Haxhiu: Dhuna ndaj grave, një realitet i hidhur edhe në komunitetet jo shumicë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu sot mori pjesë në një tryezë të organizuar në Prizren, me përfaqësues të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.
Ministrja Haxhiu theksoi se që nga marrja e mandatit është zotuar dhe ka shprehur gatishmërinë për trajtimin e rasteve të dhunës.
“Unë kam qenë dhe jam pranë shqetësimeve të qytetarëve; kemi bashkëpunuar me shoqëritë civile, partnerët strategjikë, organizata vendore e ndërkombëtare, që të hartojmë nismat më të mira ligjore, sa u përket trajtimit të viktimave, por edhe sa u përket trajtimit dhe ndëshkimit ndaj dhunuesve”, tha ministrja Haxhiu.
Para të pranishmëve, ministrja Haxhiu kërkoi përfshirje aktive të komunitetit joshumicë në proceset e ndryshme që ka vendi.
“Jemi bashkërisht qytetarë të kësaj Republike, të cilën e duam dhe për të cilën duam të punojmë më shumë. Është atdheu ynë ku jemi lindur dhe ku synojmë t’i rrisim fëmijët tanë. Është vendi ku duam t’i realizojmë ëndrrat për fëmijët tanë, në një ambient prosperues, që mundëson dhe garanton një jetë me dinjitet. Jam e bindur që të bashkuar do të kalojmë çdo vështirësi”, tha ministrja Haxhiu.