Me ceremoni, ShSKUK-ja e hapi bllokun e ri të Ortopedisë, por kjo u bë pa pëlqimin sanitar - NACIONALE

Me ceremoni, ShSKUK-ja e hapi bllokun e ri të Ortopedisë, por kjo u bë pa pëlqimin sanitar

3 vjet më parë

nga Gentiana Hasani

Përmes një njoftimi në Facebook, ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raçi, njoftoi të hënën se është bërë hapja e bllokut të ri operativ në Klinikën e Ortopedisë së QKUK-së. Sipas ShKUK-së, në bllokun e ri operativ do të jenë 4 salla operative me kushte moderne, që do t'i bëjnë më të lehta punën e stafit mjekësor dhe trajtimin e pacientëve. Sidoqoftë, kjo punë, si duket, është bërë pa pëlqimin e Inspektoratit Sanitar, i cili funksionon në kuadër të AUV-së.

Zëdhënësi i këtij institucioni, Lamir Thaçi, i tha të hënën Nacionales se Klinika e Ortopedisë ende nuk e ka kompletuar dokumentacionin e nevojshëm për hapjen e këtij blloku të ri operativ.

Klinika e Ortopedisë në kudër të SHSKUK-së ende nuk e ka kompletuar me dokumentet e kërkuara aplikimin për pëlqim sanitar. Ne si autoritet jemi zotuar qe ne momentin e kompletimit të aplikimit do të dërgojmë ekip inspektuese për të bërë vlerësimin sipas kushteve ligjore. Pas këtij inspektimi vlerësues të kushteve teknike sanitare dhe higjienike lëshohet vendimi për pëlqim sanitar (dhënia apo jo e pëlqimit gjithmonë varet nga vlerësimit i ekipit profesional inspektues)”, ka deklaruar Thaçi për Nacionalen.

E ky investim në këtë bllok të kësaj klinike është bërë në kuadër të projektit mbindërtimi dhe zgjerimi i objektit ekzistues të bllokut operativ të Klinikës së Ortopedisë.

Zbatimi i projektit do të vazhdojë me pjesën tjetër, ku pas rrënimit të sallave të vjetra operative, do të vazhdohet me investimet e parapara.

Listë e gjatë e pritjes në Ortopedi

Megjithëkëtë, në Klinikën e Ortopedisë së QKUK-së, pacientët vazhdojnë të presin me vete për të marrë shërbime mjekësore.

Sipas drejtuesve të kësaj klinike, pacientët për të marrë shërbime në këtë klinikë presin deri në katër vite. Madje tragjedia në këtë mes është se shumë pacientë përderisa po prisnin për intervenime shëndetësore kanë vdekur.

"Lista e pritjes është prej 2018-ës deri më 2022-ën, pra 4 vite. Problemi me lista të pritjes e kemi me proteza të gjurit edhe të kukës. Por kjo listë nuk është reale. Sot shembull (të martën) i kemi thirrë, nja 4 kanë vdekë, disa tjerë kanë shkua në privat”, kështu i pati thënë Nacionales mjeku që shërben në Ortopedi, Gani Jashanica.

E nga Shoqata e Pacientëve i thanë Nacionales se për shërbimet në këtë klinikë marrin ankesa vazhdimisht për listat e gjata të pritjes.

" Në Shoqatë të Pacientëve ka shumë ankesa për listë të pritjes. Ligji për të drejtat dhe përgjithësitë e qytetarëve në kujdesin shëndetësor thotë se pacienti ka të drejtë me u trajtua në një afat të arsyeshëm kohor. Afat i arsyeshëm është kur atij nuk i pengohet lëvizja, gjerat të cilat i pengojnë për të bërë një jetë normale”, thotë Kodra.

Ai sqaron se Ortopedia është Klinika e cila e ka listën më të gjatë të pritjes në vend.

“Problem përveç që janë furnizimi me medikamente e material, mbetet edhe një mundësi që të bëhen lista fiktive në mënyra që të pengohet qasja e pacientëve për të marrë shërbime në publik, e duke iu mundësuar që të shkojnë në privat. Ne e kemi pasur një ankesë për një grua që ka pasë me u operu në vitin 2016. Prej vitit 2016 ajo grua nuk lëvizë. Do të thotë me ia pengu lirinë e lëvizjes në atë formë, nuk është aspak e drejtë”, sqaron tutje Kodra.

E me lista të pritjes të pacientëve QKUK-ja ballafaqohet tash e disa vite. Listë të Gjatë të pritjes ka edhe në klinikat e tjera për stentim dhe koronarografi.

Si pasojë shumë qytetarë detyrohen që trajtimin ta gjejnë jashtë institucioneve publike shëndetësore por edhe jashtë vendit./Nacionale.com/

Lajme të ngjashme