Gjithçka që dihet deri më tani për vrasjen në QKUK - NACIONALE

Gjithçka që dihet deri më tani për vrasjen në QKUK

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një 35-vjeçare shtatzënë është vrarë në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, më konkretisht para repartit të Gjinekologjisë. Çfarë dihet deri më tani rreth këtij rasti?

Zëdhënësja e policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka konfirmuar se kanë pranuar informacionin për vrasjen rreth orës 18:00.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje”, ka thënë ajo.

Hetimet kanë nisur, ndërsa pyetur nga Nacionale se a është arrestuar i dyshuari, Ahmeti ka konfirmuar se dorasi nuk shtë kapur ende.

Gazetarja e Nacionales, Anita Nikaj, e cila po qëndron në vendin e ngjarjes ka teguar se viktima ishte e shtrirë në repartin Obstetrik dhe ka qenë në javët e fundit të shtatzënisë.

Veç kësaj, Nacionale ka parë se Gjinekologjia është mbyllur, ndërsa stafi mjekësor po përdorë hyrjen emergjente.

Para pak minutash, ka arritur në vendin e ngjarjes edhe prokurori i rastit dhe forenzika.

Ndërkaq, Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka reaguar pas kësaj ngjarje të rëndë, duke thënë se kanë nisur hetimet.

“Qendra Klinike Universitare e Kosovês konfirmon se sonte rreth orës 18:00, në oborrin e QKUK-së ka ndodhur një vdekje. Organet policore menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe dyshimet e para nga Policia janë se bëhet fjalë për vrasje Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim të sqarimit të plotë të ngjarjes. Detajet e tjera do të jepen nga organet kompetente që janë duke kryer hetimet”, thuhet në njoftimin e tyre.

Tjetër rast që tronditi vendin

Para një javë, një mësuese rreth moshës 60 vjeçare u vra nga bashkëshorti i saj i moshës rreth 70 vjeçare. Ky i fundit, është arrestuar.

Rasti i natës të së mërkurës, ka tronditur vendin ku politikanë e aktivistë kanë reaguar përmes rrjeteve sociale.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku ka thënë se është e shokuar nga ky krim.

“Dy gra që vriten pikërisht brenda periudhës së kampanjës kundër dhunës me bazë gjinore. Për monstrumin e sotëm që shuajti dy jetë, një në mes e tjetrën pa filluar ende, dënim maksimal”, ka shkruar Çitaku.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk mjafton vetëm puna e organeve të sigurisë, por edhe mobilizimi i shoqërisë.

“I tronditur nga lajmi për vrasjen makabre që ndodhi në SHSKUK. Ky akt i shëmtuar dhe qyqar, kundërshton traditën tonë shqiptare dhe vet logjikën njerëzore. Nuk mjafton vetëm puna e organeve të rendit dhe ligjit, por duhet një mobilizim i joni si shoqëri, në të gjitha nivelet, që të tilla tragjedi të parandalohen e të mos i përjetojmë asnjëherë. Ndajmë dhembjen me familjen dhe të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Aktivistja Zana Avdiu ndërkohë, ka shkruar se në vendin tonë, nuk ka siguri për gratë.

“Hala pa u ba java qe u vra mizorisht nje grua, sic raportojne mediat sot u vra nje tjeter, nje grua shtatzane, para Gjineokologjise. As gjendje lufte, as nuk di. Ne kete vend, s’ka siguri per grate!”, tha ajo.

Lajme të ngjashme