Ismaili i PDK-së: Hera e parë që një qeveri po tenton t'i shtypë grevat me mjete ndëshkuese - NACIONALE

Ismaili i PDK-së: Hera e parë që një qeveri po tenton t'i shtypë grevat me mjete ndëshkuese

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, përmes një reagimi në Facebook, ka akuzuar qeverinë e vendit se po tenton t’i shtypë grevat me mjete diskriminuese e ndëshkuese.

“Nuk ka qeveri pas luftës që nuk është përballë me greva. Por është hera e parë që një qeveri po tenton t'i shtypë grevat me mjete diskriminuese e ndëshkuese. Kjo qasje është e pashembullt.” - tha Ismaili.

Tutje, ish-ministri i shëndetësisë ka thënë se mosekzekutimi i pagave të mjekëve, infermierëve, arsimtarëve e mësuesve, zjarrfikësve etj., përbën një formë të re të shtypjes dhe frikësimit.

“Ta vëmë në perspektivë: Albin Kurti dhe Hekuran Murati kanë ndalur të gjitha rrogat në nivel lokal, si për ata që janë në grevë, si për ata që nuk janë në grevë, pa marrë parasysh profesionin. (Lexoje edhe njëherë! Është e vërtetë dhe lajm tashmë i konfirmuar). Mosekzekutimi i rrogave të mjekëve, infermierëve, arsimtarëve e mësuesve, zjarrfikësve etj. në të gjitha Komunat e Kosovës është formë e re e shtypjes dhe e frikësimit.” - cilësoi nëkryetari i PDK-së.

Sipas z. Ismaili, ky veprim i ekzekutivit ka të bëjë me ‘diktat e dhunë psikike, si dhe me terror persekutues që dhjetëra e mijëra familje i fut në ankth’.

“Kjo s'ka të bëjë me demokraci, as me qeveri që buron nga vullneti i popullit e as me qeveri që punon për popullin. Kjo ka të bëjë me diktat e dhunë psikike, si dhe me terror persekutues që dhjetëra e mijëra familje i fut në ankth.” - tha ai.

Në fund të këtij reagimi, Ismaili tha se pas rreth 2 vite të qeverisjes, prindërit e nxënësit e punëtorët e arsimit, mjeket e infermieret kanë mbetur pa adresë.

“Pas afër 2 viteve qeverisjeje, të hutuar janë prindërit e nxënësit, pa adresë për të dialoguar janë punëtorët e arsimit, pa mbështetje janë mjekët e infermierët, pa rrymë e pa investime është Kosova.” - shkroi ai në Facebook.

Reagimi i plotë i Ismailit në Facebook:

Lajme të ngjashme