KMDLNj: Kërcënimet për ndaljen e pagave, shkelje e të drejtave të njeriut
Ndaj paralajmërimeve të qeverisë që grevistëve do t’iu ndalohet paga, kanë reaguar edhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
Në një komunikatë për media, KMDLNj ka vlerësuar se kjo është shkelje e të drejtave të njeriut.
Sipas tyre, kjo është e rregulluar me Ligjin e Punës dhe Ligjin për Greva.
KOMUNIKATA:
Kosova po përballet me greva dhe kërcënim për greva shkaku se sindikalistët kanë kërkuar rritje të pagave e që po refuzohet nga qeveria. Nga të gjithë segmentet që kanë filluar grevën apo që do të bëjnë grevë së shpejti, arsimi është më i ndjeshmi dhe më kërcënuesi. KMDLNj - ë është deklaruar shumë herë se greva është mjet i skajshëm apo i fundit i një veprimi sindikalist. Në mungesë të vullnetit, në radhë të parë të qeverisë, që përmes dialogut me sindikata të gjejë zgjidhje sipas kërkesës së sindikatave apo, si zgjidhje kalimtare të jetë një marrëveshje e afatizuar, dy palët kundërshtuese janë barikaduar duke mos ofruar asnjë zgjidhje. Madje, këto sindikata janë shpërfillur nga qeveria, janë kërcënuar verbalisht dhe tani po kërcënohen se do të mbesin pa paga nëse bëjnë grevë. Natyrisht se, nëse ky kërcënim nga qeveria jetësohet do të ishte shkelje e rëndë e Ligjit të Punës dhe shkelje flagrante e të drejtave të njeriut për faktin se organizimi dhe veprimi sindikalist është i rregulluar dhe lejohen me ligj. Vetëm shtetet diktatoriale dhe fashiste kanë vepruar kështu ndaj gevistëve.
KMDLNj - ë thërret qeverinë e Kosovës t'i ulë armët e kërcënimit dhe të gjejë një zgjidhje bashkë me sindikatat. KMDLNj -ë ftonë sindikatat të përpiqen t'i shmangen grevës së përgjithshme deri të shterrje të të gjitha mundësive. KMDLNj përkrahë grevën, si e drejtë ligjore dhe e drejtë e njeriut vetëm kur mbetet mjeti i fundit për realizim të drejtave të tyre.