Hoti: Serbia ka paraqitur kërkesa të reja në dokumentin për të zhdukurit
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka treguar se Serbia ka paraqitur kërkesa të reja për çështjen e të zhdukurve.
Ai ka thënë se draftin e fundit që ishte gati për tu nënshkruar tashmë e ka ndryshuar Serbia.
Sipas tij, në dokumentin e dhjetorit shteti serb ka shtuar disa paragraf më të cilët nuk pajtohet pala kosovare.
“Drafti i dhjetorit që unë e kam parë, janë shtuar një apo dy paragrafë të tjerë nga Serbia, vetëm me prolongu këtë proces, që ka qenë shumë afër nënshkrimit, edhe pse e kanë lënë tash këtë problemin madhor që e kanë pasur ‘persona të zhdukur me forcë’, ai është aty tashmë ekziston aty, nuk merren me të por i kanë shtuar disa kërkesa të reja të panevojshme, të paarsyeshme, të pakuptueshme për një deklaratë të tillë dhe unë natyrisht nuk i pranoj të tilla dhe besoj që nëse largohen ato uroj të nënshkruhet, nuk e di nëse do të nënshkruhet”, ka thënë Hoti për Kosovapress.
Ai ka bërë me dije se këto kërkesa po bëhet për të prolonguar procesin.
“Nuk e di nëse do të nënshkruhet tani, pas asaj të gushtit Serbia për me prolongu këtë proces, me prolongu këtë deklaratë, ka qit kërkesa të reja, ka qit paragrafë të rinj, që për ne janë të papranueshme”, është shprehur Hoti.