Arrestohet i dyshuari për sulmin ndaj futbollistit Belgin Jashari, dërgohet në mbajtje për 48 orë
Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin për sulmin ndaj futbollistit Belgin Jashari, për të cilin raportoi Gazeta Nacionale.
Në një njoftim për media, Policia e Kosovës ka bërë me dije ka identifikuar të dyshuarin M.K, i lindur në vitin 1978.
I njëjti, është dërguar në mbajtje për 48 orë.
"Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime urgjente hetimore lidhur me një incident të ndodhur gjatë një ndeshjeje futbolli në Obiliq.
Sipas informacioneve të disponueshme, më 25 prill 2025, është identifikuar dhe intervistuar në prani të prindit i dëmtuari, lojtari B.J.
Ndërsa më 26 prill 2025, është identifikuar dhe intervistuar i dyshuari M.K., i lindur në vitin 1978.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti penal për veprën penale "Sulmi", dhe i dyshuari është ndaluar për 48 orë” - thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë, me 300 euro gjobë është dënuar Shkolla e Futbollit “Arsenal” në Prishtinë.
Në vendimin që e ka parë Nacionale, FFK-ja e ka dënuar shkollën e futbollit “Arsenal” për lëshim në organizim, pra hyrje të personit të paautorizuar në fushë. Vendimi ishte marrë ditën e djeshme.
“Ndaj SHF Arsenal, ndeshja mes SHF Arsenal dhe SHF Fushë Kosova (Liga A, U15) e zhvilluar më 20.04.2025 në Mazgit. Motivi: Lëshim në organizim, hyrje e personit të paautorizuar. SHF Arsenal dënohet me gjobë prej 300 eurosh. Në bazë të Kodit të Disiplinës dhe Etikës, neni 6 pika 1 në c dhe neni 18 pika 2 nën a”, thuhet në vendimin të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale.