Dy protesta para qeverisë, një takim me Kurtin e një me Sveçlën: Kur do të plotësohen kërkesat e Njësisë Speciale? - NACIONALE

Dy protesta para qeverisë, një takim me Kurtin e një me Sveçlën: Kur do të plotësohen kërkesat e Njësisë Speciale?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Dy protesta i kanë zhvilluar para Qeverisë së Kosovës. Megjithatë, asnjëra nuk dha rezultat. Rezultat nuk dha as takimi i Njësive Speciale Intervenuese me kryeministrin Albin Kurti. Madje, u raportua se gjatë takimit ka pasur mospajtime të thella.

E pak më shpresëdhënës po del të ketë qenë takimi që pati Sindikata e Policisë me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Kryetari i Sindikatës, Imer Zeqiri, deklaroi se ata e kanë të ditur që kërkesat nuk mund të plotësohen menjëherë. Megjithatë tha se pas takimit ka shpresë.

Sipas tij, me ministrin janë pajtuar që të gjitha kërkesa dhe pakënaqësitë të realizohen me dialog.

Ai tha se në këtë takim, ku i pranishëm ishte edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, janë dakorduar që kërkesat do të analizohen në detaje nga MPB-ja dhe në takimin e ardhshme të vendosen se cilat do të kenë prioritet.

“Të bëhem shumë i sinqertë që biseda ka qenë jashtëzakonisht konstruktive edhe nga ministri Sveçla edhe normal nga drejtori i Policisë, pasi ishte prezent edhe ai aty. Gjatë tërë bisedës janë biseduar të gjitha kërkesat që i kemi parashtruar. Janë 14 kërkesa për të cilat kemi folur dhe bisedë e sipër në realitet nuk është marrë ndonjë vendim. Është marrë vendim që këto kërkesa të analizohen në detaje dhe në takimin e ardhshëm të vendosen se për cilat do të vendosen prioritete”, ka theksuar Zeqiri.

Zeqiri ka thënë se edhe Sindikata e kupton se që të gjitha këto kërkesa, nuk mund të realizohen menjëherë.

Ai tha se takimi i ardhshëm pritet të ndodhë në janar të viti të ardhshëm.

“Është shumë normale që të gjitha këto kërkesa, edhe ne po deklarohemi që nuk mund të realizohen menjëherë. Mirëpo, ne kërkuam edhe u dakorduam bashkë me ministrin që në takimin e ardhshmen të vendosim se prioritete për të cilat kërkesa janë të mundshme që të realizohen për Policinë e Kosovës. Ka qenë një bisedë konstruktive dhe shpresëdhënëse të gjitha këto kërkesa dhe pakënaqësitë të realizohen me dialog. Unë po shpresoj se kështu do të rrjedhë edhe situata në vazhdimësi dhe në takimin e ardhshëm do t’i vendosim prioritet për cilat kërkesa mund të realizohen tani e cila nuk munden”, tha ai.

Sindikata e Policisë së Kosovës kishte dorëzuar peticion me mbi 5 mijë nënshkrime nga policët. Peticioni i është dërguar Komisionit për të Drejtat e Njeriut.

Aty, Policia ka adresuar 10 kërkesa konkrete për përmirësimin e kushteve të punës.

10 kërkesat kryesore janë: Ligji i Pagave, shtesa për rrezikshmëri në punë, shtesa për punë të veçantë, klasifikim në koeficient për stafin civil, shujta mujore, shpërblimi për fundvit për performancë të mirë, tre paga përcjellëse për të pensionuarit, zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25 për 15 vitet e para, sigurim shëndetësore dhe jetësor, ligji për pensionimin në Policinë e Kosovës.

Qeveria i kishte prezantuar më 27 tetor shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë.

Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë prej 150 euro mbi pagën bazë.

Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria ka thënë se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.

Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarë të hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj.

Ekipet reaguese dhe patrullat, që përbëjnë numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj, kurse policëve që angazhohen për sigurinë e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve, do t’iu ndahen nga 50, përkatësisht 40 euro shtesë të rrezikshmërisë.

Lajme të ngjashme