Jeta e të moshuarve në Skënderaj, shumë halle, pak para, e plot entuziazëm për shah e ping pong
Një bufe e mirërregulluar në Qendrën e Kulturës në Skënderaj, është hapësira që i mbledh në baza të përditshme dhjetëra pensionistë drenicas. Me muhabete të gjata, që shpesh përcillen me ankesa të panumërta e lojëra të ndryshme, pensionistët kalojnë ditët e pleqërisë.
Krejt e pavërejtshme ishte hyrja ime në bufenë e Shoqatës së Pensionerëve në Skënderaj. As prezenca e koleges Anita Nikaj që ishte disa hapa para meje në brendësi të bufesë, ishte e pamjaftueshme të pengonte burrat e moshuar të cilët nuk denjonin ta largonin kokën nga tabela e shahut mbi tavolinat e tyre.
Me një qetësi të kujdesshme, na afrohet kamerieri i bufesë, i vetmi jopensionist aty.

Me t’i shpjeguar që jemi gazetarë, na lutet të ulemi diku në periferi të bufesë, gjersa i afrohet ta informojë Kryetarin e Shoqatës së Pensionistëve - Shaqir Mecinaj, i cili sapo kishte përfunduar një lojë sfiduese shahu, me një bashkëkohës të tij.
“Fitorja është shumë më e bukur kur fiton me zor”, janë fjalët e para të 71-vjeçarit.
Meqenëse nuk di të luaj shah, frikohesha se drenicasit e shtyrë në moshë do të më sfidonin në tabelën 64-katrorëshe. Megjithatë, vazhdoj të besoj se inteligjenca është më e cenueshme për ata që nuk e kuptojnë shahun, apo siç thotë shkrimtari gjerman Gëte: Kjo lojë është guri i provës së mendjes njerëzore.

Gjithsesi, Shaqir Mecini fillon të më sqarojë se pensionistët në Skënderaj janë të lumtur që komuna i ka mundësuar kalimin në objektet e Shtëpisë së Kulturës në këtë qytet.
“Tash kena dalë në këtë objekt të qendrës së kulturës dhe e kemi shumë më mirë. Por kryetari na ka premtu një vend nëse fiton dhe tash jemi këtu, edhe na ka dhanë këtë lokal në shtëpi të mos pagujmë as qira as sen”, thotë Mecinaj.
Bufeja ku mblidhen çdo ditë këta pensionistë, është strehë që i lumturon ata, dhe loja e shahut, loja me gurë e domino është prezente në afërsisht dhjetë tavolinat sa ka bufeja e Qendrës së Pensionistëve.
“Në mblidhemi për çdo ditë këtu, me pi çaj, me pi kafe, më lujtë gurë, shah e domino”, tregon kryetari i kësaj shoqate.
“Mblidhemi kur t’kemi kohë, e kohë kemi boll”, reagon me shaka sekretari i shoqatës, Latif Miftari, duke nënkuptuar se ardhja e tij në bufe është e përditshme.
“Shkojmë nganjëherë në ekskursione, në Elbasan, n’Vlorë, kemi qenë në Velipojë së fundmi e qashtu organizohemi”, më thotë Miftari, nga tavolina tjetër.
Kurse Shaqir Mecinaj thotë së pavarësisht se pensionet e pleqërisë janë të ulëta, ata gjejnë lumturi në mbledhitë e tyre të përditshme.

Madje, përkundër pensioneve modeste, ata ndajnë para për mirëmbajtjen e bufesë.
“Financiohemi me pensione tona, nuk janë të mjaftueshme, por nuk po ankohemi. Po ia dalim diqysh, këtu pensionistët kanë krejt ndonjë familjar jashtë shteti që i ndihmon. Unë kam pasë qef me u dalë në ndihmë këtyre, që na me pasë mënyra se si me kalu kohën e mos me u mërzitë”, thotë Mecinaj, i cili ka gjashtë vite që ka dalë në pension.
Megjithatë, për gjendjen jo të mirë të pensionistëve nuk përton të flasë sekretari Latif Miftari.
“Pensionerët janë në gjendje të mjerueshme, po ky (Shaqiri) priton me folë. Kurgjo nuk janë ato shtesat e qeverisë, obligim e kanë pasë”, thotë Miftari, i cili kishte punuar si vozitës kamioni në vitet e para pensionimit.
Kurse, kryetari Mecinaj, më shpjegon se për vite të tëra kishte qenë punonjës komune në kohën e ish-regjimit të Jugosllavisë.

“Unë kam punu 40 vjet, kam punu në komunë në ish-sistemin e kaluar, në administratë. Kam qenë sekretar, drejtor i Administratës - shërbimeve publike”, më shpjegon ai, para se ta pyes me zë të lartë se a është kampion i bufesë në lojën e shahut.
“Ata që e mujnë nuk janë këtu”, reagon një burrë shtatlartë me kapelë, që po luante domino.
“Ata vijnë ekstra me mujtë Shaqën, nifarë Xhema është pastrues i qendrës, ai e munë”, thotë një zë tjetër, të cilin e pyes se si ndihen në bufenë e re.
“Shumë mirë, është lezet që mbledhemi qitu, i harron edhe ankesat e pleqërisë. 20-30 vetë mbledhemi, jemi kanë në një objekt tjetër është dashtë 42 shallë me i kalu pensioneri, jemi kanë mas shpinës t’zotit”, thotë ai, referuar kushteve të këqija ku operonte Shoqata e Pensionerëve.
Kurse Mecinaj tregon se e kanë në plan ta formojnë edhe Rrjetin e Gruas për gratë pensioniste.

“Na në status e kemi, pensionistëve të moshuar, dhe si të bëjnë 65 vjet e anej, e numërojmë i moshuar dhe ka të drejtë me ardhë me u anëtarësu. Jemi edhe në koordimin me Rrjetin e Gruas në Mitrovicë dhe do ta hapim edhe rrjetin për gra pensioniste edhe këtu. Zyrën e kemi, aktivitetin e zyrës e bojmë, kush do me pi, kjo bufe është edhe për gra e lirë edhe për qytetarët, nuk kemi kufizime”, thotë Mecinaj, ku të vetmin kufizim e kishin ndalimin e duhanit brenda bufesë.
Që duhani dhe Shaqir Mecinaj nuk kanë asgjë të përbashkët, kuptoj kur më tregon se është edhe trajner i ping pong-ut.
“Luj edhe ping pong, jam edhe trajner i këtij sporti dhe i stërvis disa djem e vajza të reja. A po don me lujtë”, më sfidon 71-vjeçari, që në fakt medoja që po tallet.
Tavolina e ping pong-ut ishte në katin përdhesë të Shtëpisë së Kulturës në Skënderaj, dhe nga mënyra se si Shaqa kapi reketin e lojës, u pajtova me humbjen, e si përfundim edhe ashtu ngjau - mblodha vetëm dy pikë nga 11 të mundshme, para se të uleshim për ta pyetur rreth pasionit dhe energjisë që ka Mecinaj për ping pong.
“Ia kam fillu diku në moshën 30-vjeçare. E kam kry shkollën për trajner ping pongu në Prishtinë. Jam trajneri i vetëm i këtij sporti në Skënderaj dhe vazhdoj i ushtroj disa të rinj. Kohëve të fundit ekipin e vajzave e kam ushtru më shumë dhe në të kaluarën kam mbërri që dy vajza tona nga Drenica me reprezentu Kosovën edhe në gara jashtë. Njëra ka lu në Katar atje, tjetra në Luksemburg në Kampionat Evropian, do me thanë prej Drenicës”, tregonte krenarisht Mecinaj, teksa i linte përshtypje loja e Anitës, e cila po luante me njërin nga nxënësit që stërvit Shaqir Mecinaj.

“Ty t’kisha pasë në Skënderaj, t’kisha bo trajnere të çikave. Se paske qef me lujtë dhe qenke e shkathtë”, i thotë ai Anitës, e cila megjithatë humbi, me një rezultat shumë më të dinjitetshëm sesa i imi.
Madje, Anita, kolegia ime, si lojtare e shahut, insistonte që të kthehemi në zyrën e pensionistëve për t’i sfiduar në lojën ë shahut.
Pasi më bindi, së bashku më Anitën filluam ecjen për në objektin e pensionistëve.
Fatkeqësisht, Anita nuk arriti të luante asnjë lojë shahu me drenicasit e moshuar.
Tashmë ata ishin larguar.