Heshtja e shtetit: Tre punëtorë të vdekur brenda një dite
Shteti në heshtje. Askush nuk flet. Vëmendja te politika, konstituimi, Albin Kurti e Fatmir Limaj. Saktësisht te marrëveshja politike.
Megjithatë, kur për mbi 5 muaj partitë nuk po merren vesh për zgjidhje, temperaturat po shkojnë gati në 40 gradë, punëtorët e ndërtimtarisë nuk e ndalin punën.
Vetëm në ditën e djeshme, tre punëtorë kanë humbur jetën në vendet e tyre të punës. Dy në Gjakovë, e një në Istog që ishte lënduar para pak javësh në vendin e punës.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili konfirmoi se dy personat që kanë vdekur janë të moshës madhore.
“Sot rreth orës 08:15, jemi njoftuar se dy persona (meshkuj të moshës madhore) janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Gjakovë, dyshohet si pasojë e lëndimeve të pësuar në vendin e punës, në rrugën “Bardhyl Qaushi ” në Gjakovë. Më pas është konfirmuar edhe vdekja e tyre. “Njësitë relevante të Policisë kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarr veprime hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit”, ka deklaruar ai.
Për vdekjen e tyre, Prokuroria Themelore e Gjakovës ka ndaluar dy persona për 48 orë.
Ata janë ndaluar për shkak të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
“Brenda afatit të paraparë ligjor, ndaj të njëjtëve do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit. Prokuroria e Shtetit, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e këtij rasti”, deklaroi Prokuroria.
Tek pas një dite, Inspektorati i Punës doli me një reagim për media duke thënë se subjekti ku ka ndodhur incidenti, ka qenë i dënuar dy herë.
"Inspektorati Qendror i Punës është angazhuar me të gjitha kapacitetet e tij njerëzore dhe ligjore për të hetuar rrethanat e këtij rasti dhe për të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që nuk kanë zbatuar detyrimet ligjore në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë. Ju informojmë se subjekti ku ndodhi aksidenti ka qenë më herët dy herë i gjobitur nga Inspektorati i Punës për shkelje të përsëritura në këtë fushë. Kjo e bën edhe më të papranueshëm faktin që nuk janë ndërmarrë masat e duhura për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve", thuhet në reagim.
Një tjetër punëtor humbi jetën, si pasojë e lëndimeve që mori në vendin e punës në Istog. Fjala është për një 65-vjeçar.
“Ngjarja ka ndodhur në fshatin Gurrakoc të Istogut më 24 qershor, kur viktima kishte pësuar lëndime në vendin e punës. Për shkak të lëndime të rënda, ai fillimisht ishte dërguar në spitalin rajonal të Pejës, e më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Me urdhër të prokrurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, konfirmuan nga Policia.
Kjo situatë, ka nxitur reagimin e Sindikatës së Sektorit Privat dhe Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
Në anën tjetër, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, ka ndërmarrë një aksion simbolik mbrëmë, duke shkruar disa parula afër Inspektoratit të Punës.
“Vdekja e tre punëtorëve është vrasje e paralajmëruar, siç kanë qenë edhe ato të mbi 200 punëtorëve të vdekur në dhjetë vitet e fundit. Nëse shteti do i qëndronte krah punëtorëve, këto vdekje do të parandaloheshin. Por, kur kompanitë vrasin, e shteti bën sehir, ne duhet të revoltohemi, të organizohemi, të kërkojmë drejtësi dhe të qëndrojmë krah njëri-tjetrit për të marrë kontroll mbi jetën dhe punën tonë si dhe të drejtën për të punuar dinjitetshëm e frymuar pa rrezikuar vdekjen”, thuhet në komunikatë.