Mjerimin nuk ua solla unë, e gjeta mes jush: Pushteti i ri s’ndryshoi asgjë për punëtorët - NACIONALE

Mjerimin nuk ua solla unë, e gjeta mes jush: Pushteti i ri s’ndryshoi asgjë për punëtorët

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Tash e një vit, Vetëvendosje qeverisë krejt e vetme me Kosovën. Mes shumë e shumë e shumë premtimeve të bëra derisa kandidonte për kryeministër, kryetari i kësaj partie Albin Kurti, premtonte ndryshime rrënjësore edhe në kushtet dhe sigurinë në punë, sidomos te punëtorët e sektorit privat. Pesëfishimi i intespektorëve të punës ishte një premtim konkret e i zëshëm nga Kurti. Por, edhe ky 1 maj na i risjell të njëjtat probleme të punëtorëve sikurse vitet e kaluara. Deri më tani numri i këtyre inspektroreve të punës nuk ka lëvizur, e rrjedhimisht as gjendja e punëtorëve, sidomos atyre të sektorit privat.

Agron Kryeziu, një 27 vjeçar nga Malisheva, porsa e ka filluar sezonën e tij të punës në sektorin e ndërtimtarisë në një kompani për ndërtime të ulëta. Kryeziu ka më shumë se shtatë vite që e bën këtë punë, teksa kompania në të cilën punon, është punëdhënësi i tretë për gjatë këtyre viteve.

Mirëpo, për krejt këto vite pune, Kryeziu thotë se asnjëherë nuk ka qenë ligjërisht i punësuar.

‘‘Moti punoj ndërtim, kurrë kërkush nuk m’ka dhanë kontratë a diçka’’, thotë ai, me njëfarë habie për pyetjen time.

Por, për mungesën e kontratës, ai shprehet më shumë i shqetësuar që nuk mund të bëj pjesë në kategoritë përfituese nga Qeveria e cila së fundi ndau 100 milionë euro për mbështetje me nga 100 euro për kategori të ndryshme, mes tyre edhe për puntorët e sektorit privat.

Nja 12 veta punojmë në qat firmë, muj me thanë që shumica jena pa kontrata, munden me pasë kontrata veç do familjarë t’firmës aty, edhe qishtu u kanë ku kam punu,” tregon Kryeziu, i cili megjithatë thotë se në pagesa dhe në sjellje pronari është korrekt.

Megjithatë, Agroni ishte shpresëplotë se ardhja e pushtetit të ri do ta përmisonte gjendjen dhe kushtet e punës, sidomos në aspektin e sigurisë dhe shëndetit në punë, për të cilat sa herë kishte lëndime, sikurse thyerja e këmbës në vend të punës vitin e kaluar, apo probleme të ndryshme me shëndet, Kryeziu thotë që kryesisht i është dashur të trajtohet me mjetet e veta.

Gjersa shpaloste prioritetet e Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri Kurti premtonte se nën qeverisjen e tij, kushtet dhe trajtimi i punëtorëvë do të jetë i dinjitetshëm. Madje edhe si opozitar, punëtorët ishin pjesë thuajse e përditshme e diskursit të Kurtit dhe VV-së.

Për punëtorët e punëtoret ne do të sigurohemi që t’i kenë ta garantuara kushtet e dinjitetshme të punës. Ne do të marrim masa që çdo vend pune të jetë me kontratë, me kontribute pensionale të paguara jo më shumë se 40 orë pune të rregullt në javë,” - thuhej në zotimin e VV-së.

Megjithatë, në një prononcim për Gazeten Nacionale, Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se nga kjo periudhë mbi një-vjeçare e qeverisjes së Vetëvendosjes nuk e ka ndryshuar aspak gjendjen.

Realisht nuk ka ndryshu asgjë, fare nuk ka ndryshu diçka që preket apo shihet. E keqja është se ky kryeministër ka premtu më shumë se të tjerët, e ka premtu pagën minimale 350 euro, nënshkrimin e marrëveshjes kolektive, e ka premtu gjykatën e punës, fondin rezervë e shumë gjëra, por deri më tani në realitet nuk kemi asgjë,” - thotë Azemi.

Përveç kësaj, Kurti kishte premtuar edhe pesëfishim te inspektorëve të punës, ndonëse në program nuk përmendet decidivisht numri i inspektorëve.

‘‘Do të rrisim inspektorët e punës, do të avancojmë kapacitetet e Agjensisë së Punësimit, do të rrisim pagën minimale, do të njohim punën praktike si përvojë pune, do të ngrisim kapacitetet për shqyrtimin e ankesave nga punëtorët,” thuhet në programin e Qeverisë së Kosovës.

Mirëpo, deri më tani numri i inspektorëve të punës nuk ka lëvizur, Kosova ka vetëm 28 inspektorë të cilët inspektojnë mbi 60 mijë biznese aktive në Kosovë.

Për Azemin kjo është sikur ‘‘Ta hedhësh një pikë ujë në oqean’’, ndërsa thotë se tetë vitet e fundit Kosova ka rreth 30 inspektorë më pak.

‘‘Numri i Inspektorëve në vitin 2014 ka qenë 60 inspektorë, kurse tani kemi 28 Inspektorë, madje një pjesë e tyre janë në prag të penzionimit dhe normal që ata janë me shëndet të luhatshëm’’, thotë Azemi.

Gazeta Nacionale ka pyetur edhe në Ministrinë e Mirëqenies Sociale edhe kryeinspektorin Agim Millaku se a është ndërmarrë diçka në lidhje me procesin e shtimit të inspektorëve, mirëpo të njejtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Azemi thotë se as gjendja e sigurisë dhe shëndetit, sidomos në sektorin e ndëtimtarisë, nuk ka fare përmirësim. Sipas tij, vetëm përreth qendrës së Prishtinës mund të vërehen kushtet më të mira të punëtorëve, meqenëse në kryeqytet ka vëmendje më të madhe edhe të inspektoriatit por edhe të mediave.

‘‘Isha në një takim në Fushë Kosovë, dhe punonin punëtorët në një ndërtesë 12-13 katëshe dhe e shihja që e lidhnin armaturën në vinçin që qitet në pjesën e epërme. Dhe merreni me mend, punëtori nuk kishte dorëza, nuk kishte mbathje që duhet të jenë të veçanta dhe çka është më e keqja nuk kishte helmetë fare në kokë’’, kujton Azemi, i cili fare nuk është optimist se kjo situatë do të ndryshojë në një të ardhme të afërt sepse sipas tij institucionet nuk kanë as projekt afat-gjatë as afat-shkurtër për ‘u marrur me këtë problematikë.

‘‘Po flas deri në momentin që ne po bisedojmë. Deri më tani nuk ka asnjë sinjal që gjendja mundet me ndryshu, për me ndryshu gjendja së pari duhet me ndryshu ata përbrenda institucioneve të Kosovës, ky ndryshim nuk po shihet. Me këta inspektorë që janë motorri i mbikqyrjes së Ligjit mbi Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, faktikisht ata kanë nevojë me iu ndihmu atyre, jo këta me i ndihmu dikujt’’, thotë me dëshpërim Kryetari i SPSPK-së.

Kurse për çdo vit Kosova shënon numër të lartë të numrit të vdekeve në vendin e punës. Këtë vit në Kosovë, jane shënuar tetë raste të vdekjes, kurse vitin e kaluar (2021) ishin 14.

Lëndime e vdekje kishte edhe në vitin 2020, të dhënat tregojnë se përgjatë atij viti ishin 11 vdekje dhe mbi 160 lëndime në vendin e punës.



Lajme të ngjashme