Kursimet e pakta shkaktojnë telashe të mëdha në shëndetin mendor të kosovarëve - NACIONALE

Kursimet e pakta shkaktojnë telashe të mëdha në shëndetin mendor të kosovarëve

2 muaj më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Pagat e ulëta e kriza e kostos së jetesës, çmimet e larta të produketeve bazike e jo vetëm, ndikojnë në mungesën e kursimeve nga kosovarët. Edhe pse kur i lexon të dhënat nga Banka Qendrore e Kosovës, depozitat kapin shifra miliardëshe, megjithatë një pjesë e lartë e familjeve jetojnë nga asistenca sociale dhe nuk mund të kursejnë. Dhe kjo gjë, sipas psikologëve, shkakton stres, ankth e depresion.

Për shembull, në Britani të Madhe, sipas hulumtimeve të fundit, rreth 11 milionë britanikë kanë kursime prej më pak se 1.000 funtesh. Meqë në Kosovë nuk ka të dhëna të sakta se sa kosovarë kanë më pak se 50-100 euro kursime, mbetet vetëm që t’i trajtojmë problemet shëndetësore që shkaktohen nga kriza e mungesës së kursimeve.

Kursimet e ulëta krijojnë një kosto të lartë të shëndetit mendor. Psikologia Behare Bojaxhiu për Nacionalen ka thënë se ka trajtuar raste të caktuara të personave që kanë pasur probleme shëndetësore si pasojë e gajleve ekonomike.

Gjendja e ulët ekonomike dhe pamundësia për të kursyer janë njëri ndër faktorët e rrezikut për problematikat e shëndetit mendor. Po, kemi pasur raste që, për shkak të problemeve financiare, ka përjetuar problematika të shendetit mendor.” – ka thënë ajo.

Bojaxhiu shpjegoi se gjendja e ulët ekonomike e mungesa e kursimeve shkaktojnë ndjesi të pashpresë dhe ankth e depresion.

Pamundësia për të kursyer mund të shkaktojë një ndjesi të pashpresë dhe ankthi në individët, duke i shqetësuar ata për të ardhmen dhe aftësinë për të mbijetuar në rrethana ekonomike të vështira. Për individët që ndiejnë një mungesë të mundësive për të kursyer ose për të pasur një plan të sigurt për të ardhmen, ndjesia e depresionit mund të përkeqësohet. Mungesa e sigurisë financiare dhe perspektiva e dobët për të ardhmen mund të shkaktojnë edhe pagjumësi dhe depresion.” – ka thënë ajo.

Psikologia vë në pah se në disa raste, pamundësia për të kursyer mund të çojë në izolim social.

Në rastet më ekstreme, pamundësia për të kursyer ekonomikisht mund të çojë në izolim social. Individët mund të ndihen të pashpresë dhe të ndarë nga shoqëria për shkak të pamundësive për të marrë pjesë në aktivitete sociale dhe për t’i ruajtur lidhjet e tyre. Në rrethana ekonomike të vështira, individët mund të hasin në vështirësi për sigurimin e kujdesit shëndetësor për shkak të kostove të larta dhe sigurimeve shëndetësore. Kjo mund të çojë në përkeqësimin e shëndetit mendor për shkak të mungesës së trajtimit dhe mbështetjes profesionale.” – ka thënë ajo për Nacionalen.

Tutje, stresi për shkak të mungesës së financave mund të shkaktojë edhe dhunë në familje.

Stresi financiar mund të shkaktojë tension dhe konflikte në marrëdhëniet personale dhe familjare, duke e rritur ndjesinë e izolimit dhe vetëmohimit. Madje gjendja ekonomike mund te jetë po ashtu edhe njëri ndër faktorët e dhunës ne familje.” – nënvizoi ajo.

Në anë tjetër, ekonomisti Adem Qorrolli për Nacionalen ka thënë se roli i kursimeve ka të bëjë me të ardhurat që i kanë ekonomitë familjare kosovare.

Roli i kursimeve lidhet gjegjësisht me rolin e familjeve tona, realisht është një edukim gjithpërfshirës familjar dhe shkollor, sepse kursimi lidhet edhe tek edukimi i fëmijëve dhe brezave të rinj, por te familjet është dicçka më ndryshe, sepse kursimet lidhen me aspektin e të ardhurave që i kanë realisht familjet. Familjet tona nuk e kanë pasur komoditetin që të kursejnë, sepse familje që kursjenë, janë ato që i plotësojnë kriteret familjare dhe i përmbushin të gjitha shpenzimet dhe pastaj e ndiejnë veten komode që të bëjnë një kursim për një investim tutje.” – ka thënë ai.

Më tej, Qorolli ka treguar se si mund të kursehet në Kosovë, por shton se në vendin tonë mund të bëhet “kursim i dhunshëm”

E vetmja arsye për të kursyer në Kosovë është nëse futemi në pjesën e kredive dhe pastaj pjesa e kamatave shkon si pjesë kursimi, edhe pse e quajmë si kursim të dhunshëm, sepse duke hequr dorë nga të mirat që neve na i ofrojnë përpara, njeriu e ka më të vështirë që të kursejë për një pjesë periudhe apo pjesë vjetore.” – ka thënë ai.

Sipas të dhënave të Agjenicës së Statistikave të Kosovës (ASK), shkalla e papunësisë në Kosovë është 11.5 për qind.

Sa u përket kredive, në vitin që shkoi u regjistruan plot 114 milionë euro më shumë kredi konsumuese se më 2022, në total 608 milionë euro, ndërkaq mbitërheqja (overdraft) ishte rreth 471.8 milionë euro në vitin 2023.

Lajme të ngjashme