Dorëzohet shkolla "Ali Sokoli", i bashkohet grevës së thirrur nga SBAShK-u
Pas grevës së thirrur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, shume fëmijë gjetën dyert e mbyllura të shumicës së shkollave.
Ndryshe prej viteve të tjera, nxënësit nuk iu kthyen bankave të mësimit, me përjashtim në pak shkolla të vendit.
Mes shkollave të pakta që nuk ndaluan mësimin ishte shkolla e mesme e mjekësisë “Ali Sokoli” e cila u raportua se filloi vitin shkollor duke zhvilluar mësimin në klasa.
Mirëpo pak orë pas kësaj, siç raporton KTV, edhe kjo shkollë ka mbyllë dyert duke i’u bashkangjitur kështu grevës së thirrur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
Kujtojmë që lidhur me grevën e thirrur, ndodhi një përplasja e ashpër mes SBASHK-ut dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati.
Dje u kuptua që pushteti aktual ka marrë një vendim, që gjerësisht u cilësua si skandaloz. Me vendim të Thesarit, që është pjesë e Ministrisë së Financave, pagat në sektorin publik, për punëtorët e arsimit dhe të tjerë, nuk janë ekzekutuar.
Ministri Murati, njoftoi dje se grevistëve dhe mësimdhënësve nuk u janë ekzekutuar fare pagesat. Sipas tij, mos-pagesa e pagave është bërë për shkak të vonesave në dorëzimin e listave të personave që janë në grevë.