Eksponentët e pushtetit hapin tri fushata kundër grevës në Fb pasi s'dinë të shkruajnë foljen 'filloj' - NACIONALE

Eksponentët e pushtetit hapin tri fushata kundër grevës në Fb pasi s'dinë të shkruajnë foljen 'filloj'

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Mësimi duhet të filloi? Mësimi duhet të fillojë? Apo, mësimi duhet të filloj? Nëse përgjigjen nuk e dini, atëherë mos u bëni fort merak sepse nuk e dinë as eksponentët e pushtetit që kanë hapur fushatë me tre ‘hashtagë’ të ndryshëm, duke mos mundur të qëllojnë ‘në shenjë’ drejtshkrimisht.

Së fundi, shefja e deputetëve të Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, Mimoza Kusari Lila e bëri një status në profilin e saj në Facebook e në të cilin bënte thirrje që mësimi të fillonte prej nesër.

Ajo provoi të bashkohej me fushatën e hapur nga eksponentët e pushtetit, e që në mënyrë të duhur shkruhet “#mësimiduhettëfillojë” por nuk ia doli. Kusari nuk e dinte se si shkruhej folja “fillojë” në veten e tretë njëjës, kohën e ardhme. Ajo shkroi “#mësimiduhettëfilloi”.

Kjo bëri që të hapej një fushatë e re në Facebook përmes kësaj fjalie të shkruar gabimisht.

“Filloi” si folje përdoret vetëm në veten e tretë, në të kryerën e thjeshtë të mënyrës dëftore.

Sidoqoftë, siç tashmë e thamë, ka edhe një fushatë të dytë të shkruar me të njëjtën logjikë, por me një shkronjë ndryshe. Ajo thirret “#mësimiduhettëfilloj”, pa Ë. Këtë mënyrë të të gabuarit e kanë përdorur emra të njohur aktivistësh të VV-së, përfshirë Arijeta Rexhepin.

Ndërkohë, në anën e drejtë të historisë, duke bërë fushatë kundër grevës përmes ‘hashtagut’ që shkruhet si duhet #mësimiduhettëfillojë ka fatmirësisht më shumë eksponentë të pushtetit.

Për çudi, aty bën pjesë edhe deputeti Haki Abazi – i njohur për gabime të shumta drejtshkrimore në postimet e tij në Facebook – por edhe deputetë të tjerë që shkruajnë e shprehen në mënyrë korrekte si Enver Haliti e Tinka Kurti.

Në anën tjetër, deputeti Dimal Basha të cilit sot iu publikuan disa nota të dobëta gjatë kohës sa kishte qenë në shkollë të mesme, nuk bën pjesë në asnjërën prej tri fushatave të hapura. Ndoshta, për shkak të pasigurisë ‘drejtshkrimore’? Në dëftesën e siguruar nga gazeta Nacionale, e të cilën nuk e mohoi Basha, ai në Gjuhë Shqipe e kishte të mbyllur notën tresh (3) por qëndronte më keq në lëndët Matematikë (2), Fizikë (2) dhe Biologji (1).

Kujtojmë se diskutimet mes grevistëve dhe Qeverisë së Kosovës kanë dështuar gjatë vikendit dhe për nesër nuk parashihet të mbahet procesi i rregullt mësimor.

Lajme të ngjashme