Kurti poston përsëri për krimin në QKUK, flet për zinxhirin që duhet dorëhequr
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se po “inspektohet” puna e institucioneve përkatëse të përfshira në rastin e Hamide Magashit, 35 vjeçares që u vra mbrëmë nga ish-bashkëshorti, e që paraprakisht, kishte lajmëruar policinë për dhunën e ushtruar nga ky i fundit. Megjithatë, në shkrimin e tij nuk përmenden Ministria e Drejtësisë apo ajo e Punëve të Brendshme.
Kurti përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se ka aprovuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje.
Mes tjerash, ai ka thënë se po bëhet inspektimi i punës së zyrtarëve policorë, përfshirë zbatimin e urdhrit mbrojtës, inspektimi i punës së zyrtarëve në Qendrën për Punë Sociale dhe inspektimi i punës së zyrtarëve në repartin e gjinekologjisë në QKUK.
“Në bazë të përgjegjësive që mbartin institucionet përkatëse, po bëhet: inspektimi i punës së zyrtarëve policor, përfshirë zbatimin e urdhrit mbrojtës; inspektimi i punës së zyrtarëve në Qendrën për Punë Sociale; inspektimi i punës së zyrtarëve në repartin e gjinekologjisë në QKUK; ndarje urgjente e buxhetit për zbatim të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës; dhe, në rastet e caktimit të urdhrit mbrojtës të bëhet bastisje e shtëpisë së personit të dyshuar”, ka shkruar shefi i Qeverisë.
Sidoqoftë, në postim Kurti nuk ka folur për dy ministra të tij, Albulena Haxhiun e Xhelal Sveçlen, të cilëve iu kërkua dorëheqja nga opinioni publik.
