Intervistë | Ahmeti: Politikanët dhe qytetarët e infektuar i kemi trajtuar në mënyrë të barabartë
Ka qenë ndër figurat kyçe në luftën kundër Covid-19. Për më shumë se dy vjet ballafaqim me këtë virus, punës në Klinikën Infektive të doktorit që për 40-vite ka punuar aty, Salih Ahmetit, i erdhi fundi. Ahmeti u pensionua si mjek. Por mantelin e bardhë thotë se asnjëherë në jetë nuk do ta braktisë. Në një intervistë për gazetën Nacionale, infektologu kosovar thotë se pandemia Covid-19 ka qenë njëra nga sfidat më të mëdha të jetës së tij. Ai thotë se asnjëherë nuk është ballafaquar me aq shumë vdekje e vuajtje në spitalet kosovare.
“Moment më të rëndë për mjekun nuk ka asnjëherë se sa kur e humb një pacient. Sidomos me pacientët kur janë në moshë të re, raste të dhimbshme, nëna lehona, shtatzëna”, thotë Ahmeti.
Por krahas kësaj, ai shpjegon edhe për momentet kur me të vërtetë është ndier shumë krenar për punën e tij si infektolog. Në intervistën me Nacionale, Ahmeti ka folur po ashtu edhe për kushtet në të cilat punojnë kolegët e tij, si dhe ndihmën që shteti po ua ofron atyre. Po ashtu ai ka folur edhe për Linë e Majmunëve, të cilës thotë se Kosova nuk do t’i shpëtojë.
Nacionale:
Ka pak muaj që ju keni dalë në pension. Keni qenë një ndër figurat kryesore në luftimin e pandemisë përgjatë dy viteve. Si po shkojnë këto ditë?
Salih Ahmeti:
Të them të drejtën, meqenëse kam qenë i angazhuar në Këshillin Shkencor të Kongresit të Mjekëve, ditët kanë qenë rekalsuese. Por pensionimi tash besoj që është më relaksues pas një pune shumë të mundimshme gati dyvjeçare. Sidoqoftë, pensionimi, çfarëdo varianti që është, është një moment që sjellë emocione. Njeriu ndahet prej një ambienti ku ka jetu e vepru për 40 vjet. Është edhe privilegj për secilin që ka fatin ta shijojë këtë periudhë me shëndet të mirë.

Natyrisht ndarjet janë emocionale, por sidoqoftë, ndarjet më tepër, në rastin tim janë administrative. Me kolegët që kam kalua kohë, emocionalisht nuk mund të ndahem asnjëherë. Ne, bashkëpunimet tona me projekte të ndryshme, takime, do t'i vazhdojmë ende. Periudhën e pensionimit nuk e shoh si periudhë të ndërprerjes së aktivitetit. Njeriu nëse ka ambicie të punojë, gjithkah mund ta bëjë atë. Gjatë periudhës së pandemisë, ajo që më së tepërmi më ka munguar ka qenë koha. Përkushtimi im i madh ndaj pacientëve gjithmonë më ka marrë kohë të madhe.
Nacionale:
Në kohën e pandemisë, ju keni qenë figura kyçe e mantelbardhëve në Klinikën Infektive. Krahas qytetarëve të rëndomtë, shërbime mjekësore nga ju kanë kërkuar edhe figura të shquara publike. Nga ta, edhe shumë politikanë. Si ka qenë shërbimi me ta?
Salih Ahmeti:
Që nga fillimi i pandemisë, ne kemi ba të gjitha përpjekjet që ta fitojmë besimin te pacientët. Krijimi i besueshmërisë mjek - pacient, është gjithmonë i rëndësishëm. Në asnjë rast tjetër nuk ka qenë kjo më e rëndësishme sesa në rastin e Covidit. Kjo, për faktin se krijimi i besimit te mjeku, ka sjellë relaksim te pacienti, zbutje të anës psikike e fobisë që shpesh ka sjellë komplikime. Me punë të përgjithshme, të lodhshme e rraskapitëse, më vjen mirë që ne ia kemi dalë gjatë kësaj pandemie. Pacientët tanë na kanë besuar neve, dhe jam i bindur që kanë bë mirë që na kanë besu. Ne kemi bë çmos për ta.
Unë nuk dua ta humb modestinë, por mendoj që trajtimi në Klinikë (Infektivë) ka qenë shumë i mirë dhe se pacientët tanë nga cilido nivel qofshin, qytetarë të zakonshëm e politikanë të nivelit më të lartë, tek ne janë trajtuar njësojë. Na kanë besu të gjithë. Një kategori e veçantë e të infektuarve, e shumë rendë madje, kanë qenë edhe mjekët. Dhe edhe kjo kategori na ka besu neve.
Nacionale:
Ka pasur ndonjë moment gjatë luftës me Covid-19 kur keni dashur të dorëzoheni?
Salih Ahmeti:
Jo! Realisht, i lodhur e i rraskapitur kam qenë maksimalisht, saqë ndonjëherë edhe unë kam thanë se a do të mund t’ia dal më tutje. Por shpeshherë, si më i vjetri, më me përvojë, shpeshherë është dashur që para kolegëve ose pacientëve të tregohem i fortë, i qëndrueshëm edhe kur vërtetë s'kam qenë. Ne s'e kemi pasë punë luftën ndaj Covid-19. E kemi pasë mision. Lodhje e rraskapitje sa të duash, por dorëzim asnjëherë.

Nacionale:
Cili ka qenë momenti më i rëndë në punën tuaj përgjatë këtyre dy viteve në luftën kundër Covid-19?
Salih Ahmeti:
Moment më të rëndë për mjekun nuk ka asnjëherë se sa kur e humb një pacient. Sidomos me pacientët kur janë në moshë të re, raste të dhimbshme, nëna lehona, shtatzëna.
Është shumë e dhimbshme kur e ke një pacient kur e ke pritë se do të bëhet mire. Por Covidi ka ditur të sjellë shumë herë të papritura. Ecurinë e sëmundjes sidomos në shumë raste e ka rreziku tromboza. Kemi pasë pacientë kur rrjedha e rikuperimit ka shkuar shumë mirë. Por ka ndodhë një akces trombo-embolik i cili e ka rëndu ose e ka marrë jetën e pacientit. Kanë qenë momente shumë të rënda.
Nacionale:
Ju mungon sot manteli i bardhë?
Salih Ahmeti:
Po e kompensoj ngapak me punë në ordinancën time. Por manteli i bardhë t’ju them të drejtën më mungon shumë, gjithmonë. Sidoqoftë, unë po e bëj një muaj që jam pensionuar. Kam shkuar në klinikë infektive 2-3 herë. Por ajo dëshira me i bë vizitat në reparte më mungon shumë. Ata pacientë e mungesa e tyre më vërehet shumë.
Nacionale:
A e kemi fituar betejën kundër Covid-19?
Salih Ahmeti:
Unë mendoj që ne jemi në fazat e përfundimit të pandemisë. Por ende nuk e kemi përfunduar. Covidi është përcjellë shumë herë me të papritura. Unë po besoj që përkundër vështirësive që ne i kemi pasur, problemeve, humbjeve të mëdha, megjithatë, ia kemi dalë mirë. Unë po i shoh përvojat e vendeve tjera në këtë kongres, e tu i pa rrethanat se si kanë punuar mjekët kosovarë, pandemia është menaxhuar mjaft mirë.
Nacionale:
Cili ka qenë momenti më emocionues i karrierës suaj?
Salih Ahmeti:
T’ju them të drejtën, atë moment e kam ndier të enjten. Marrja e dekoratës me emrin e doktor 'Ali Sokolit', të cilin unë kam arritur ta njoh, ka qenë motivim e udhërrëfyes për mua personalisht e gjithë mjekët kosovarë për punën profesionale. Marrjen e një dekorate të tillë e kam konsideruar si nder e privilegj. Po them po ta merrja këtë çmim në një moshë më të re, kisha premtuar obligime të mëdha për hir të këtij çmimi. Por ja që në këtë moshë nuk mund të premtoj shumë.

Nacionale:
A rrezikohet Kosova nga Lija e Majmunëve?
Salih Ahmeti:
Unë mendoj se mund të kemi raste . Por nuk do të kemi ndonjë shpërthim epidemik kërcënues i cili do të kishte përmasa si të Covid-it. Por, mundësinë e shfaqjes së rasteve, nuk duhet ta eliminojmë. Do ta ndërlidhja me Malarjen. Ne asnjëherë deri në vitin 2010 nuk e kemi pasur. Atë vit kemi pasur rastet e para jo-autoktone, por te personat që kanë qenë me punë të përkohshme në vendet afrikane që janë endemike. Dhe njëjtë mendoj se mund të kemi ndonjë rast, por jo ndonjë shpërthim kërcënues epidemiologjik.
Nacionale:
Çka do t’u rekomandoje kolegëve tuaj mantelbardhë?
Salih Ahmeti:
Unë do t’u rekomandoja që brenda mundësive të vazhdojnë me entuziazmin edhe mbështetjen e pacientëve si në kohën e Covid-19. Unë mendoj që shteti ynë ka obligime ndaj shëndetësisë kosovare, e në mënyrë të veçantë ndaj mjekëve kosovarë. Duhet gjetur mënyra për mbështetje më të fuqishme ndaj mjekëve tanë që janë shumë premtues që t'i ndalim këtu e mos të na ikin jashtë.
Nacionale:
Ku mund ta gjejnë tash e tutje pacientët doktor Saliun?
Salih Ahmeti:
Nga pacientët, njeriu edhe pse pensionohet, nuk ndahet asnjëherë. Unë në shërbim të qytetarëve jam gjithmonë, përmes telefonit, shërbimeve të ndryshme. Qe, edhe në këto kushte e rrethana, për pacientët. Unë e kam ordinancën time private dhe disa shërbime mund t’i kryej aty. /Nacionale.com/