kështu ka bërë të ditur vëllai i tij, Ilir Ferati.

“Ju njoftojmë se me rastin e ndarjes nga jeta e të dashurit tonë Triumf Ferati. Presim vizita ngushëllimi sot me datën 25 Mars 2024, duke filluar nga ora 8:00 deri në ora 16:00 në Restaurant Tradita në Gurrakoc. Ndërsa varrimi i më të dashurit tonë, vëllaut tim Triumfit, bëhet nesër me datë 26 mars 2024 në ora 14:00 në varrezat e fshatit në Gurrakoc”, ka shkruar ai.

Ngushëllime nga liderët e shtetit

Ngushëllime për rastin tragjik të familjes Ferati ka shprehur së pari presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Humbja e parakohshme e Triumf Feratit, djalit të të ndjerit Fadil Ferati, ish-kryetar i komunës së Istogut, si dhe vëlla i kryetarit aktual Ilir Feratit, na ka tronditur të gjithëve.Ju shpreh ngushëllimet më të thella familjes së Triumfit, të afërmve dhe shoqërisë! Në këto çaste tmerrësisht të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe shpresoj të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes duke kujtuar momentet e paharrueshme që krijuat bashkë me Triumfin. Shpirti i tij pushoftë në paqe! I përhershëm qoftë kujtimi për Triumfin!”, thuhet në telegrafimin e presidentes Osmani.

Telegram ngushëllimi ka dërguar edhe kryeministri i Kosovës, Vjosa Osmani.

“Na tronditi e pikëlloi thellë lajmi për humbjen e Triumf Feratit. Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen Ferati, shokët e shoqet e Triumfit dhe mbarë Istogun. Shpresoj të mund të gjeni forcën në kujtimet e bukura me të. Jemi bashkë në këto çaste të rënda, në këtë dhembje që është e përbashkët.Shpirti i Triumfit pushoftë në paqe!”, ka shkruar kryeministri Kurti.

Ngushëllime ka shprehur kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“Në momente si këto, njeriu ngrinë nga fjalët. Përballë dhimbjes së madhe e trishtimit të thellë, ato humbasin gjithë peshën. Sot, s’kam fjalë për të përshkruar dhimbjen për humbjen tonë e tuajën! Triumf Fadil Ferati, na la. Iku herët. Me të na iku dhe një mik, një aktivist e një njeri i jashtëzakonshëm. Pas vete na la veçse kujtimet, ato që të përmallojnë në plotni. Triumfi, apo Trimi siç e thërrisnim të gjithë, ishte një djalë i urtë e i dashur - ai gjithnjë rrezatonte përplot ngrohtësi. Tregonte kujdes e shprehte mbështetje ndaj secilit prej nesh! I kishte ngjarë të atit; bashkëshortit tuaj, asnjë habi”, ka shkruar ai.

“Ikja e tij e hershme është humbje jo vetëm për familjen tuaj, por dhe gjithë qytetin e Istogut e gjithë Lidhjen Demokratike të Kosovës! Në këto momente të rënda, unë e secili anëtar i Lidhjes, qëndrojmë afër me ju, me Besën e me Ilirin. Qenka e rëndë vizita në shtëpinë tuaj pa Trimin tonë mes jush. Zoti ju dhashtë forcë!”, thuhet në telegramin e Abdixhikut.

Ngushëllime kanë shprehur edhe shumë zyrtarë e qindra qytetarë të tjerë.

Lajme të ngjashme