As për 8 mars nuk pati qetësi: Pesë pësuan dhunë në familje, tri të mitura u ngucën seksualisht
Dje u shënua 8 marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas. Si duket shumë gra e vajza nuk patën mundësi ta festojnë këtë ditë të veçantë, pasi përjetuan dhunë e ngacmime nga burrat.
Në raportin 24 orësh nga Policia e Kosovës, vetëm për 8 mars, figurojnë 5 raste të dhunës në familje, një ngacmim seksual e një person tjetër nuk e ka përfillur urdhërin mbrojtës që kishte gruaja e tij.
Përsëri në të gjitha rastet e raportuara, viktimat janë femra.
Bile në qytetin e Gjakovës, një mashkull dyshohet se ka ngacmuar seksualisht tri femra të mitura.
“Gjakovë/Është arrestuar i dyshuari kosovar nën dyshimin e kryerjes së veprës së lart-cekur ndaj tri femrave të mitura. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
E në Prizren, një grua, ani pse posedonte urdhnër mbrojtës, është përballur me bashkëshortin i cili më herët kishte kryer dhunë ndaj saj.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se i njëjti kishte shkuar tek bashkëshortja e tij dhe i kishte thënë se do ta largojë nga shtëpia edhe përkundër se bashkëshortja e tij kishte urdhër mbrojtës, pas një rasti të mëhershëm dhunë në familje. I dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.
Rastet e dhunës në familje
“Prishtinë/Viktima mashkull kosovar ka njoftuar se është sulmuar fizikisht nga djali i tij i dyshuari mashkull kosovar. Viktima është dërguar në trajtim mjekësor. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Graqanicë/Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi, që në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Prishtinë/Viktima femër kosovare ka njoftuar se nipi i saj i dyshuari mashkull kosovar e ka sulmuar fizikisht. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje.
Vushtrri/Viktima femër kosovare ka njoftuar se bashkëshorti i saj e ka dëbuar me forcë nga shtëpia bashkë me djalin e saj 2 vjeçar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa viktima është dërguar në strehimore.
Zveçan/Ankuesja kosovare ka njoftuar se nipi i saj i dyshuari mashkull kosovar, nën ndikim të substancave narkotike, e ka sulmuar fizikisht si dhe ka demoluar gjërat shtëpiake. Gjatë kontrollit në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar dy fishekë. Viktimës i është lëshuar nga gjykata urdhër mbrojtës. I dyshuari gjendet në arrati. Rasti në hetime”.
