Mospajtime për një kandidaturë në Fakultetin e Arteve, Senati e kthen rastin për rishqyrtim
Një proces zgjedhor që, sipas burimeve të Gazetës “Nacionale”, ka prodhuar kundërshtime të shumta brenda strukturave akademike të Universitetit të Prishtinës është kthyer për rishqyrtim në Këshillin e Fakultetit të Arteve, pasi Senati i Universitetit nuk ka proceduar me miratimin e propozimit të ardhur nga kjo njësi akademike.
Sipas vendimit të Senatit dhe dokumentacionit të siguruar nga Nacionalja, rasti lidhet me kandidaturën e Arton Behramit për angazhim në lëndët “Hyrje në vizatim: bazat dhe teknikat”, “Hyrje në ilustrim: bazat dhe teknikat”, “Vizatim i nivelit të mesëm: kompozicioni dhe zhvillimi i stilit”, “Ilustrim i nivelit të mesëm: kompozicioni dhe zhvillimi i stilit” dhe “Studio e pavarur e vizatimit dhe ilustrimit”.
Në dokumentacionin e siguruar nga Nacionalja, TKR ka evidentuar paqartësi në raportin recensues, duke konstatuar se nuk është e qartë nëse vlerësimi për kandidatin përfaqëson qëndrimin e një anëtari të vetëm apo qëndrimin e të gjithë komisionit. Për këtë arsye, është rekomanduar që recensentët ta qartësojnë pozicionin e tyre përmes rishkrimit të recensionit.
Në vlerësimin e brendshëm thuhet se raporti recensues, në njërën pjesë, krijon paqartësi për shkak të formulimit ku përmendet se “njëri nga anëtarët e komisionit konsideron se kushtet plotësohen nga kandidati tjetër”. Sipas TKR-së, ky formulim krijon konfuzion, pasi nuk e bën të qartë nëse bëhet fjalë për një recensent të vetëm apo për mendim të përbashkët të komisionit.
Në të njëjtin dokumentacion, kandidati figuron me 89 pikë, ndërsa në komentet përkatëse thuhet se ai i plotëson 20 pikët minimale të kërkuara. Po ashtu, dokumentacioni evidenton pesë vjet përvojë në mësimdhënie në Fakultetin e Arteve, përkatësisht në Departamentin e Arteve të Bukura të Universitetit të Prishtinës.
Në anën tjetër, në një koment të përfshirë në dokumentacion, një anëtare e Komisionit Recensues ka theksuar se të gjithë anëtarët kanë qenë unanimë në vlerësimin dhe propozimin për kandidatin Arton Behrami. Ajo ka vlerësuar se nuk ka arsye që lënda të kthehet në Këshill, pasi, sipas saj, gjatë shqyrtimit të mëhershëm nuk ka pasur vërejtje.
Përtej arsyeve të evidentuara në dokumentacion, burime të përfshira në proces i kanë thënë Nacionales se mospajtimet janë lidhur edhe me qëndrimin e njërit prej anëtarëve të Komisionit Recensues, i cili, sipas tyre, nuk e ka mbështetur propozimin për kandidatin. Ky pretendim nuk thuhet shprehimisht në vendimin e Senatit, por lidhet me paqartësitë që TKR ka evidentuar në raportin recensues.
Sipas burimeve të Nacionales, njëri nga profesorët, njëherësh anëtar i Komisionit Recenzues, ka refuzuar ta mbështesë propozimin për zgjedhjen e kandidatit. Në arsyetimin e tij, janë ngritur shqetësime lidhur me përputhshmërinë akademike të kandidatit me fushën për të cilën propozohet angazhimi. Sipas tyre, Behrami ka përfunduar studimet Bachelor dhe Master në Skulpturë, ndërsa lëndët për të cilat është propozuar lidhen me vizatimin, ilustrimin dhe zhvillimin e stilit në kuadër të arteve pamore.
Burime të përfshira në procedurë kanë thënë gjithashtu se dy profesorë janë tërhequr nga procesi në fazat paraprake të shqyrtimit. Sipas tyre, tërheqjet janë lidhur me rezerva rreth rastit. Nacionalja nuk ka mundur ta konfirmojë në mënyrë të pavarur motivin e tërheqjes së tyre.
Burime të përfshira në proces i kanë thënë Nacionales se gjatë shqyrtimit janë diskutuar edhe pretendime lidhur me cilësinë akademike të punimit të masterit të kandidatit. Sipas tyre, në punim janë evidentuar mangësi gjuhësore, logjike, metodologjike dhe konceptuale. Nacionalja nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur vlerësimet akademike të paraqitura në këtë analizë.
Kthimi i rastit në Këshillin e Fakultetit të Arteve nënkupton se procedura nuk është përmbyllur ende dhe se propozimi pritet të trajtohet përsëri në nivel të njësisë akademike.
I kontaktuar nga Nacionalja, kandidati Arton Behrami tha se nuk ka marrë ende ndonjë përgjigje zyrtare për aplikimin e tij.
“Sinqerisht, nuk di çfarë të them në këtë rast. Unë jam skulptor me profesion dhe jam i angazhuar në Universitetin e Prishtinës tash e pesë vite. Nuk di për çfarë të prononcohem, pasi nuk kam asgjë konkrete për veten time. Aplikimi që kam bërë ende nuk ka marrë ndonjë vendim zyrtar. Po të kisha marrë diçka konkrete, normalisht që do të përgjigjesha. Unë jam artist vizual dhe kam aplikuar për lëndën që e ligjëroj tash e pesë vite; ky është viti i gjashtë. Natyrisht që kjo lidhet me fushën e arteve vizuale”, tha Behrami.
Për këtë çështje, Nacionalja ka dërguar pyetje edhe te rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu; prorektori Adem Beha; dekani i Fakultetit të Arteve, Hazir Haziri; si dhe senatori Adem Rusinovci.
Deri në momentin e publikimit të artikullit, ata nuk kanë kthyer përgjigje.
Nacionalja mbetet e hapur për publikimin e përgjigjeve dhe sqarimeve të palëve të përfshira.