Komunitetet pakicë në Kosovë të përjashtuara nga tregu i punës, pothuajse 90 për qind të papunë - NACIONALE

Komunitetet pakicë në Kosovë të përjashtuara nga tregu i punës, pothuajse 90 për qind të papunë

3 vjet më parë

nga Halim Kafexholli

Papunësia në Kosovë është njëri nga problemet e vazhdueshme me të cilën në vazhdimësi janë ballafaquar qytetarët e Kosovës karshi institucioneve të brishta.

Tregu i punës në Kosovë vazhdon të jetë i varfër. Sipas statistikave më të freskëta të Agjensisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në Kosovë është 20,5 për qind.

Sidoqoftë, edhe më e rëndë është situata te komunitetet pakicë në Kosov,ë për të cilat qasja në tregun e punës është edhe më e vështirë, me theks të veçantë te komunitetet e romëve, ashkalinjve dhe egjiptasve. Institucionet në vend nuk arrijnë të ofrojnë mundësi të denja për përfaqësim të dinjitetshëm të këtyre komuniteteve.

Anëtarët e këtyre komuniteteve shpeshherë jetojnë në margjina të shoqërisë, me diskriminime dhe arritje të ulët arsimore. Ata vazhdojnë të jetojnë në vendbanime me kushte të vështira e me infrastrukturë të dobët. Përveç kësaj, anëtarët e komuniteteve të romëve, ashkalinjve dhe egjiptasve të Kosovës ballafaqohen edhe me barriera që çojnë në përjashtimin e tyre nga pjesëmarrja në të gjitha fushat e jetës.

Përveç me paragjykime e sfida të ndryshme, këto komunitete përballen edhe me papunësi dhe me angazhim në sektorin informal të punës.

Këto shqetësime i ka ngritur edhe Raporti i fundit i Progresit i Këshillit Evropian, i cili thekson se Kosova përballet me sfida strukturore të tregut të punës.

Ky raport nënvizon se komunitetet e romëve dhe ashkalinjve përballen me shkallë të lartë të papunësisë.

“Komuniteti rom dhe ashkali ballafaqohen me shkallën më të lartë të papunësisë (pothuajse 90 për qind ). Anëtarët e këtyre komuniteteve zakonisht punojnë në sektorin informal, në punësim me kualifikim të ulët”- thuhet në raport.

“Kosova vazhdon të përballet me sfida strukturore të tregut të punës që rrjedhin nga mospërputhja e aftësive, rritja e shpejtë e popullsisë në moshë pune dhe krijimi i vendeve të punës, dhe pjesëmarrja e ulët e vazhdueshme e grave dhe mundësitë e punësimit përgjithësisht të pasigurta (më pak se gjysma e të punësuarve kanë kontrata të përhershme pune)”- vazhdon tutje raporti.

Në programin qeveritar të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila aktualisht e drejton e vetme Qeverinë, thuhet se Qeveria do të punojnë për një shoqëri të drejtë e të barabartë për krijimin e kushteve të dinjitetshme për secilin komunitet.

“Në qeverisjen tonë nuk do të ketë vend për diskriminim në punësim, arsim apo mbështetje për ndërmarrësit, për komunitetet joshumicë. Komuniteteve joshumicë do t’ua hapim të gjitha rrugët dhe mundësitë që të ndihen dhe të jenë, jo vetëm të barabartë me secilin qytetar tjetër, por edhe bashkëpronarë të progresit tonë në ekonomi dhe shoqëri. Do të angazhohemi për shkollimin dhe aftësim në të gjitha nivelet e fëmijëve e të rinjve nga komunitetet romë, ashkalinj e egjiptas. Ndër të tjera, do ta shtojmë numrin e mësimdhënësve nga radhët e komuniteteve në nevojë”- shkruhet në programin e Qeverisë 2021-2025.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bekim Arifi nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim, thotë se janë në dijeni për të dalurat e raportit. Arifi shton se ky problem për komunitetin që e përfaqëson ai, është evdient që shumë vjet.

Në vazhdimësi kemi reaguar për çështjen e punësimit te komuniteti ashkali për të ndryshuar kjo gjendje, e cila vazhdon të na sfidojë. Edukimi te komuniteti im është ngritur dhe kemi kuadro që mund të kryejnë edhe punë në nivele të ndryshme”- thotë Arifi për gazeten Nacionale.

Arifi thotë se së fundmi, Qeveria ka marrë disa hapa në këtë drejtim.

“Së fundmi Qeveria e Kosovës e ka nisur themelimin e ekipit ndërinstitucional për nxitjen dhe promovimin e punësimit për komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptianë. Synimi është që të rritet numri i të punësuarve nga këto komunitete në institucionet e Kosovës”- thotë deputeti Arifi.

Në gusht të këtj viti, Qeveria e Kosovës hartoi një plan të strategjisë për avancimin e të drejtave të komuniteteve romë dhe ashkalinj si dhe e ka themeluar Ekipin Ndërinstiticional për Nxitjen dhe Promovimin e Punësimit për Komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptas në Republikën e Kosovës.

Drejtori i Qeverisjes së Mirë në Zyrën e Kryeministrit, Habit Hajredini, i ka shpjeguar më në hollësi iniciativat qeveritare për përmirësimin e kësaj situate.

“Strategjia dhe Plani i veprimit është hartuar nën udhëheqjen e Zyrës për Qeverisje të Mirë - Zyra e Kryeministrit. Strategjia dhe Plani i veprimit janë shumëdimensionale dhe përfshijnë shumë akterë. Prandaj, në kuadër të procesit të hartimit të kësaj strategjie, i është kushtuar rëndësi e veçantë të ketë një koordinim të mirëfilltë, si në institucionet e Kosovës, gjegjësisht ministritë, agjencitë dhe komunat, dhe, gjithashtu, me përfaqësues të komuniteteve, me shoqëri civile të komuniteteve romë dhe ashkalinj dhe ato që punojnë me këto komunitete"- ka thënë Hajredini për Nacionalen.

Sipas tij, ky plan veprimi synon që ta plotësojë hendekun e komuniteteve romë dhe ashkalinj, që i përfshin fushat e arsimit, punësimit dhe mirëqenies sociale, shëndetësisë, banimit dhe diskriminimit.

“Kjo Strategji paraqet një vazhdimësi të politikave për t'i garantuar të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve duke e përfshirë edhe punësimin”- shton ai.

Sipas regjistrimit të fundit të popullësisë në vitin 2011, të dhënat tregojnë se në Kosovë jetojnë 8.824 romë, 15.436 ashkalinj dhe 11.524 egjiptianë. Kështu, romët përbëjnë 0.51 për qind të popullsisë në Kosovë, ashkalinjtë 0.89 për qind dhe egjiptianët 0.66 për qind. Megjithatë, këto shifra nuk e paraqesin imazhin e saktë demografik të këtyre tri komuniteteve, meqë në regjistrim nuk morën pjesë të gjithë pjesëtarët e tyre dhe regjistrimi nuk është kryer në katër komunat veriore.

Lajme të ngjashme