Festa e Krishtlindjeve: Dodë Gjergi me thirrje për solidaritet e paqe, urojnë edhe liderët politikë - NACIONALE

Festa e Krishtlindjeve: Dodë Gjergi me thirrje për solidaritet e paqe, urojnë edhe liderët politikë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë është mbajtur mesha kryesore e Krishtlindjeve, e udhëhequr nga Ipeshkivi i Kosovës, Dodë Gjergji.

Me këtë rast, ai dha mesazhe për mirësinë, afërsinë dhe solidaritetin, duke thënë se Krishtlindjet janë mundësi për të qenë mirënjohës dhe për të përforcuar vetëdijën tonë.

Duke përmendur rëndësinë e Krishtlindjeve, Ipeshkvi Dodë Gjergji tha kjo është festë për të qenë falënderues ndaj Krijuesit, për të cilin tha na bën më të fortë.

Ipeshkvi Dodë Gjergji bëri lutje edhe për personat në nevojë, teksa bëri thirrje për më shumë paqe në botë, për të cilën tha po shkatërron fatin e shumë njerëzve.

“Dëshiroj me gjithë zemër t’i lutem Zotit për të gjithë njerëzit që kanë nevojë, për të sëmurët, për ata të cilët u mungon kujdesi, dashuria, sidomos lutem për paqe në botë sepse paqja në shumë vende është duke shkatërruar fatin e shumë njerëzve, jetën e shumë të pafajshmëve dhe në që kemi përjetuar këtë të keqe të angazhohemi që të ruajmë paqen pas nesh”, tha ai.

Ai gjithashtu bëri thirrje për më shumë dashuri mes njëri-tjetrit dhe për promovim të tolerancës ndër fetare, për të cilën tha se është pasuri për shoqërinë tonë.

Me rastin e Krishtlindjeve, mesazhe urimi kanë dërguar përfaqësues fetarë e politik në Kosovë.

Ka uruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Krishtlindja është një kohë reflektimi e solidariteti, teksa zemrat dhe shtëpitë janë të mbushura me shpresë e optimizëm. Në këtë ditë kremte, le t`i kujtojmë ata që mund të përballen me sfida dhe t'ua shtrijmë dorën e mirësisë e dhembshurisë”, ka shkruar ajo.

Në rrjete sociale ka uruar edhe kryeministri Kurti.

“Lindja e Jezu Krishtit është një ngjarje dashurie që zgjat vazhdimisht, e cila përmbushë vullnetin e Perëndisë sot, tani dhe gjithmonë. Përmbushja e vullnetit të Zotit nuk njeh kalimin e kohës, por mbetet "gjithmonë tani" e përjetësisë. Ata që marrin paqen e Krishtit, vetë bëhen paqebërës dhe pjesëmarrës në lumturinë e Perëndisë. Lindja e Jezu Krishtit para më shumë se dy mijë vitesh, si ardhje e lajmit të mirë mes njerëzish, përçoftë edhe më tutje çdo ditë fjalën e Perëndisë në zemrat e atyre që besuan. Urime Krishtlindja të gjithë katolikëve dhe protestantëve si dhe urime atyre ortodoksëve që lindjen e Krishtit e festojnë më 25 dhjetor”, thuhet në postim.

Një urim për besimtarët katolikë e ka bërë edhe myftiu Naim Tërnava.

“Festa e Kërshëndellës është moment i veçantë për besimtarët e krishterë, sepse në zanafillën e saj ka lindjen, shpresën e mbarësinë. Festat fetare te ne, ashtu si edhe besimet tona, te populli ynë gjithherë kanë qenë momente të reflektimit, që kanë përçuar unitet, dashuri, mirëkuptim e harmoni, vlera këto të shtresuara thellë në identitetin tonë. Zotni Ipeshkëv, përmes jush, uroj e përgëzoj edhe të gjithë praninë ndërkombëtare katolike në Kosovë”, thuhet në urim.

Lajme të ngjashme