Kundërshtohet paralajmërimi i Kurtit, kryeministri s`duhet të merret me prezencën e mjekëve në punë - NACIONALE

Kundërshtohet paralajmërimi i Kurtit, kryeministri s`duhet të merret me prezencën e mjekëve në punë

1 vit më parë

nga Gentiana Hasani

Në spitalet publike kosovare pritet të shtohet mbikëqyrja e kontrolli ndaj mjekëve për të parë nëse janë duke e respektuar orarin e punës. Nëse një mantelbardhë nuk e respekton orarin, atëherë ai do të raportohet. Ky vendim pritet të hyjë në fuqi pas propozimit të Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi që udhëhiqet nga vet kryeministri Albin Kurti. Por, çka mendojnë mjekët kosovarë e ekspertët për propozimet të këtij komisioni? Nacionale iu sjellë disa prej tyre.

Në Klinikën Emergjente të QKUK-së për nëntë muajt e parë të këtij viti janë kryer hiç më pak se 62 mijë e 300 vizita emergjente.

E gjithë këta pacientë i kanë pritur vetëm 23 specialistë mjekësor, sa shërbejnë në këtë klinikë. Këta janë të ndarë në katër ndërrime. Pra, rreth 4 ose 5 mjekë punojnë në një ndërrim në këtë klinikë.

Drejtori i Klinikës Emergjente të QKUK-së, Naser Syla, në një bisedë për Nacionalen tregoi për punën që këta mjekë po e bëjnë dhe për sfidat me të cilat ata po ballafaqohen.

“500% një mjek, ose infermier tek ne është i stërngarkun. Nga janari e deri në shtator kanë qenë 62 mijë e 300 pacientë në emergjencë që janë trajtua. Janë 23 specialistë që ndahen në katër ndërrime”, thotë Naser Syla

E javën e kaluar, Kurti si kryesues i Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi bashkë me anëtarët ka mbajtur takimin e dytë ku janë diskutuar disa pika rreth menaxhimit të shëndetësisë në vend. Në këtë takim është kërkuar më shumë përgjegjësi dhe mbikëqyrje nga drejtorët e klinikave dhe spitaleve në lidhje me ikjen e mjekëve nga orari i punës.

Por, Naser Syla nga Emergjenca e QKUK-së, thekson se në klinikën që ai e drejton, mjekët e respektojnë orarin e punës.

"Të gjitha herët është respektu orari i punës në Klinikën tonë. Çdo punëtor e di se në sa ora duhet të vijë në punë. Rëndësi ka, se sa është aktiv në orarin e punës ai mjek”, thotë ai.

E ish-kryetari i Federatave të Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla, thekson se çështja e vijueshmërisë së mjekëve në vendin e punës, nuk i takon zt. Kurti.

Unë mendoj që z. Kurtit s'i takon kjo çështje që të merret. Kurti e ka Bordin e ka ministrinë që të merret, menaxherët. Mendoj që është shumë jo serioze që të merret Kurti”, thotë ai.

Mjeku Blerim Syla ka edhe një pyetje për këtë çështje.

Pyetja ime është kështu: A kanë mundësi këta njerëz që t’i kontrollojnë spitalet private sepse ato janë në duar të oligarkëve. Shembull Arben Vitija është menaxher në spitale private. Atëherë s'i pritet të kontrollohen. Unë mund të ju them se mjekët punojnë shumë në kushtet në të cilat ata ndodhën”, thekson Blerim Syla

Edhe nga Shoqata e Pacientëve theksojnë se niveli qeveritar duhet të diskutojë për politikat shëndetësore e jo për prezencën e mjekëve në vendin e punës.

"Çështja e evidencave për vendin e punës është një temë që nuk duhet diskutuar. Është dashtë me diskutu se çka po bëjnë në punë. Realisht kjo temë duhet diskutuar në nivelin menaxherial të spitaleve, jo në nivelin qeveritar. Në nivelin qeveritar duhet diskutuar më shumë për politikat se si ta nxjerrim shëndetësinë nga kjo gjendje. Nuk e shoh rolin e këtij komisioni ekzekutiv që të merret me këtë punë. Komisioni nuk duhet të merret më çështje ditore të shëndetësisë, se a erdhën mjekët në punë a jo”, thotë për Nacionalen, Besim Kodra nga PRAK.

E ndërkohë urologu i QKUK-së, Liridon Selmani, e mirëpret vendimin e Qeverisë për themelimin e Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi.

“Më në fund vie një reagim i Qeverisë drejt ndërmarrjes së intervenimeve urgjente në përmirësimin e gjendjes në Shëndetësi. ....Nuk jam i sigurt nëse këto linja paralele të funksionimit janë shembull i mirë dhe efikas në kuptimin e dublifikimit të rolit të institucioneve - pasi tashmë ne kemi një Ministri të Shëndetësisë. Gjithsesi shumë më e lehtë do të ishte të caktohet një ministër tjetër më kompetent, se sa të kamuflohet dështimi i tij me formim të komisioneve shtesë”, ka shkruar Selmani ditë më parë për këtë çështje.

Kujtojmë se në mbledhjen e kaluar ky Komision ka konsideruar se ikja e mjekëve nga vendi i punës gjatë orarit zyrtar përbën kërcënim dhe rrezikim të jetës së pacientëve, sidomos në rastet kur këta mjekë janë të punësuar edhe në sektorin privat.

Për të siguruar respektimin e orarit të punës nga ana e punonjësve të institucioneve publike, sidomos atyre që janë të punësuar edhe në sektorin privat, Komisioni do të marrë masa për mbikëqyrje të shtuar ndaj të gjithë drejtuesve të njësive në sektorin publik që janë përgjegjës për kontrollin e mbarëvajtjes në punë të vartësve të tyre”, thuhej në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit./Nacionale.com/

Lajme të ngjashme