Familja si riprodhim i dhunës - Për shtatë vjet në Kosovë u raportuan afër 12 mijë raste - NACIONALE

Familja si riprodhim i dhunës - Për shtatë vjet në Kosovë u raportuan afër 12 mijë raste

1 vit më parë

nga Halim Kafexholli

Dhuna në familje mbetet një ndër problemet kyçe me të cilat përballet shoqëria kosovare. Organizimi mbi premisat patriarkale i cili pushtetin në familje e koncentron kryesisht tek burrat, konsiderohet si shkaku kryesor që familja kosovare prodhon dhunë në këto përmasa, ku viktimat, në masë të konsiderueshme janë gratë.

Pa i llogaritur muajt e vitit 2022, rastet e dhunës në familje përgjatë shtatë viteve, përkatësisht në vitin 2015 – 2021 janë stratosferike. Zakonisht, viktima të kësaj dhune janë gratë.

Të dhënat e pasqyruara nga organizata që avokon për të drejtat e grave, Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA), mbështetur nga Fondacioni i Mileniumit i Kosovës dhe Korporata e Sfidave të Mileniumit (MCC), tregojnë se nga viti 2015 deri në vitin 2021 janë raportuar 11,708 viktima të dhunës në familje.

Para dy ditësh, në ekranin te Hotel Grand në kryeqytet, ka filluar shfaqja e videografikës me shifrat e rasteve të dhunës ndaj grave. Të dhënat e pasqyruara janë mbledhur dhe përpunuar nga QIKA përgjatë shtatë muajve të fundit si pjesë e projektit "1≠1". Mbi 80 për qind e viktimave të dhunës në familje në Kosovë janë gra, andaj edhe është përdorur qëllimisht shprehja numerike "1≠1" pasi përshkruan në mënyrë simbolike pabarazitë ekzistuese.

“Për dy muaj me radhë në hapësirën me qarkullimin më të madh në Prishtinë, qytetarëve do t'u ekspozohen shifrat alarmante të rasteve të dhunës ndaj grave me qëllim të ndërgjegjësimit për rëndësinë e angazhimit kolektiv kundër dhunës”, thuhej në njoftimin e kësaj organizate.

Sipas publikimit të kësaj organizate, rastet më të shumta të raportimit të dhunës në familje janë paraqitur në rajonin e Prishtinës ku për këto vite janë raportuat gjithsej 3,398 raste, pasuar nga komuna e Prizrenit me 1,742 raste.

Nëse marrim për bazë këto shifra të raportuara të dhunës, i bie që në Kosovë për çdo vit raportohen afërsisht 1670 raste të dhunës, e përkthyer kjo me rreth 120 raste në muaj apo katër raste në ditë.

Drejtorja Ekzekutive në Qendrën për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA, Leonida Molliqaj, në një prononcim për gazetën Nacionale ka thënë se ambienti në Kosovë nuk garanton jetë të sigurtë për të gjitha gratë dhe se institucionet në vend janë përgjegjëse

“Institucionet janë përgjegjëse për të garantuar jetë të sigurt për të gjithë. Grave në Kosovë po u mohohet kjo e drejtë”, thotë Molliqaj.

Sipas saj, referuar shifrave enorme të raportimeve për dhunë, ku target i kësaj dhune janë kryesisht gratë, duhet që qeveria të ketë agjendë kyçe dhe të ndërmarrë hapa konkretë për trajtimin e dhunës në baza gjinore.

“Duke pa shifrat alarmante të dhunës në familje ku më së shumti viktima janë gratë, konsiderojmë që qeveria do të duhej ta kishte agjendë kyçe luftën ndaj dhunës. Strategjitë e dokumentet kundër dhunës janë të rëndësishme, por kanë ekzistuar gjithmonë. Pra, edhe në qeverisjet e kaluara. Kemi nevojë për hapa konkretë që e trajtojnë dhunën në baza gjinore me urgjencë dhe nga të gjitha dimensionet”, thotë drejtoresha QIKA-s.

Molliqaj mendon se institucionet e drejtësisë shpesh kanë dështuar t’i trajtojnë rastet e raportuara nga gratë.

“Institucionet e drejtesisë, përfshirë policinë, shpesh kanë dështuar të trajtojnë drejt rastet e raportuara nga gratë. Për këtë kemi dëshmi aktgjykimet seksiste dhe trajtimin diskriminues që e kanë përjetuar shumë gra në këto institucione”, thotë Molliqaj.

Edhe në bazë të një raporti të publikuar nga OSBE, dhuna ndaj grave në Kosovë është fenomen mjaft i përhapur.

Sipas hulumtimit nga OSBE, thuhet se më shumë se gjysma e grave që kanë pasur partner thonë të kenë përjetuar dhunë psikike, fizike apo seksuale nga partneri i tyre, që nga mosha 15 vjeçare.

Ky hulumtim tregonte se tek burrat ende mbizotrojnë qëndrimet tradicionale mbi barazinë gjinore. Gati shtatë nga dhjetë burra që ishin pjesë e studimit (69.5%) u pajtuan që burri “duhet të ketë fjalën e fundit në lidhje me vendimet në shtëpinë e tij”. Një përqindje e ngjashme (72.8%) besojnë se roli më i rëndësishëm i një gruaje është të kujdeset për shtëpinë dhe familjen e saj.

Për socilogen Teutë Rrusta, premisa që prodhon dhunë në familje është pikërisht rendi patriarkal që organizon familjen në Kosovës.

Sipas saj, rastet e dhunës janë ende të nënraportuara krahas realitetit.

“Ajo çfarë ndodh në shtëpi dhe mënyra se si i përgjigjen institucionet përkatëse, siç janë policia dhe gjyqësia, shpesh legjitimojnë praktikën tradicionale që raportet familjare janë personale dhe si të tilla rregullohen sipas rendit patriarkal”, mendon Rrusta.

Për të, denoncimi i dhunës ka ngjarë që shpesh të përkthehet në kërcënim për viktimën.

“Denoncimi i dhunës shpesh ka ditur të jetë kërcënim për viktimën, duke mos pasur as adresim të duhur nga instancat dhe as adresë të re banimi për ta shmangur përsëritjen. Ato gra që raportojnë kanë minimumin e sigurisë për jetën e tyre”, thotë Rrusta për Nacionale.

Sociologia përmend shkaqet e shpeshta të dhunës, që sipas saj nuk janë të njëllojta.

“Kemi shtresëzim të shkaqeve. Ndonjëherë SHKAKU (psh. varfëria ekonomike) është vite larg PASOJËS (dhunës fizike). Ka raste që burimi nuk është financa e dobët ose papunësia, por norma shoqërore e cila rolet gjinore (dhe tjerat) i ndërton përmes përjashtimit dhe shtypjes. Norma kërkon nga gratë disa detyrime që ato të trajtohen dinjitetshëm. Por norma i përdor edhe burrat në funksion të mbajtjes së rendit riprodhues biologjik e shoqëror. Hierarkia e tillë prodhon viktima”, sqaron Rrusta, e cila thotë se struktura ekonomike dhe ajo shoqërore, duke qenë mbi premisa të pabarazisë, shkakton dhunë.

Rrusta thotë tutje se raportimi i dhunës është “jetik”, mirëpo, siç mendon ajo, sa i përket kësaj problematike, Kosova ende mbetet pa vëmendje institucionale dhe “familja e institucionet mbeten riprodhues të dhunës”.

Lajme të ngjashme