Bjeshkët në rrezik: Rruga që 'lidh' Deçanin me Plavën rrezikon të mos çojë në Plavë - NACIONALE

Bjeshkët në rrezik: Rruga që 'lidh' Deçanin me Plavën rrezikon të mos çojë në Plavë

1 javë më parë

nga Arbër Thaci

Tash e një kohë, projekti i rrugës Deçan-Plavë është përfolur shumë. Rruga që synon të lidh dy zona shqiptare, atë të Deçanit e Plavës, kishte sjellë përplasje kritika mes politikanëve, e përcjellur në sfond nga kundërshtimi i Kishës Ortodokse Serbe.

Ndikimet e mundshme në ambient i kanë shqetësuar bjeshkatarët, ndërsa kryetari i Deçanit e vlerëson pozitivisht projektin.

Bjeshkatarët kritikojnë projektin

Ditë më parë në bjeshkët e Belegut, një zonë e bukur turistike, filluan punimet e para për rrugën që lidh Deçanin me Plavën.

Por, në këtë hapësirën lidhen shtigjet e alpinizmit të “Peaks of Balkan” dhe “Via Drenica”, dhe bjeshkatarët e organizatat që merren me mbrojtjen e natyrës, po e kundërshtojnë projektin.

Sipas tyre, një rrugë e tillë në një lartësi mbi 2100 metra, do të shkaktojë dëme të mëdha për natyrën.

Nazmi Hasanramaj nga Klubi Alpin Prishtina, zona e bjeshkëve të Deçanit i takon rajoneve të pakta të cilat kanë arritur të ruajnë natyrën e paprekur, gjë e cila do të rrezikohet nga projekti në fjalë.

Një rrugë e tille e mundëson degradimin e mëtejmë të bjeshkëve sepse ndërtimet e egra do të vërshojnë pa kontroll, gjë e cila vetëm ka filluar dhe po vazhdon me ritme të frikshme. Të gjithë jemi pro zhvillimit dhe ndërtimit të infrastrukturës së duhur, por duhet të jetë brenda planit zhvillimor dhe strategjive afatgjata zhvillimore,” - shkroi ai për Nacionale.

Për më tepër, Hasanramaj thekson se meqë zona ku planifikohet të ndërtohet rruga është në zonën e parkut kombëtar, duhet të ketë studime më të thelluara për projektin.

Meqenëse shumica e rrugës kalon nëpër Park Nacional do të duhej një studim më i thellë i fizibilitetit, konsultim me ekspertë të ambientit, botës së gjallë, ujërave dhe ekspertë të turizmit. Përveç kësaj, ende nuk ka ndonjë iniciativë serioze për Plan Zhvillimor të qëndrueshëm dhe në pajtueshmëri me standardet e Parqeve Nacionale. Sigurisht në të ardhmen do të jemi dëshmitarë të dëmeve që vijnë nga mungesa e planifikimit të mirëfilltë për këtë projekt,” shtoi ai.

Në vlerësimin e Hasanramajt, kjo rrugë nuk do të lidh Deçanin me Plavën, gjë që është edhe synimi kryesor i projektit.

Një shqetësim shtesë është edhe zona e Malit të Zi. Andej nuk ka rrugë, nuk ka plan për rrugë drejt Plavës, nuk ekziston ky koncept dhe nuk lejohet nga institucionet e Malit të Zi. Pra, kjo rrugë e kushtueshme përfundon në Bjeshkët e Belegut në kufi dhe nuk sjell qarkullim ndërkufitar është rrugë Deçan-Bjeshkë,” - përfundoi fjalën e tij Hasanrama.

Kryetari i Deçanit flet ndryshe

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ndonëse e pranon se një projekt i tillë do të dëmtojë ambientin, ai shprehet se asgjë nuk ka ndryshuar sa i përketë planeve. Po ashtu, sipas tij projekti në është në koordinim të plotë me autoritetet e Malit të Zi.

Nuk ka ndonjë ndryshim të projektit, kontrata është e njëjta, që është nënshkruar në 2018. Realisht çdo gjë po zbatohet sipas kontratës fillestare... Ne prej 2018 e kemi një bashkërendim të veprimeve me institucionet e Mali të Zi, ata e kanë hartuar një projekt, e kanë bo fizibilitetin e këtij projekti, e kanë bo një buxhet që është solid - bëhet fjalët për një trase 8 kilometërshe që ata duhet me hapë”, tha ai.

Tutje, sipas tij gjithçka është e planifikuar, përfshirë buxhetin e duhur për përfundimin e projektit.

“Unë besoj që kanë me pas buxhetin e duhur për të realizuar projektin. Por projekti është i hartuar dhe është i përfunduar edhe studimi i fizibilitetit, unë kam pasur më shumë se 7 takime me autoritetet e Plavës edhe me kompaninë që e ka fitu kontratën për me hartu këtë projekt. Në 2020 kam pasur takim me ish-kryeministrinë e Malit të Zi dhe me ministrinë e Infrastrukturës, ka qenë edhe kompania e jonë projektuese në takim”, deklaroi Ramosaj, në fjalën e tij për Nacionale.

Ramosaj është goxha optimist për rrugën, duke theksuar se projekti do të gjallërojë turizmin në Deçan.

Ankesa kur zbatohen projekt të mëdha normal që ka me pas, mirëpo mendoj së do të këtë në efekt pozitiv në zhvillimin e turizmit, sidomos në krijimin e shërbimeve. Për mua është e papranueshme që Deçani me mbet vend vetëm tranzitor, ku nuk afrohen shërbime qoftë të turizmit, qoftë të shërbime të përpunimit të produkteve blegtorale dhe produkteve malore. Deri tani, Deçani ka funksionuar vetëm si vend transiti për dy brende ndërkombëtare, "Peaks of Balkans" edhe "Via Dinarica", pohoi ai për Nacionale.

Akuzat politike

Diskutimi rreth kësaj çështje pati ngjallur një numër akuzash të lëshuara nga partitë e liderët ndaj njëri-tjetrit.

Në një debat parlamentar krye i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kishte akuzuar ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu për sabotimin e projektit.

Menjëhershëm, ministri Aliu kishte mohuar ato akuza për pengim të këtij projekti, duke qartësuar se bëhet fjalë për ri-shikim të tij, më saktësisht refuzim të një “by-passi” 18 kilometersh.

Nuk e kemi ndal buxhetin aspak. Ideja është të ndërtohet një rrugë 18 kilometra në vend të 6 kilometra brenda zonës së mbrojtur nëpër male dhe bjeshkë. Pse? Për shkak se kalon kah disa prona të caktuara. Kjo është gabim, sepse krijojmë një precedent të rrezikshëm dhe kudo që kemi zona të veçanta do të kërkojë të bëjmë bypass”, pohoi Aliu, në një seancë të Kuvendit të Kosovës.

Gazeta Nacionale ka tentuar të marrë një qëndrim nga Ministria e Infrastrukturës, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pasur përgjigje nga ky institucion qeveritar.

Madje, një rrugë e tillë, ishte kontestuar edhe nga Kisha Ortodokse serbe – atëbotë ky institucion patë lëshuar një komunikatë.

Qeveria e Kosovës ilegalisht ka nisur ndërtimin e rrugëve në rrugën transitore Deçan-Plavë brenda zonës speciale të mbrojtur përreth Manastirit të Deçanit”, thuhej

Lajme të ngjashme