Fabrika e tyre akuzohet për ndotje të ajrit, vëllezërit Geci: Po tentojnë prishjen e imazhit tonë - NACIONALE

Fabrika e tyre akuzohet për ndotje të ajrit, vëllezërit Geci: Po tentojnë prishjen e imazhit tonë

4 vjet më parë

nga Anita Nikaj

Dikur konsiderohej si arritja më e madhe ekonomike në Drenicë. Por tash, fabrika e bllokave që punëson afërsisht 50 punëtorë, po akuzohet nga banorët e Skënderajt për ndotjen e ambientit. Pronarët, që janë vëllezërit e njohur Geci nga Llausha, thonë se asnjëherë nuk kanë pranuar ankesa nga banorët. Ndërsa, komuna e Skënderajt, deklaroi se për shkak të kompetencave të kufizuara, ankesat e banorëve i kanë adresuar në Ministrinë e Ambientit, e cila, përkundër interesimit të Nacionales, nuk ka kthyer përgjigje.

E funksionalizuar në vitet e 80-ta, fabrika e bllokave e ndërpreu punën gjatë kohës së luftës, për t’ia rifilluar në vitin 2005, kur Agjencia e Privatizimit ia shiti kompaninë vëllezërve Geci.

Tani kjo fabrikë ka afërsisht 50 punëtorë, varësisht nga kërkesa e tregut.

Pavarësisht përfitimeve ekonomike që i sjell komunës së Skënderajt, qytetarët ankohen se po ua pamundëson jetën banorëve që jetojnë në afërsi të kësaj fabrike.

“Si të çohem duhet me ndejtë me një leckë n’dorë me e fshi tavolinën e oborrit, tani me hi mrena me bo kafen, se s’ki çka sheh nga mbetjet që vijnë prej fabrikës”, fillon rrëfimin një banore e lagjes 2-3 në Skënderaj, e cila insistoi të mbetet anonime për arsye personale.

As bahçet e mbjella me perime nuk po i shpëtojnë pluhurit që vjen nga kjo fabrikë.

“Këtu kam mbjellë kepë, kastraveca, patlixhana... qysh po e sheh edhe ti vetë, krejt janë me hi që vjen prej fabrikës. Krejt gjethet e mbuluara, po edhe fryti, përveç kepëve që janë ndër dhe, se përndryshe asnja nuk hahet këtu”, tha banorja, që ankohet pa ndalur për problemin e ndotjes nga fabrika e vëllezërve Geci.

Por, e njëjta nuk qëndron për pronarët e kësaj fabrike. Vëllezërit Geci insistojnë se pluhuri që lëshon fabrika është një ndotje e vogël që nuk i bën dëm askujt.

“Më pasë kanë e damshme unë më së pari nuk i kisha lënë femijët e mi këtu me jetu, e as veten. Nëse del najkush prej komunës a prej qeverisë që na thotë se jemi tu shkaktu ndotje të ajrit, atëherë ne e ndalim prodhimin. Mund të ketë pak ndotje, ama nuk është e dëmshme”, tha njëri nga vëllezërit e shumtë Geci.

Ata pohojnë se asnjëherë nuk kanë marrë ankesa nga ndonjë banor, por disa individë po tentojnë t'ua prishin imazhin.

Por, informacione të tjera ka nga Komuna e Skënderajt. Institucionet komunale, që udhëhiqen nga Partia Demokratike e Kosovës, i treguan gazetës Nocionale se në adresë të tyre kanë pranuar ankesa nga banorët. Megjithatë, për shkak të kompetencave të kufizuara, nuk kanë arritur të bëjnë asgjë. Por, të njëjtat, thonë t’i kenë adresuar në nivelin qendror.

“Edhe në të kaluarën kemi pranuar ankesa nga banorët e zonës në afërsi me fabrikën. Në mungesë të inspektorit të mjedisit, ne ankesat e tyre i kemi adresuar në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, meqë është në kompetencën e kësaj ministrie që përmes aparaturës përkatëse të bëhet matja e nivelit të emetimit të gazrave nga tymtarët e objekteve industriale. Si Drejtori Komunale e Inspekcionit, nuk kemi ndonjë raport inspektimi”, tha Valon Halili nga Drejtoria e Inspektoriatit të komunës së Skënderajt.

Pronarët e fabrikës çuditen se pse banorët po i adresojnë ankesat e tyre përmes mediave, e jo direkt në adresë të tyre.

“Qëllimin s’e di ku e kanë, ata duhet me ardhë drejt e tek ne, jo me shku përmes mediave, pasi që mediat e drejtojnë ketë temë siç dojnë ato, dhe ne mundemi me u dëmtu”, shton njëri nga vëllezërit Geci.

Hapësira e gjelbër dhe e pastër përreth fabrikës, nuk krijonte përshtypjen se gjatë procesit të punës fabrika lëshon në ajër mbetje toksike.

Futja e fabrikës në punë bëhet përmes një lënde me bazë qymyri, me përmbajtje të lartë karboni të quajtur koks, e cila liron dioksid karboni në sasi të mëdha.

Mungesa e kontrollit të ndotjes së ajrit nga Ministria e Mjedisit, i ka dhënë hapësirë ​​fabrikës së bllokut në Skënderaj që të funksionojë lirshëm.

Përveç fabrikës së vëllezërve Geci, të lira duart i kanë edhe mbi 8 fabrika të tjera të bllokut që operojnë momentalisht në Kosovë.

“Le të vijnë ministria, edhe të thonë që ne jemi duke e ndotur ajrin, ne atëherë menjëherë kemi me e ndalë prodhimin, por deri më tani nuk ka ardhur askush. Le të behët matja e ajrit në komunën tonë. Nëse ne jemi duke e ndotur ajrin, atëherë ne marrim pergjegjësinë”, nënvizojnë Gecët.

Ata i tregojnë Nacionales se janë duke e menduar vendosjen e një filtri në fabrikën e tyre, por kostoja e lartë e tij ua vështirëson një ndërrmarrje të tillë.

“Ne kemi menduar që të vendosim një filter që përmes ujit e bën filtrimin e grimcave toksike, ku uji nuk i lë të dalin jashtë në hapësirë, por kostoja e vendosjes së këtij filteri është shumë e lartë. Ne nuk mund ta përballojmë këtë kosto, sepse pas pandemisë dhe krizës, e cila është duke ndodhur tash, ka rënë prodhimi”, tha Nehat Geci, njëri nga pronarët.

Një banor tjetër i rrethinës, rrëfeu për Nacionalen problemet që po ua shkakton ndotja e ajrit nga fabrika e bllokave.

“Ata atje as që dojnë me ni për këtë punë, e as që dojnë me ditë që na çdo ditë përballemi me problemet e njëjta. S’kem çka dalim në oborr, s’mundemi me i vendosë teshat në tel, as verë e as dimër. Fasadat e shpijave krejt janë nxi, këqyre anej bahçen që kemi mbjellë, krejt të hinta. Mos me mujtë njeri me dalë në oborr të vetin, se s’dojnë me harxhu për filtera”, i tha Nacionales D.H. në kushte anonimiteti.

Por, ankesat e shumta e të vazhdueshme të tyre, ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje. Mungesa e zgjidhjes nga ana e autoriteteve komunale e qendrore, i ka mllefosur qytetarët.

“Ne nuk kemi kah shkojmë. Qeto shpija mezi i kemi maru, por po na detyrojnë me i shitë edhe këto”, tha një tjetër banor.

Vëllezërit Geci, me gjithë këmbënguljen tonë për një sqarim më të gjerë se si kanë planifikuar vendosjen e filtrave, nuk kanë ofruar një përgjigje më të qartë.

As Inspektorati Komunal nuk tregoi nëse ata kanë inspektuar ndonjëherë fabrikën, pavarësisht ankesave të mëdha nga banorët.

Kosova kryeson vendet e Ballkanit Perëndimor për sa i përket vdekjeve nga ndotja e ajrit. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia Evropiane e Mjedisit, Kosova ka mbi 3000 vdekje në vit si pasojë e ajrit të ndotur.

Për çështjen e ndotjes së ajrit nga fabrika e bllokave në Skënderaj, Nacionale ka kërkuar sqarime nga Ministra e Ambientit e udhëhequr nga ministri Liburn Aliu. Ata, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk kanë kthyer përgjigje.

Lajme të ngjashme