“Ne po kërkojmë shpagimin e mundit tonë”: Qeveria kërkon plan veprimi në Trepçë, minatorët duan pagat
Për dy muaj të tërë, minatorët e Trepçës nuk kanë marrë asnjë cent nga pagat e tyre.
Kjo ka bërë që ata të mbajnë grevë, duke kërkuar pagesën për djersën që e kanë dhënë duke punuar për dy muaj të tërë.
Megjithatë, pavarësisht punës së tyre me kushte të rënda, pa masa mbrojtëse, pa sigurim shëndetësor, sot Qeveria e Kosovës kërkoi diçka tjetër nga menaxhmenti i Trepçës.
Ekzekutivi që dikur lavdërohej me këtë ndërmarrje, sot kërkoi që të bëhen reforma, të vazhdojë puna në mënyrë që të shitet xehja nga Trepça.
“Pavarësisht mbështetjes që Qeveria i ka dhënë gjatë gjysmës së parë të këtij viti, ndërmarrja Trepça Sh.A. ka operuar me humbje si rezultat i ngecjeve në prodhim dhe të hyrave të pamjaftueshme. Ministria e Ekonomisë ka përkrahur ndërmarrjen me subvencione në vlerë prej 3.3 milionë euro, që është përtej shumës së planifikuar për të gjithë vitin. Megjithatë, këto mjete nuk u kanë mjaftuar për të siguruar mbulimin e shpenzimeve operative dhe pagave të punonjësve, që përbëjnë pjesën e konsiderueshme të shpenzimeve të ndërmarrjes”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
“Ministria e Ekonomisë në mënyrë të vazhdueshme ka inkurajuar menaxhmentin e ndërmarrjes për të optimizuar shpenzimet. Së fundmi, me pranimin e kërkesës së ndërmarrjes për ndarjen e mjeteve financiare shtesë, Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës ka kërkuar nga Bordi mbikëqyrës dhe menaxhmenti që të prezantojnë një plan veprimi. Ne presim që të adresohen në mënyrë të qartë, efektive dhe të qëndrueshme sfidat e ndërmarrjes”, theksohet më tutje.
Qeveria në asnjë moment nuk jep zotim se do ta ndihmojë ndërmarrjen, të paktën për ekzekutimin e pagave të minatorëve të cilët kanë mbetur në gjendje të rëndë.
“Në veçanti, Qeveria e Republikës së Kosovës pret nga ndërmarrja që të sigurojë rritje të prodhimit e të hyrave dhe ulje te shpenzimeve, si mënyrën e vetme për të arritur stabilizim të gjendjes operative dhe financiare të ndërmarrjes dhe kompensim të rregullt të punonjësve në mënyrë të qëndrueshme. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet në komunikim të vazhdueshëm me Bordin mbikëqyrës të ndërmarrjes. Sigurojmë se të gjitha palët janë të angazhuara maksimalisht për një zgjidhje afatgjatë, në përputhje me kompetencat ligjore dhe përgjegjësitë e tyre. Njëkohësisht, Qeveria është duke trajtuar planin e propozuar nga ndërmarrja Trepça Sh.A. Përkrahja financiare varet nga plani dhe zotimi konkret që do të ulen shpenzimet dhe do të rifillojë rritja e prodhimit”, u tha në komunikatë.
Por, nuk vonoi shumë dhe erdhi reagimi i minatorëve. Këta të fundit vetëm kërkuan t’iu paguhet djersa e punës që e kanë bërë.
“Duke pas parasysh gjendjen ne te cilen ndodhemi minatoret gjithmone kane qene dhe jane te gatshem per llogaridhenie, por se pari nuk jemi ne minatoret ata te cilet duhet te japim llogari per menxhimin dhe financat e ndermarrjes. Minatoret e kane deshmuar me pune dhe perkushtim obligimin qe e kane pasur, pra prodhimin sa me te larte edhe pse pa kushtet elementare per pune sic eshte siguria ne pune qe cdo here kemi qene te rrezikuar. Ata te cilet duhet te japin llogari ne vije te pare eshte menxhmenti dhe bordi te cilet gjithmone I ka emruar Qeveria, pra aty eshte vendi ku duhet kerkuar pergjegjesia dhe llogaridhenia”, thuhet në reagim.
“Si pergjigjien me te mire nese nuk e dini jua ka dhene Zyra Kombetare e Auditimit qe ne ndermarrjen Trepca SH.A ka pasur keqmenaxhim ne te gjitha pikat e auditimit. Mjaft me eshte koha qe te reflektoni ju si qeveri sepse ne si minatore ju kemi paralajmruar shume kohe me pare, paknaqesine tone jemi munduar tua shfaqim edhe me ngujimin ne miniere e me greva , por si duket as kjo nuk paska mjaftuar. Kuptojeni nuk jemi duke kerkuar diqka jo legjitime, po e kerkojme shpagimin e mundit tone, pra pagen qe buron nga Ligji I Punes. Mos i denoni minatorët, kerkoni llogaridhnje nga ata qe keqmenaxhuan”, theksojnë minatorët.
Minatorët për dy ditë me radhë kanë zhvilluar takime me udhëheqësitë e minierave, megjithatë ata kanë theksuar se punën nuk e nisin pa paga.