Deputeti i VV-së: Këto krijesa që rrahën gruan e moshuar janë të liga e të poshtra
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli, ka reaguar ashpër në lidhje me rrahjen brutale të pacientes së moshuar në Pejë, qytet nga vjen edhe vetë Agusholli.
Ai ka thënë se videoja e rrahjes tregon se sa të liga dhe të poshtra janë infermieret që rrahën pacienten e moshuar.
“Qe moti kohë nuk kam parë video që më ka ngjallur neveri e dhimbje sa kjo ku rrahet një e moshuar në Pejë.
I shqetësuar tej mase se si me këtë krim qeshej, dhe i njëjti xhirohej. Shumë kriminelë me një vend.
Me ushtru dhunë mbi një të moshuar, tregon sa i ligë dhe i poshtër je.
Përveç burgut, duhet me ua marrë fytyrën këtyre krijesave të quajtura njeri.”, shkroi z.Agusholli në Facebook.
Një video jashtëzakonisht shqetësuese është postuar më herët nga një qytetare me emrin Kaltrinë Zeneli, e cila është edhe aktore e njohur e Kosovës.
Në video shihet teksa maltretohet një zonjë në moshë nga disa vajza të reja, të cilat duket se janë infermiere.
Infermierja shihet derisa e godet disa herë në fytyrë pacienten, derisa ajo është e paaftë që ta mbrojë veten. Krejt këto sjellje të dhunshme i bën derisa qeshet me disa kolege (ose gra të njohura) të tjera, të cilat nuk duken në video.
Zeneli ka shkruar se mënyra se si keqtrajtohet zonja në moshë, tregon se një gjë e tillë është normale në këtë qendër kujdesi.
Ndërkohë, Nacionale e ka konfirmuar tashmë se dy infermiere deri tash janë arrestuar ndërkohë që autoritetet kanë nisur hetimet.
Ky rast e ka tronditur opinionin publik, me reagime nga të gjitha anët. Edhe pronari i “Orendës” ka folur për Nacionale, duke thënë se janë të shqetësuar me këtë ndodhi.
Të gjitha ngjarjet dhe reagimet mund t’i përcillni duke klikuar KËTU.
