MSH që tre muaj lë pa paga qindra punëtorë shëndetësorë, nesër protestohet para ministrisë
Në llogaritë e tyre bankare, qindra punëtorëve të angazhuar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë për luftimin e pandemisë me Covid-19, nuk u kanë dalë pagat e tre muajve. Ndonëse të njëjtit ka disa muaj që janë angazhuar nga ana e MSH-së si staf mbështetës në ndihmë të shumë spitaleve të QMF-së për ndihmë në luftën ndaj koronavirusit. E pikërisht për këtë situatë, infermierët dhe stafi mbështetës kundër COVID-19, të pakënaqur me sjelljen e shtetit karshi tyre, protestojnë nesër.
Ata para Ministrisë së Shëndetësisë do të protestojnë të mërkurën nga ora 09:00 deri në 10:00.
“Ne, infermierët dhe stafi mbështetës të punësuar nga Ministria e Shëndetësisë, në mënyrë paqësore do të shprehim pakënaqësitë tona lidhur me pagat që nuk na janë dhënë për gati tre muaj”, thuhet në njoftimin e tyre.
Ministria e Shëndetësisë krejt këtë problematikë e këto ankesa të punonjësve shëndetësorë, i ka sqaruar ditë më parë përmes një përgjigjeje për Nacionalen, me një fjali të shkurtër duke thënë se me Ministrinë e Financave janë duke e shqyrtuar këtë problematikë.
“Edhe MSh edhe MF janë duke u marrë me këtë çështje. Janë duke u kërkuar modalitetet për procedimin e pagesave për krejt stafin e angazhuar për ballafaqim me COVID-19”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
E gazeta Nacionale ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Financave sa i përket kësaj çështjeje. Nga MF thanë se për këtë punë merret ekskluzivisht Ministria e Shëndetësisë.
Kur dhe për çka janë angazhuar këta profesionistë shëndetësorë?
Në muajin gusht të vitit 2021, Ministria e Shëndetësisë pati hapur konkurs për angazhimin e përkohshëm të profesionistëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës gjatë pandemisë COVID-19. Me anë të këtij konkursi, Ministria e Shëndetësisë synonte të punësojë 1 mijë e 116 pozita në shtatë Spitalet Rajonale, në Qendrat rajonale të IKSHPK-së, Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare nëpër komuna dhe Inspektorë Sanitarë.
“Bazuar në Ligjin Nr. 07/L-006 Për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, Rregulloren (SHËNDETËSI) Nr.05.2020 Për angazhimin e përkohshëm të profesionistëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës gjatë pandemisë COVID-19 dhe Vendimin e Qeverisë nr.03/27 të dt.18.08.2021 së Republikës së Kosovës, Ministria e Shëndetësisë, shpall K O N K U R S”, thuhet në njoftimin MSH-së për konkursin në fjalë. /Nacionale.com/