Maliqi pas rastit të rëndë: Prijësit moralizues na kërkojnë mos me u vra, sepse gëzohet armiku - NACIONALE

Maliqi pas rastit të rëndë: Prijësit moralizues na kërkojnë mos me u vra, sepse gëzohet armiku

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Politologu Agon Maliqi ka thënë se kultura e “burrërisë toksike” i ka këmbët të shtrira në shoqëri e institucione.

Maliqi përmes një shkrimi në Facebook, ka reaguar pas vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Maliqi ka përmendur edhe vendimin e Qeverisë për uljen e pagave për prokurorët dhe gjykatësit, ndërsa e ka theksuar edhe deklaratën e Kurtit që e bëri kur reagoi për rastin e sontëm.

“Kultura e burrnisë toksike që i ka të shtrira këmbët në çdo pore të shoqërisë dhe në çdo institucion mbetet e verbër ndaj përgjegjësisë që e ka për dehumanizimin e grave dhe misogjininë që po e prodhon këtë varrezë masive. Ndërsa prijësit e dashur moralizues që ua përgjysmojnë rrogat prokurorëve dhe gjykatësve, na kërkojnë mos me u vra mes veti sepse mes tjerash gëzohet armiku”, ka shkruar ai.

Kryeministri Kurti ndërkaq, po kritikohet për reagimin e tij në lidhje me rastin e rëndë, për shkak të një fjalie të përfshirë aty.

“Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë. E papranueshme dhe e padurueshme”, thuhet mes tjerash në shkrimin e Kurtit.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka konfirmuar se një 35 vjeçare është vrarë në oborrin e repartit të Gjinekologjisë.

Siç ka raportuar gazeta Nacionale më herët, i dyshuari ende nuk është arrestuar nga Policia e Kosovës.

Nacionale ka mësuar se trupi i pajetë i viktimës është tërhequr nga vendi i ngjarjes nga IML.

Gazetarja e Nacionales, Anita Nikaj, e cila raportoi nga vendi i ngjarjes, ka mësuar se viktima ishte e shtrirë në repartin Obstetrik dhe ishte në javën e fundit të shtatzënisë.

Lajme të ngjashme